» Zgjedhje të reja në Shkodër

Zgjedhje të reja në Shkodër

ROMEO GURAKUQI

Pas dokumenteve të botuara nga sekretari i përgjithshëm i PD-së në lidhje me pretendentin socialist për Bashkinë Shkodër, perspektiva e zgjidhjes ligjore të drejtimit të ekzekutivit krahinor kalon detyrimisht përmes zgjedhjeve të reja bashkiake.

Së bashku me zgjedhjet për kryetar të ekzekutivit, do të duhet të zhvillohen edhe ato për Këshillin e ri Bashkiak. Kjo sepse, PS-ja është zënë në tentativë për grabitje të gjithanshme pushteti në Shkodër, përmes një procesi të inskenuar monist, ku morën pjesë 7% e elektoratit, përdorimit të skuadrave paramilitare elektorale në ditën e votimit dhe paraqitjes së kandidatëve, që u janë shmangur detyrimeve ligjore të deklarimit paraprak të saktë të pastërtisë së figurës.

Unë u bëj thirrje individëve të përfshirë në këtë orvatje komplotuese për uzurpim të padrejtë pushtetesh, sa janë në kohë, t’i kërkojnë falje publikut dhe të hiqen mënjanë me dorëheqje të parevokueshme, individualisht dhe në grup. Guximi për të marrë përsipër në kundërshtim me ligjin, drejtim politik dhe ekzekutiv në bashkinë më të madhe në vend, është me të vërtetë një sipërmarrje dhe nismë e pabesueshme për shoqërinë normale.

Çështja e pazgjidhur mbetet boshllëku institucional, që do krijohet deri në zgjedhjet e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave, do të mbahen më 13 tetor 2019. Këshilli Bashkiak në detyrë duhet të marrë në dorë fatet e drejtimit të politikave vendore në këta dy muaj, të përcaktojë rrugët juridike për thirrjen e zgjedhjeve të reja të pjesshme në Shkodër, që nuk do të duhet të varen nga zgjidhja madhore e krizës politike në Tiranë. Prefektit të Shkodrës i bëj thirrje të shmangë çdo ndërhyrje të njëanshme, që mund t’i kërkohet nga “padronët” kryeministrorë dhe të tregojë maturi për të rakorduar një zgjidhje ligjore të situatës me faktorët politikë dhe kulturorë lokalë. Të gjitha opsionet janë të hapura ligjërisht, për shkak se politika e kokëfortësisë qeveritare e ka futur zgjidhjen e problemeve të pleksura me kohë, në hulli joligjore. Është mirë që tranzicioni nga mandati në përfundim, deri në konstituimin e pushtetit të ri bashkiak të zgjedhjeve të 13 tetorit, të kryhet në rakordim të gjithanshëm të faktorëve dominantë krahinorë, duke shmangur përplasjet institucionale dhe tensionet sociale.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera