» Enveri kishte Mehmetin, Kadriun e Koçi Xoxen, Rama ka Valdrinin, Elvisin, Ndokën, Frrokët…!

Enveri kishte Mehmetin, Kadriun e Koçi Xoxen, Rama ka Valdrinin, Elvisin, Ndokën, Frrokët…!

Edhe Vladrin Pjetri rezultoi me probleme me drejtësinë. Dhe të imagjinosh që në krahasim me fytyrë vrerosurit e parë të dekriminalizimit ishte ku e ku më karizmatik. kishte mësuar të qeshte në publik, kriter elementar ky në politikë.

Prej gjashtë vjetësh tashmë shqiptarët u mësuan të qeverisen nga njerëz që kanë dosje penale të pasur, brenda të cilave gjallojnë fletë me akuza dhe dënime gjithfarëshe: vrasje, vjedhje, përdhunim, trafik droge. Sidomos trafik droge.

Në një farë mënyre këta partizanë të shekullit të 21-të janë europianët e vetëm të ëvrtetë që  und të nxirrte Shqipëria e tanishme. Kjo pasi ata që emigruan sepse donin një jetë më të mirë në të gjitha kuptimet nuk e kanë ndjerë asnjëherë më shtëpinë e tyre aq të dashur sa e lanë. Magjia europian nuk funksonoi me Shqipërinë të cilët kaluan nga drama e një varfërie të skajshme dhe që i çoi në kushte mbijetese në vendin e tyre, në traumën e një kontrasti social shumë të fortë që ndjen sapo kjo varëfëri relatohet me pasurinë e një Europe që nuk të integron asnjëherë me të vërtetë. Emigranti mbetet përjetë emigrant dhe shqiptari e sheh kështu veten të parehatuar në botën e lirisë dhe demokracisë.

Është kjo një ndër arsyet që trimat e heroinës, kokainës, hashashit, hajdutët dhe grabitësit, vrasësit me pagesë dhe sidomos mafiozët, mundësisht të lidhur me ndonjë organizatë me emër, u shndërruan sa hap e mbyll sytë në heronj të kohës sonë. Në krye të lajmeve, sfidues ndaj rendit publik, të dhunshëm në rrugë, kjo kategori, çirakë të ustallarëve në Perëndim, u bënë përçues të emrit shqiptar. Jo për mirë? Punë e madhe, vetëm të mos harrohemi apo të na marrin për dudumë.

Ky përshkrim do të vlente deri në momentin që Shqipëria do të ngrihej në këmbë nga ’90 për ta mbyllur këtë lloj problemi që është shumë serioz, pasi priret të krijojë stigma të pamerituara për një komunitet të tërë. Deri në vitin 2013 kontigjente të tilla kishin arritur të penetronin në sistemin politik shqiptar, por duke u mbajtur nën kontroll dhe kryesisht duke zhvilluar aleanca të fshehta me segmente të politikës.

Me z. Edi Rama situata u përmbys. Kjo kategori nuk përfaqësohej më në pushtet, as përdorej prej tij, apo kishte ortakëri të kufizuar. Kjo kategori realisht erdhi në pushtet. Ajo i siguron sot që flasim mbështetjen në territor pushtetit të socialistëve me praktika parapolitike dhe në ushtrim të drejtpërdrejtë të dhunë dhe armës që asociohen me figura lokale dhe parlametare tanimë të njohur mirë.

Dikush shprehet se z. Rama i përdori këta njerëz si kundërpeshë ndaj Sali Berishës. Nëse është kështu, atëherë dështimi nuk i shkon vetëm një njeriu, por mbarë shoqërisë, ndërkohë që përfitimet i shkojnë një grupi. Natyra e aleancave përcakton dhe zbulon objektivat realë të një pushteti dhe metodën e ndarjes së pasurisë prej tij. Është kjo arsyeja që individë të kësaj natyre rezultojnë fitues të kontratave të mëdha, tenderave miliona eurosh dhe më e rëndësishmja, janë de facto të imunizuar nga zbatimi i ligjit. Ata vjedhin me marrëveshje dhe as nuk figurojnë gjëkundi si njerëz që mund ta lakohen për kësi gjërash.

Le të mendojmë për një çast se z. Rama nuk ka këtu asnjë dijeni, se ai me të vërtetë është një dede kryeministër që ç’i thonë bën. Se ai është fanatiku më i madh i dëshmisë së penalitetit. Këtu pyetja që lind është: çfarë funksionon keq me sistemin e rekrutimit dhe përzgjedhjes së PS-së që krimi të penetrojë kaq thellë? Z. Rama këtë pyetje nuk ja bënë vetes? Nëse do ja kishte bërë me siguri që partia e tij duhej të reformohej thellë.

Pyetja që shtrohet së dyti është: për çfarë problemesh shtetërore, politike dhe ideore flasin këta njerëz me fjalor shqip të shekullit të 19-të me z. Rama që konsiderohet si intelektual? Janë pyetje që duan përgjigje sepse lidhen direkt me karakteristikën e pushtetit të tanishëm.

Ky i joni është i pangjashëm me raste të tjera. Cossiga dhe Andreotti konsideroheshin si simbole të diabolizmit dhe makiavelizmit në Itali, por nëse Cossiga pranoi se “një lider i vërtetë duhet të frekuentojë të keqen”, Andreotti e mbylli karrierën me një mal akuzash, nga të cilat thuajse asnjë për abuzim financiar dhe më interesantja, pa asnjë provë të mirëqenë të lidhjeve të tij direkte me Mafien. Në fund demokracia kristiane nuk la një Itali në dorë të Mafies, por një Itali që i mbijetoi komunizmit në sajë të aleancës me krimin të cilin diti ta kontrollonte dhe përdorte. Një mëkat i pranueshëm me metrin e politikës mesdhetare. Zoti Rama çfarë sfide madhore ka që detyrohet të hajë këtë çorbë? Ndoshta frikën se vdes i varfër?

Por kjo që po ndodh nuk ngjan as me periudhën e Enver Hoxhës. Është e vërtetë se regjimi i Hoxhës bëri krime, por krimi vinte nga lart si pasojë e imperativave politike dhe ideologjike. Bashkim Shehu, i biri i Mehmet Shehut shprehej dikur se “ata nuk mund të ishin aq kriminalë po të mos ishin idealistë” dhe kjo tipologji politike i dha profilin një kohe të tërë. Por krimi dhe rrugaçëria ishin instrumente politike dhe jo kulturë e një establishmenti. As origjinë e tij.

Sot establishmenti në Shqipëri është kriminal, me të gjitha kuptimet që përfshin ky term. Ai është përcaktuar në mënyrën si e sheh shtetin për nga vetë origjina e pasurimit dhe shtresëzimit social të protagonistëve të vërtetë të tij. Kush mendon se kjo lloj politike ka synime të tjera, afatgjata veç sigurisë së vetes, ndarjes në mënyrë abuzive të pasurisë dhe shndërrimit të vendit në një qendër tregëtare ku çdokush mund të vijë e të blejë, ndoshta duhet të rishikojë mendimet. Është ky tipar strukturor që shpjegon lëshimet e paimagjinueshme në sovranitet, identitet, aspektin historik që bëhen nga dita në ditë, duke e rithemeluar historinë në funksion të legjitimitetit që nuk mund të blihet me lekë. Dhe është ky raport i përmbysur që e ka bërë të pakuptimtë narrativën zyrtare e cila, duke qenë pa koordinata ideologjike dhe historike, vijon të mbajë në  fuqi përrallën e Rilindjes. Tanimë me zëdhënës “shqiptarët patriotë” të tranzicionit, pra zëdhënësit e ekonomisë kriminale që duke mos ditur të mendojnë për të ardhmen bëjnë flamurin me dorë duke iu bindur çdo poshtërimi të të huajve. /Faktor.al


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera