» Kreditë me probleme ranë në 11.2% në fund të qershorit

Kreditë me probleme ranë në 11.2% në fund të qershorit

Raporti i kredive me probleme regjistroi sërish një rënie të lehtë në muajin qershor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 11.2%, nga 11.4% që kishte qenë për muajin maj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, niveli i kredive me probleme është dy pikë përqindje më i ulët. Cilësia e portofolit të kredisë është në përmirësim, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Deri vitin e kaluar, një efekt të rëndësishëm dha nxjerrja jashtë bilanceve e kredive të humbura. Që prej vitit 2015, vlerësohet se bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre mbi 55 miliardë lekë kredi të humbura.

Ky proces e shteroi gradualisht ndikimin e tij dhe tani ulja e raportit të kredive me probleme po vjen më shumë si rezultat i shlyerjeve dhe ristrukturimeve, por edhe nga zmadhimi i portofolit total të kredisë për ekonominë. Përmirësimi organik në cilësinë e portofolit të kredisë dëshmohet edhe nga ecuria e shpenzimeve për fondin rezervë të kredive me probleme. Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, shpenzimet e sistemit për provigjione kishin qenë 1.3 miliardë lekë. Këtë vit, ky zë paraqitet pozitiv në vlerën e afro 500 milionë lekëve, çka tregon se bankat kanë rimarrë provigjione nga periudhat e mëparshme.

Efekt pozitiv po jep edhe zmadhimi i portofolit të kredisë. Në mesin e këtij viti, kredia për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 553 miliardë lekëve, në rritje me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zmadhimi i portofolit total ndikon në uljen e peshës specifike të kredive me probleme.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera