» Negociatat me qeverinë e re të Mitsotakis, ekspertët paralajmërojnë: Do ketë ndryshime cilësore në…!

Negociatat me qeverinë e re të Mitsotakis, ekspertët paralajmërojnë: Do ketë ndryshime cilësore në…!

Ndryshimi i qeverisë në Greqi ka sjellë në vëmendje në opinion publik grek, por edhe shqiptar, për fatin e negociatave për çështjet e hapura mes dy vendeve, kryesisht për kufizimin e zonave detare. Ekspertët dhe njohësit e çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se këto negociata pritet të vazhdojnë pavarësisht rotacionit politik në shtetin grek që rezultoi me krijimin e qeverisë së drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis.

 

Nga ana tjetër, në vëmendje është sjellë edhe Marrëveshja e Prespës e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, ku vlerësohet si një problem që mund të konsiderohet i zgjidhur dhe i kapërcyer.

Milo: Negociatat do të vazhdojnë

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe historiani Prof. Dr. Paskal Milo në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shprehet se nuk beson se do të ketë ndryshime cilësore në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi për shkak të ardhjes në pushtet të Partisë Demokracia e Re në Greqi, sepse sipas tij marrëdhëniet midis dy vendeve janë marrëdhënie strategjike, që përcaktohen nga interesat e fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit.

Milo shton se marrëdhëniet mes dy vendeve mbi të gjitha janë marrëdhënie që kanë objektiva të përbashkëta jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë dhe thekson se interesat dhe objektivat e dy vendeve i kapërcejnë ato marrëdhënie ndërpartiake që mund të krijojnë diferenca në vende të tjera apo në momente të caktuara.

Në lidhje me negociatat ai thekson se kanë qenë të vështira, pavarësisht nga ngjyra e partive politike që vijnë në pushtet, edhe në rastin e negocimit të qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Alexis Tsipras, sipas tij, nuk kanë qenë të lehta.

“Fakti që u desh një kohë e gjatë për të nisur negociatat dhe për të ecur në procesin e tyre dhe që nuk përfunduan tregon që ato kanë qenë të vështira sepse po të ishin të lehta do të kishin përfunduar me kohë, prandaj nuk mendoj se varet shumë nga natyra e partisë politike që vjen në pushtet në Greqi apo edhe në Shqipëri për të përcaktuar fatin e negociatave të lidhjes ose jo të marrëveshjeve të rëndësishme që qëndrojnë pezull në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi”, tregon Milo.

Ai shprehet se është një proces që ka nisur dhe nuk duhet lënë në mes të rrugës dhe për të mbyllur një kapitull midis dy vendeve që sipas tij pengon zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Milo thekson se pret një vazhdim të negociatave dhe shtoi se “personalisht pres që marrëveshjet që kanë mbetur pezull për shkaqe dhe rrethana qoftë të zhvillimeve në Greqi apo qoftë edhe në Shqipëri ato do të vazhdojnë dhe jam i bindur që do të vazhdojnë sepse të dy qeveritë e të dy vendeve janë të ndërgjegjshme që kjo paketë që ka disa projektmarrëveshje duhet të përfundojë”.

Eksperti i të drejtës ndërkombëtare dhe anëtar i delegacionit shqiptar në negociatat Shqipëri-Greqi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, në lidhje me marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe mes dy popujve shprehet se konstantja e raporteve ka ecur në drejtimin pozitiv, pavarësisht nga aksidentet e caktuara që ndodhnin gjatë zhvillimeve të ndryshme.

“Unë besoj dhe dëshiroj që ky ritëm marrëdhëniesh të vazhdojë. Pra ai themel i marrëdhënieve të normalizuara, të ekuilibruara me një prirje pozitive që u nis nga qeveritë e mëparshme greke do të vazhdojë edhe me qeverinë Mitsotakis. Mitsotakis gjatë fushatës elektorale ka bërë disa deklarime që kanë ngjallur shqetësime të caktuara, por e them me bindje që nuk mundet dot politikanë të caktuar apo forca caktuara politike të kenë interes apo edhe mundësi që të sjellin përmbysje në atë vektorin e përgjithshëm të politikës tradicionale strategjike të një shteti ndaj një shteti tjetër”, shprehet ai.

Krisafi thekson se prirja pozitive në marrëdhëniet shqiptaro greke nuk beson se do të ndryshojë me ardhjen në fuqi të qeverisë së drejtuar nga Mitsotakis, dhe sipas tij, kryeministri aktual grek nuk ka as interes të prishë këtë trend marrëdhëniesh dhe të krijojë raport të tensionuar me fqinjin e vet verior, “me një nga fqinjët më të mirë dhe që nuk i ka krijuar kurrë probleme Greqisë”.

Në lidhje me negociatat mes dy vendeve, ai thotë se në dosjen e madhe të problemave shqiptaro-greke duket që prirja është drejt zgjidhjes së disa prej këtyre problemeve.

“Di të them që ka tashmë kanë rifilluar negociatat. Marrëveshja e vitit 2018 u rrëzua si një marrëveshje që cenonte parimet e së drejtës ndërkombëtare, që prekte interesat e Shqipërisë. Kanë rifilluar negociatat dhe duket që po ecin në kushte normale, janë duke vazhduar, nuk janë mbyllur dhe është dëshira ime si shqiptar dhe si pjesë e delegacionit që ato të kurorëzohen me sukses, që secila palë të marrë atë që i takon duke u mbështetur në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, barazia e palëve, mos ndërhyrja në punët e brendshme, interesi reciprok dhe respektimi i tërësisë territoriale”, thekson Krisafi.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018, Shqipëria dhe Greqia filluan zyrtarisht negociatat mes tyre për çështjet e hapura mes dy vendeve. Që nga ajo kohë, janë mbajtur disa takime dhe raunde negociatash, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare, por edhe për çështje të tjera.

“Marrëveshja e Prespës, e rëndësishme për të gjithë rajonin”

Ish-kryediplomati i Shqipërisë, Milo, Marrëveshjen e Prespës e konsideron një marrëveshje shumë të dobishme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, por për të gjithë rajonin.

“Është një marrëveshje që është pritur mirë në Evropë, por edhe më gjerë, një marrëveshje që është vlerësuar si faktor stabiliteti në Ballkan. Për rrjedhojë unë mendoj se qeveria e re e Mitsotakis pavarësisht nga deklaratat që ka bërë në kohën kur është ndodhur në opozitë nuk do të shkojë kundër mendimit të përgjithshëm pozitiv rreth kësaj marrëveshjeje, por do të përpiqet që t’i çojë më tej marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, tha Milo.

Edhe Prof. Dr. Krisafi për Marrëveshje e Prespës thotë se kjo marrëveshje është një arritje e rëndësishme, doemos për Maqedoninë e Veriut, për Greqinë, por edhe për fqinjët, sepse sipas tij eliminon një vatër, një rajon ku ka probleme të pazgjidhuara.

Ai shton se tashmë ky problem mund të konsiderohet i zgjidhur dhe i kapërcyer. “Nuk ka as një interes që Greqia t’i kthehet një çështjeje që u zgjidh me vullnetin e një shumice të caktuar politike. Madje edhe nga pikëpamja juridike, po të duam t’i rikthemi kësaj çështjeje do të duhen të ndërmerren veprime të tilla saqë do të jenë vështirësisht të kapërcyeshme për t’iu kthyer mbrapsht kësaj historie”, tha ai.

Krisafi, deklaratat e kryeministrit aktual grek, në kohën kur ishte në opozitë, në lidhje me Marrëveshjen e Prespës i konsideron deklarata elektorale të cilat sipas tij bëhen ndonjëherë edhe për qëllime caktuara elektorale dhe që nuk “merren seriozisht as nga ata që i bëjnë as nga ata që i dëgjojnë”. “Unë do të doja që këta dy popuj fqinjë ta konsiderojnë këtë çështje të mbyllur dhe mos t’i rikthehen më për të hapur probleme të tjera”, përfundon Krisafi./AA


360grade.al


Bajatllëk, mjerim dhe një Gjithollog për KM!…

Të tjera