» Jo para publike për studimet e mjekëve që ikin në Gjermani!

Jo para publike për studimet e mjekëve që ikin në Gjermani!

PROF. DR. PIRRO PRIFTI

Vitet e fundit vihet re një tendencë e emigrimit në vendet e Bashkimit Europian dhe në veçanti në Gjermani, ikja e mjekëve, infermierëve dhe teknicienëve të mjekësisë, duke e kthyer këtë në një fenomen aspak pozitiv për sistemin tonë shëndetësor. Në studimin e publikuar nga shoqata “Together for life” në fund të vitit 2018, rreth 78% e mjekëve do të largoheshin nga Shqipëria nëse do të kishin mundësi. Nga ky studim rezulton se Gjermania mbetet shteti më i preferuar, ku tashmë 521 mjekë shqiptarë ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani. Ky studim iu është referuar vetëm mjekëve të licencuar, duke përjashtuar infermierët apo edhe teknicienët e tjerë të mjekësisë, çka është një numër edhe më i madh. Dihet që globalizmi dhe shtetet e mëdha kërkojnë punonjës të kualifikuar. Por nëse vendet fqinje e kanë zgjidhur problemin e largimit të specialistëve dhe profesionistëve në mënyrë institucionale, Shqipëria dhe qeveria jonë, megjithëse ka shumë nevojë, e ka lënë në rënie të lirë dhe pa kërkuar asnjë zgjidhje institucionale me vendet që marrin këta punonjës profesionistë dhe specialistë të shëndetësisë shqiptare dhe pa u kërkuar asgjë. Arsyet e largimit janë të shumta, duke filluar që nga keqmenaxhimi e deri tek ana financiare e profesionistëve të mjekësisë dhe ky është një realitet që nuk duhet mohuar. Qeveria nuk mund të lërë spitalet dhe qendrat shëndetësore pa personel mjekësor.

=

Së pari, është e drejta e çdo individi për të ushtruar profesionin e tij kudo në botë, madje dhe atë të shkencave mjekësore. Por ajo çfarë mund të bëjë qeveria është se, nuk mund të shpenzojë para publike për individë, që pasi marrin të mirat publike falas, të mos e kthejnë këtë investim që taksapaguesit shqiptarë kanë kontribuar. Nga statistikat rezulton se, me gjithë rritjen e GDP-së për shëndetësinë, Shqipëria e ka buxhetin më të ulët në rajon për sa i përket kësaj të fundit. Ajo u jep qytetarëve shqiptarë afërsisht 140 USD për frymë për sistemin shëndetësor, kurse popullsia vetë harxhon katër herë më shumë se ajo që disburson qeveria nga buxheti i shtetit, pra rreth 615 dollarë amerikanë për frymë.

Së dyti: Sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Krahas mungesës së financimeve, mësohet se shkak për këto zhvillime është bërë edhe emigracioni i lartë i trupës shëndetësore jashtë vendit, sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shqipëria ka numrin e mjekëve për 1000 banorë më pak se çdo vend tjetër në BE dhe në rajon, ku në vitin 2017 janë 1,15 mjekë për 1000 banorë dhe më shqetësuese është tendenca në ulje për numrin e mjekëve, pasi në vitin 2000 Shqipëria kishte 1.39/1000 banorë, ose 17.5 % më pak. Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë. Por kjo situatë është edhe më e përkeqësuar për infermierët, pasi vetëm në 5 vitet e fundit Shqipëria ka 20% më pak infermierë dhe studimet tregojnë se kjo shifër do të jetë në rritje.

Se treti, për të parandaluar këtë emigracion të profesioneve, siç janë edhe profesionet e mjekësisë, qeveria duhet të akordojë bursa për këto profesione, me një kontratë që profesionistët e mjekësisë të shërbejnë së paku 10 vite në Shqipëri, ose të kthejnë mbrapsht 5-fishin e bursës së akorduar. Ka shumë elemente ku qeveria mund të ndërhyjë dhe një nga këto elemente janë marrëveshjet shtetërore punësimi në formë kontratash, me vendet që përfitojnë nga ardhja e infermierëve dhe mjekëve, në mënyrë që shteti shqiptar të ketë mundësi të marrë fonde nga këto vende, me qëllim që t’i përdorë për të përmirësuar gjendjen e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

Së katërti, nëse njerëzit që duan të shkollohen për profesionet e mjekësisë, ku me diplomimin e tyre kanë si qëllim ushtrimin e profesionit në një vend të Bashkimit Europian apo qoftë edhe në ndonjë vend tjetër, të paktën ta kryejnë këtë shkollim me fondet e veta private.

Së pesti, nuk mund të ketë edukim cilësor me tarifa 0 apo falas, për më tepër siç është edukimi për profesionet e mjekësisë, të cilat kërkojnë një kontribut më të madh shkencor, duke sjellë kërkesën për investim më të madh në auditorë, laboratorë specifikë e deri te pagesat për personel akademik tepër të kualifikuar.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, UET


360grade.al


Bajatllëk, mjerim dhe një Gjithollog për KM!…

Të tjera