» Alarmi nga ethet hemorragjike ose të miut, humb jetën 32-vjeçari. Mjekja: Këto janë shenjat që shfaqen

Alarmi nga ethet hemorragjike ose të miut, humb jetën 32-vjeçari. Mjekja: Këto janë shenjat që shfaqen

Sëmundja e etheve hemorragjike, e njohur ndryshe si ethet e minjve, ka shkaktuar vdekjen e një 32- vjeçari nga Erseka, i cili nuk mundi t’i mbijetonte virusit vdekjeprurës, pavarësisht mjekimit të marrë në pavijonin e Infektivit në kryeqytet.

infektivi qsut

Shefja e këtij Shërbimi në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Najada Çomo, tha se me këtë diagnozë janë paraqitur dy raste, por vetëm një prej tyre arriti të mbijetojë. “Ishin dy në fakt, por falë shërbimit intensiv, njëri arriti të mbijetojë dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që tjetri nuk arriti të mbijetojë”.

Sipas mjekes, sëmundja transmetohet nga kontaminimi i ushqimit me miun e kuq që ndeshet në zonat malore, ndaj edhe duhet bërë kujdes me ushqimet që konsumohen gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që zonat më me risk të lartë mbeten veriu dhe juglindja e vendit, përkatësisht Tropoja, Kukësi, Korça dhe Erseka.

“Ethet hemorragjike përhapen nga minjtë, ndaj edhe quhen ethet e miut. Njeriu infektohet nëpërmjet kontaktit të ushqimit që është infektuar. Ndaj edhe ushqimi që konsumohet duhet të jetë i kontrolluar, të jetë jo i kontaminuar, të mos jetë i lënë nëpër fusha dhe të kalojnë brejtës të ndryshëm”, theksoi Çomo.

SHENJAT QË JEP

Të prekurit nga ky virus shfaqin temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe muskujsh, si edhe gjakrrjedhje nga hundët. Doktoresha apelon që të mos neglizhohen shenjat e para, por të shkohet menjëherë në spital për trajtim të specializuar. “Simptomat kryesore janë temperatura e lartë, dhimbja e kokës, e muskujve dhe e artikulacioneve, shoqëruar me gjakderdhje”.

Sëmundja e etheve hemorragjike konsiderohet me risk të lartë edhe për shkak të komplikacioneve që mund të shkaktojë në organizëm, ndaj edhe ndërhyrja në kohë mund të parandalonte përkeqësimin e situatës.

SITUATA

Në vendin tonë raportohet për pesë të prekur nga kjo sëmundje, megjithatë shifra ende nuk është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Rasti i parë është regjistruar 34 vite më parë, në vitin 1984. Stina e verës konsiderohet gjithnjë me rrezik, duke qenë se temperaturat e larta nxisin lëvizjen e brejtësve të kuq, që janë edhe shkaktarët e kësaj sëmundjeje.

SËMUNDJA E ETHEVE HEMORRAGJIKE

Mjekët infeksionistë thonë se në më të shumtën e rasteve, shenjat nisin të shfaqen një apo dy javë pas marrjes së infeksionit apo edhe më tepër. Fillimi i sëmundjes, sipas tyre, është i menjëhershëm me temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje shpine, dhimbje nyjesh, dhimbje barku dhe të vjella, por me përkeqësimin e gjendjes mund të shfaqet edhe gjakrrjedhje nga hundët. Ndërhyrja në kohë është e rëndësishme për të mos lejuar komplikacionet, që sëmundja e etheve hemorragjike mund të japë. Por më e rëndësishme është marrja e masave parandaluese. Rëndësi të veçantë në këtë drejtim ka kujdesi që duhet treguar, duke mos konsumuar ushqime të infektuara nga minjtë.


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/ Çfarë e nervozon Ramën? Çfarë e tremb?!

Të tjera