» Basha u jep ‘OK’ kryebashkiakëve të djathtë për të mos lënë zyrat. Ademi, Mziu e Kapllanaj, takim me …

Basha u jep ‘OK’ kryebashkiakëve të djathtë për të mos lënë zyrat. Ademi, Mziu e Kapllanaj, takim me …

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të mbështesë vendimin e kryebashkiakëve të djathtë për të mos lëshuar zyrat për të zgjedhurit e PS-së në procesin e 30 qershorit

Garancinë kryebashkiakëve të djathtë, kryedemokrati po ia jep në takimet që po zhvillon në të gjitha këto njësi vendore. Pasditen e së enjtes, Basha zhvilloi takime me Kolegjin e Kryetarëve dhe kryebashkiakët e opozitës, të cilëve u kërkoi angazhim maksimal në vijimin e aksionit për rrëzimin e asaj që demokratët e konsiderojnë si farsa e 30 qershorit.

Më herët, në një takim me strukturat e PD-së në Bashkinë e Selenicës, e cila drejtohet nga demokrati Përparim Shaneti, Basha e garantoi kryebashkiakun se do të jetë në detyrë derisa të zhvillohen zgjedhje të rregullta. “Kryetari legjitim i Bashkisë së Selenicës është Përparim Shameti dhe ai do të jetë në këtë pozicion derisa në vend të mbahen zgjedhje të rregullta e demokratike, në të cilat ai do të rikonfirmohet si kryebashkiak i Selenicës”, u shpreh Basha.

Duke e vlerësuar bojkotin që shqiptarët i bënë zgjedhjeve të organizuara nga PS si një përgjegjësi të lartë për Partinë Demokratike, kryetari i opozitës theksoi se shqiptarët duan një ndryshim të vërtetë. “85 për qind e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin. Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30-vjeçar. Ne nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama të mos përsëritet më kurrë”, deklaroi kreu i PD-së.

DENONCIMI

Denoncimet e përditshme nga selia blu të parregullsive që ndodhën në 30 qershor kanë për qëllim jo vetëm denoncimin e procesit, por edhe njohjen e faktorit ndërkombëtar me paligjshmëritë që shoqëruan zgjedhjet. Por krahas kësaj, kryebashkiakët e opozitës kanë kërkuar takime me ambasadorë të vendeve të BE-së në Shqipëri dhe të ngarkuarën me punë të SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Pas letrës së hapur dërguar selive diplomatike, kryetarja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Voltana Ademi, ka kërkuar takime individuale edhe me diplomatët e huaj. Dy ditë më parë, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, së bashku me kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, dhe kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron Kapllanaj, janë takuar me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo. Gjatë këtij takimi, kryebashkiakët e djathtë kanë denoncuar gjithë parregullsitë e konstatuara në 30 qershor, por edhe faktin se asnjë prej të zgjedhurve të PSsë nuk ka arritur të marrë më shumë vota se numri i votave të marra prej tyre në 2015-n.

ALTERNATIVA

Krahas vendimit për të mos lëshuar zyrat në bashkitë e drejtuara nga opozita, Lulzim Basha ka nisur të prezantojë në të gjithë takimet e tij alternativën qeverisëse të Partisë Demokratike. Në takimet e zhvilluara në Qarkun e Vlorës, Basha solli në vëmendje propozimet kryesore konkrete të paketës së PD-së për biznesin e vogël. “Klasifikim si biznes i vogël për xhiro nën 140 milionë lekë të vjetër në vit. 0.5% taksë e xhiros vjetore si e vetmja taksë për biznesin e vogël. Ulje e çmimit të naftës me 300 lekë për litër. Ulje deri në 20% e çmimit të energjisë”, theksoi kreu i PD-së.


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/ Çfarë e nervozon Ramën? Çfarë e tremb?!

Të tjera