Të bësh pushimet me tatimet! - 360 Grade

Të bësh pushimet me tatimet!

Nga Denis Dyrnjaja

Nuk është viti i parë që në verë tatimorët zbresin në aksion kundër informalitetit. Por këtë vit ndjeshmëria duket sikur është më e madhe se edhe prezenca e grupeve të inspektimit është më e dukshme sidomos në bizneset e zëshme. Por nuk do doja të ndalesha te fakti pse po kontrollohen tani, sepse shumë mirë që po kontrollohen dhe për më tepër shumë mirë që të ndëshkohen nëse kryejnë aktivitet të paligjshëm, por çështja është te mënyra sesi po kontrollohet.

Kam qenë vetë dëshmitar, pasi u ndodha për pushime, kur në një sipërmarrje mbi 20 vjeçare dhe me prestigj e historik pozitiv erdhi grupi i parë i inspektorëve tatimorë. Që nga hoteli, te restoranti, bar-caffe, madje edhe në çadra çdo shërbim shoqërohej me faturë të rregullt. Pasi qëndruan për mbi 4 orë tatimorët nuk gjetën ndonjë shkelje. Rezultati i vetëm ishte që tërë kohës njerëzit, pushuesit në këtë rast, flisnin vetëm për aksionin e tyre, për të mos thënë misionin e tyre se i tillë po duket. Në të gjithë ambientin ndjehej një lloj represioni psikologjik edhe te punonjësit e subjektit, për rrjedhojë edhe te klientët. Por ajo që e bëri situatën më paradoksale ishte se mënjeherë pas aksionit të inspektorëve tatimorë, të nesërmen mbërrin hetimi tatimor. Bëhet fjalë për të njëjtin biznes të kontrolluar e verifikuar fije për pe një ditë më parë. Pra tani edhe një ditë tjetër, pronarëve, por edhe pushuesve përgjithësisht iu desh të kishin tërë kohës prezencën e tatimorëve, kësaj rradhe në cilësi hetimore.

Dikush mund të pyes po çfarë lidhjeje kanë pushuesit me tatimorët?! Thjeshtë fare.

Çdo herë që merrje një porosi kamarierët të këshillonin për të mbajtur dhe mos humbur kuponin tatimor, sepse ndëshkimi do të ishte fatal për subjektin. Ndërsa administratorëve të biznesit iu deshën dy ditë pune të merreshin me llogaridhënie ndërkohë që duhej të merreshin me punën e tyre rutinë, sepse mesa pashë dhe mësova ishin lloji i sipërmarrësit të angazhuar. Merreshin vetë me shumë punë brenda biznesit të tyre. Por përtej shembujve.

Informaliteti duhet goditur dhe askush nuk është kundër, por a është kjo mënyra e duhur?! Praktika po tregon se jo. Bizneset të konsoliduar, me bilance të deklaruar, me staf të siguruar e me xhiro vjetore progresive në rritje, nuk ka pse futen nën kontrolle represive, pasi ata mund t’i monitorosh direkt nga sistemi. Në çdo zonë të Shqipërisë dihet se kush paguan e se kush iu shmanget detyrimeve. Përzierja e të njomit me të thatin dhe trajtimi i njëjtë për të dy dëmton biznesin e pastër dhe të shëndetshëm. Po nëse sipërmarrësi rival i fut një njoftim dhe dërgon ca njerëz të tij të ulen në një tavolinë lokali të bëjnë porosi kamarirët ua dërgojnë faturën ata e grisin dhe inspektorët e tatimeve kapin pikërisht këtë rast. Subjekti gjobitet se u kap në shkelje për një tavolinë pa faturë.

Si shmanget ky abuzim?! Po nëse një klient që ka porositur një produkt dhe ndryshon mendje, por fatura është prerë se kështu është rregulli, çfarë të bëjë kamarieri, banakieri e pronari të rrinë të merren me anulime faturash apo të merren me punë. Po nëse faturën e merr era, e gris fëmija etj etj dhe tatimorët qëllon që të gjejnë pa faturë në tryezë?! Si këto shembuj mund të ketë pa fund. Në botë sipërmarrjet nuk iu njohin fytyrat agjentëve tatimorë. Ata shkojnë atje ku ka vend për dyshim por jo si “autokombajnë” korrëse/shitëse, merr përpara kë të gjesh. Kjo sepse funksionon sistemi. Kontrollo deklarimet, monitoro realitetin pa rënë në sy dhe godit atë që mashtron. Ndërsa kjo mënyrë që po përdoret këtu është mënyrë për të grumbulluar një dorë parash nga gjobat, por jo për të goditur fenomenin, aq më shumë kur bëhet në mënyrë selektive.

Meqë ra fjala ky hotel në të cilin unë u ndodha nuk kishte asnjë shkelje, por të gjithë historinë e solla në vëmendje si një rast që problemi duhet trajtuar ndryshe. Le të bëhet një task forcë e të shkojë në kontroll të befasishëm kudo, por jo t’i shkatërrohet biznesi dhe t’i iki koha njerëzve që punojnë dhe duan të punojnë me ç’organizimin e organizuar tatimor, kontroll pas kontrolli. Një herë vjen inspektimi tatimor,, pastaj hetimi tatimor, pastaj vjen higjiena, pastaj task forca energjisë. Po kështu i bie që sipërmarrësir të merren vetëm me kontrollet jo me biznesin.

Krijioni një skemë kontrolli që në mënyrë të organizuar, patjetër edhe të befasishme biznesi të kontrollet brenda një dite dhe pastaj mbaje në monitorimin përmes sistemit, por jo t’i çosh çdo dy ditë nga një grup kontrolli. Lërini njërëzit të punojnë e të tjerët të shijojnë këto pak ditë vere, se po i bëjnë pushimet bashkë me tatimet.


360grade.al


Ujqërit na morrën edhe Luljeta Bozon, thua?…

Të tjera