Më kërcënuan, duan të më marrin 80 mijë euro’, dënohet biznesmeni që bëri padinë. Ja mashtrimi që iu zbulua - 360 Grade

Më kërcënuan, duan të më marrin 80 mijë euro’, dënohet biznesmeni që bëri padinë. Ja mashtrimi që iu zbulua

 Një kallëzim i bërë për kanosje nga biznesmeni Tofik Hyka 4 vite më parë, ka përfunduar me dënimin e vetë biznesmenit për “Mashtrim” dhe “Kallëzim të rremë”.

Tofik Hyka

Në 17 korrik të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka gjetur fajtor Hykën dhe e ka dënuar atë me 4 vite burg, pasi ka dhënë kallëzim të rremë në Prokurori se disa persona, nëpërmjet kanosjes dhe kërcënimit, kërkonin t’i merrnin një shumë prej 80 mijë eurosh, kur siç edhe ka rezultuar nga gjykimi, këtë shumë ia ka pasur borxh dhe marrë nëpërmjet mashtrimi.

Pas kallëzimit të bërë në 26 tetor 2015 nga Tofik Hyka, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur edhe një hetim, rezultati i të cilit kishte nxjerrë Hykën personin që duhet të përgjigjej para ligjit.

“Sipas organit të akuzës, nga veprimet hetimore ka rezultuar se kallëzuesi, shtetasi Tofik Hyka, u ka marrë shtetasve të kallëzuar, përgjatë një periudhe kohore që nis nga viti 2012 deri në vitin 2015, në disa episode, një shumë të përgjithshme prej 80.000 eurosh hua, e cila dyshohet të jetë përfituar nëpërmjet mashtrimit.

Këtë shumë, siç konstatohet, kallëzuesi ende nuk ua ka kthyer huadhënësve. Këta të fundit, të gjendur në këto kushte, kanë detyruar kallëzuesin të nënshkruante një deklaratë ku të pranonte huan e marrë”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që disponon gazeta “Panorama”.

REGJISTRIMI

Gjatë hetimeve u bë e ditur se me qëllim për të vërtetuar shumën e dhënë hua, shtetasit e kallëzuar nga Tofik Hyka kanë regjistruar një bisedë të bërë me këtë të fundit. Siç thuhet edhe në vendimin e Gjykatës, nga biseda kuptohet se kallëzuesi Hyka dhe shtetasit e kallëzuar debatojnë në lidhje me një shumë të hollash, e cila dyshohet të jetë marrë hua nga shtetasi Tofik Hyka.

“Ky regjistrim, i cili është pjesë e fashikullit të prokurorit, parë në harmoni me veprimet e tjera hetimore të kryera në kuadër të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të cilat nuk kanë sjellë asnjë provë apo indicie në mbështetje të pretendimeve të shtetasit Tofik Hyka, e ka çuar prokurorin e çështjes në përfundimin se mungojnë tërësisht elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 109/ b i Kodit Penal, përkundrazi, kallëzuesi mund të ketë konsumuar elementet e veprës penale të ‘Mashtrimit’, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal”, shkruhet në vendim.

DËSHMIA

Gjatë hetimeve janë marrë deklarime nga shtetasi E. B., si person që ka dijeni për veprën penale. Ky shtetas ka shpjeguar ndër të tjera se shtetasin Tofik Hyka e njeh pothuajse prej 10 vitesh, pasi ai ka pasur në pronësi një fabrikë tullash dhe, për këtë arsye, babai i deklaruesit, i cili kishte një shoqëri ndërtimore, blinte shpesh tulla tek ai.

Në vitin 2015, Afrim Byberi i ka marrë hua një shumë prej 50.000 eurosh, të cilën ia ka dhënë përsëri, në formë huaje, shtetasit Tofik Hyka. Shtetasi Afrim Byberi e ka takuar disa herë më pas, duke i kërkuar kthimin e lekëve, të cilat ishin të tijat, por edhe të deklaruesit. Kjo, sepse deklaruesi shprehet të ketë qenë në dijeni që shtetasi A. B., i kishte dhënë shtetasit Tofik Hyka edhe një shumë tjetër prej 30.000 euro nga paratë e tij.

Në vitin 2015, deklaruesi shprehet se shtetasi A. B. i ka kërkuar shtetasit Tofik Hyka që kontratën noteriale për njohjen e huas ta bëjë me të (deklaruesin) dhe jo me Afrimin. Kjo, pasi shuma e të hollave ishte e shtetasit E. B. Shtetasi Tofik Hyka i ka thënë që, nëse ai nuk shlyen detyrimin, atëherë ata do të merrnin pronat që dispononte firma e tij. Prezent gjatë përpilimit të kontratës ka qenë edhe vëllai i shtetasit A. B.

Tofik Hyka: Kërkuan të më merrnin forcërisht paratë

Biznesmeni Tofik Hyka, edhe gjatë hetimit të nisur ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës u ka qëndruar pretendimeve të tij se ai është kërcënuar nga shtetasit që ka kallëzuar dhe ka kërkuar pafajësi. “Personat e familjes Byberi kërkojnë t’i marrin forcërisht shumën prej 80.000 €. Në lidhje me rrethanat e njohjes me shtetasin A. Byberi, shtetasi nën hetim shpjegon se ky i fundit i ka kërkuar ndihmë për të gjetur një avokat në Paris, pasi një kushëri i tij i quajtur Arben Byberi ndodhej atje në burg.

Për shërbimet e avokatisë, shtetasi nën hetim deklaron se ata kanë dorëzuar një shumë prej 28.500 €, shumë e cila i është dhënë avokatit dhe ky i fundit i ka kryer shërbimet e kërkuara. Rreth muajit shtator të vitit 2013, shtetasi nën hetim shprehet se, me kërkesë të shtetasit Afrim Byberi, janë takuar në Mullet, ku edhe është fyer duke i kërkuar të kthente një shumë prej 80.000 euro.

Pas këtij takimi, dy vjet më vonë, pasi është takuar rastësisht me shtetasit B. B. dhe A. B., këta e kanë dërguar te një noter, ku shtetasi nën hetim ka nënshkruar një kontratë huaje noteriale, duke pranuar detyrimin prej 80.000 euro”, shkruhet në vendimin e Gjykatës.

DËSHMIA E NOTERES

Për të sqaruar nëse gjatë firmosjes së kontratës për pranimin e huas është ushtruar presion ndaj Hykës, është marrë edhe dëshmia e noteres Sh. Gj., e cila e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas noteres, Hyka e ka marrë kontratën në dorë dhe e ka lexuar me shumë vëmendje dhe kujdes, pa pasur ndonjë pretendim. Pasi e ka lexuar me vëmendje, deklaruesja shpjegon se të dy shtetasit e kanë nënshkruar në fund, para saj.


360grade.al


Ujqërit na morrën edhe Luljeta Bozon, thua?…

Të tjera