» 17-20 gusht 1991: Si dështoi “Puçi i Hamamit” të ndalte shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik

17-20 gusht 1991: Si dështoi “Puçi i Hamamit” të ndalte shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik

Tentativa e grushtit të shtetit të vitit 1991, e njohur ndryshe edhe si “Puçi i Hamamit” ose “Puçi i Gushtit”, ishte një përpjekje e anëtarëve të qeverisë së Bashkimit Sovjetik, për të marrë kontrollin e vendit nga presidenti dhe njëherazi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Mikail Gorbaçov, nismëtar i Glasnostit (lirisë së fjalës) dhe Perestrojkës (rindërtimit të ekonomisë).

Komploti u përgatit në një hamam në qendër të Moskës. Mëngjesin e të shtunës së 17 gushtit 1991, shefi i KGB-së, Vladimir Krushkov, thirri në një takim tejet sekret disa zyrtarë të lartë sovjetikë. Të mbështjellë me peshqirë në dhomën e avullit, dhe duke konsumuar vodka dhe skoç, aparatçikët komunistë të vijës së ashpër hartuan një plan për ta rrëzuar qeverinë sovjetike. Krushkov tha se vendi ndodhej në rrezik të madh, ndaj ata duhej të vepronin shpejt.

Vendi ishte ekonomikisht përtokë, ndërsa kaosi i shkaktuar nga lëvizja për demokraci por edhe ajo nacionaliste, kërcënonte ta shkatërronte atë plotësisht, paralajmëroi shefi i KGB. Shtetet e Balltikut po shkonin drejt pavarësisë, teksa duhej bërë diçka për t’i mbyllur gojën Boris Jelcinit, presidenti të porsazgjedhur të Republikës Ruse, që ishte politikani më popullor në vend, kryesisht për shkak të sulmeve të tij ndaj privilegjeve të elitës së Partisë Komuniste.

Komplotistët këmbëngulën për rrëzimin e Gorbaçovit. Ai kishte propozuar nënshkrimin e një traktati të ri, që do ta shndërronte Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike në një federatë më të lirshme të shteteve autonome, shumica e të cilave synonin t’i kthenin shpinën socializmit. Dhe kjo nuk duhej lejuar.

Disa prej komplotistëve shkuan në Krime, ku Gorbaçovi ishte me pushime. Synimi ishte ta detyronin atë të braktiste traktatin, ose të jepte dorëheqjen. Nëse ai do të refuzonte, një regjiment i trupave të KGB, do ta mbante të burgosur në vilën e tij për një kohë të pacaktuar.

Të tjerët qëndruan në Moskë, të gatshëm të merrnin pushtetin, dhe të përdorin forcën për të shtypur çdo lloj kundërshtimi. Më 19 gusht, ata njoftuan se Gorbaçovi ishte i paaftë për të qeverisur. Por ky veprim dramatik, rezultoi të ishte një përllogaritje e gabuar, dhe me pasoja katastrofike për kauzën e tyre.

Komplotistët përpiluan një listë me emrat e 200 personave që do të arrestoheshin menjëherë, ku i pari ishte Jelcin. Burgu i Lefortovos, në periferi të Moskës u zbraz, në përgatitje për të akomoduar të burgosurit e rinj, ndërsa 250.000 palë pranga u urdhëruan të dërgohen në Moskë nga një fabrikë në Peshkov.

Por grushti i shteti, rezultoi një dështim që në fillim. Gorbaçovi refuzoi të dorëhiqej, apo shmangte traktatin. Në orët e para të mëngjesit të 19 gushtit, moskovitët u zgjuan me njoftimin në radio dhe television se ishte formuar një Komitet i Emergjencës që do të qeveriste vendin.

Zhvillimet dramatike, ishin të kufizuara në një zonë të vogël – përreth Shtëpisë së Bardhë në Moskë, selisë së parlamentit rus – dhe zgjatën disa orë. Puçistët nuk mundën të arrestojnë asnjë nga njerëzit që kishin caktuar në listë, ndërsa ushtarët refuzuan të sulmojnë turmat e qytetarëve të grumbulluar jashtë parlamentit.

Komplotistët u tmerruan nga trazirat që pasuan, me protestat kundër tyre që shpërthyen në qytetet më të mëdha në të gjithë Bashkimin Sovjetik. Të dëshpëruar, ata iu drejtuan zgjidhjes tradicionale totalitare, dhe nxorrën në rrugë ushtrinë për të rivendosur rendin. Por kur ushtarët nuk pranuan të qëllonin mbi bashkatdhetarët e tyre, grushti i shtetit mori fund.

Dështimi i tij, e përshpejtoi copëzimin e Bashkimit Sovjetik, së bashku me kontrollin rus mbi shtetet e bllokut lindor. Imazhi qendror i grushtit të shtetit, ishte një Boris Jelcin i guximshëm, që u ngjit mbi një tank për të bërë një deklaratë kundër komplotistëve.  Ajo skenë tronditëse u lejua të transmetohej në televizion atë mbrëmje, duke e shndërruar Jelcinin brenda natës në një figurë me rëndësi botërore.

Image result for jelcin on tank

Në një konferencë për mediat atë mbrëmje, kreu i Komitetit të Emergjencave, zv/presidenti sovjetik, Genadi Janayev, u shfaq në publik për herë të parë. Burokrati 53-vjeçar me gishtat e zverdhur nga nikotina, kishte veshur një kostum të ndritshëm, ndërsa ishte dukshëm i dehur. Kur gënjeu se Gorbaçov ishte sëmurë, duart nisën t’i dridhen.

Më pak se një javë më vonë, dy udhëheqësit e grushtit të shtetit, mes tyre Ministri i Mbrojtjes vranë veten, ndërsa të tjerët u burgosën. Në atë kohë Rusia, kishte një shans të favorshëm për t’u bërë pjesë e demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut. Por Jelcin bëri pak për të zhvilluar shoqërinë civile, shtetin e së drejtës, apo modernizuar ekonominë.

Nepotizmi korruptiv i Boris Jelcinit, inkurajoi krijimin e një kapitalizmi gangsterësh, nga i cili Rusia po vuan ende sot. Pasardhësi i zgjedhur i Jelcinit, Vladimir Putin, i përmbysi edhe ato pak reforma demokratike të reja që ishin ndërmarrë, duke e kthyer Rusinë në një vend që kryen formalisht procedurën demokratike të zgjedhjeve çdo disa vjet, në një kohë që pushteti mbetet i përqendruar në të njëjtat duar.-përshtatur nga CNA.al.

 


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera