» Tirana pret ekuipazhin e anijes katariane me vela, Veliaj: Aktivitete për promovimin e Kampionatit Botëror

Tirana pret ekuipazhin e anijes katariane me vela, Veliaj: Aktivitete për promovimin e Kampionatit Botëror

Për tre ditë radhazi, 25, 26 dhe 27 gusht, Tirana do të kthehet në një arenë sportive, duke mirëpritur një ndër eventet më të bukura të kësaj vere. Bëhet fjalë për promovimin e Kampionatit Botëror të Futbollit 2022, në kuadër të të cilit anija katariane me vela “Fateh Al Khair” po lundron nëpër ujërat e Mesdheut prej disa ditësh. Pas një qëndrimi dyditor në Sarandë, e më pas ndalesës në qytetin e Durrësit, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Ndaj bashkë me Ambasadën e Katarit, Bashkia e Tiranës do të organizojë dhjetëra aktivitete sportive në kryeqytet, duke filluar nga kampionati i futbollit për fëmijët e deri tek aktivitetet artistike në sheshin “Skënderbej” dhe tek Parku i Liqenit.

Lajmin e ka dhënë vet kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ambasadori i Katarit në vendin tonë Ali bin Hamad Al-Marri të cilët nëpërmjet një videomesazhi i bën thirrje qytetarëve të Tiranës që ti bashkohen këtyre aktiviteteve promovuese të Kampionatit Botëror që do mbahet në Katar.

“Jam shumë i lumtur që Shqipëria, por edhe Tirana, do mirëpresë një skuadër nga Katari me një anije me vela tradicionale siç kanë qenë në kohët e vjetra. Është pjesë e një turi mesdhetar, në shumë qytete të Shqipërisë, Greqisë, Italisë, apo vende të tjera të rajonit tonë. Por jam shumë i lumtur që do ketë 3 stacione. Stacioni i parë do jetë në Sarandë në datën 20-21; stacioni i dytë do të jetë në Durrës në datën 23-24; dhe pastaj tre ditët e tjera në Tiranë, ku do të kemi shumë aktivitete kryesisht që promovojnë sportin. Duke qenë se gjithë ky tur do të promovojë Kampionatin Botëror të Futbollit dhe ne shqiptarët jemi tifozë të çmendur, por edhe lojtarë pasionantë të futbollit, shkon edhe me politikat tona të inkurajimit të sporteve në komunitet. Kjo është arsye që ne bashkë me Ambasadën e Katarit do të kemi disa aktivitete në Tiranë në datat 25, 26 dhe 27 gusht. Nga një kupë futbolli për fëmijët që do ta organizojmë tek Liqeni, te disa aktivitete artistike që do t’i organizojmë këtu në sheshin “Skënderbej”, apo në një ekspozitë shetitëse nëpër cepa të ndryshëm të qendrës të Tiranës, ku ne do të mësojmë më shumë rreth kulturës së Katarit, por me shpresë edhe grupi i vizitorëve por edhe i performuesve që do të vijnë nga Doha, do të mësojnë më shumë rreth kulturës sonë. Futbolli është ndoshta i vetmi sport që i bashkon të gjithë”, shprehet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në këtë videomesazh.

Ndërsa ambasadori i Katarit në vendin tonë theksoi se kjo vizitë është një tjetër dëshmi e miqësisë së mirë që ekziston mes dy popujve dhe sidiomos mes dy kryeqyteteve të Shqipërisë dhe Katarit. “Shqipëria është përzgjedhur si një nga destinacionet kryesore në Mesdhe që do të vizitojë anija me vela “Fateh Al Khair 4”. Kjo vizitë unike në llojin e saj synon t’i prezantojë popullit mik shqiptar trashëgiminë detare, kulturën dhe tradiat e Katarit, si dhe të promovojë Botërorin e Futbollit Katar 2022. Këtu falënderoj zyrtarët dhe kryebashkiakët në Shqipëri, veçanërisht kryebashkiakun e Tiranës zotin Erion Veliaj për kontributin e vyer në organizimin e pritjes së anijes dhe delegacionit nga Katari, dhe për aktivitetet kulturore që do të zhvillohen me këtë rast. Mbrëmjen e 25 gushtit, ekuipazhi i anijes do të vijë si mysafirë të kryeqytetit shqiptar, ku me kryetarin e bashkisë do të organizojmë një pritje të madhe në sheshin “Skënderbej”, si dhe një sërë aktivitetesh kulturore, sociale e sportive. Gjithashtu do të ketë edhe disa surpriza për publikun që lidhen me Botërorin Katar 2022”, tha ambasadori i katarrit Ali bin Hamad Al-Marri.

Këto aktivitete do të jenë të hapura për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”. Anija e cila ka në bord 15 marinarë katarianë, ka dy vela dhe është e llojit “Boom Safari” e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë, dhe ka kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. Kjo anije konsiderohet një muze në miniaturë që pasqyron trashëgiminë detare të Katarit. Gjithashtu ajo është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Lundrimi “Fateh Al Khair 4” për vitin 2019 do të zgjasë katër muaj dhe do të përshkruajë rreth 4400 milje, nisur nga Bosfori e deri në Xhenova të Italisë. Konkretisht destinacionet e tij për këtë vit do të jenë pesë vende të Mesdheut, përkatësisht Turqia, Greqia, Shqipëria, Kroacia dhe Italia.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera