» Videoeditoriali i Zhejit/ 30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Videoeditoriali i Zhejit/ 30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Nga Artur ZHEJI

Votohet me 30 Qershor. KQZ, një institucion, që nuk ka të ngjashëm në Perëndim, krejtësisht një sajesë politike, bëri sikur rrëzoi Dekretin e Presidentit Meta.
Do shkohet pra në votime farsë dhe BD-ja e Astrit Patozit, që ka kritike veç për Bashën, asgjë që mbahet mend për qeverinë, mund të bëhet, ose më saktë mund të shpallet, me vendim kryeministror, partia e dytë në Shqipëri.
Shumëkush e kupton se ç’po ngjet në të vërtetë, disa ndërkombëtarë, të dukshëm dhe të padukshëm, janë aksionerë të mirëfilltë, në politikën e qeverisë Rama2.
Dikur Lenini në Tetor, në kohën e Revolucionit të madh sovjetik të vitit 1917, në ish Rusinë Cariste, shpalli nismën “historike”: Të gjithë pushtetin Sovjetëve!
Domethënë, të gjitha pushtetet bolshevikëve, duke shpallur kështu, fundin e çdo pluralizmi në ish Rusinë cariste dhe krijimin e Diktaturës së parë të Kuqe në botë. Bashkimin Sovjetik, një shtet komunist, me një parti udhëheqëse që u kushtoi rusëve 7-8 milionë njerëz të vrarë, të internuar apo të zhdukur. Ky eksperiment u bë edhe në Shqipëri në vitin 1946, 29 vite pas Revolucionit të Tetorit. Dhe kjo diktaturë mbijetoi deri në vitin 1991, duke prodhuar një mjerim të madh te shqiptarët.
Tani, po shkojmë aty ku ishim. Të gjitha pushtetet Partisë Socialiste!
Le të fshihet pra, nga faqja e Dheut, vullneti i 500-600-700-800.000-1.000.000, votuesve të Opozitës së Bashkuar, që do të mbeten jo të përfaqësuar, më 30 Qershor 2019.
Kjo është një sfidë e shëndetëshme, një dhuratë e këtij kryeministri dhe e disa ndërkombëtarëve të dukshëm e të padukshëm në Shqipëri.
Personalisht më pëlqen, sepse është një super situatë. “Thanks Edo”, që e theve monotoninë e politikës shqiptare, sepse edhe miku Kujtim Gjuzi, do ta ndërrojë përshtypjen prej “ish peçi”, që kishte pas patur, për ty, në të ritë e tu. (“Peç”, në gjuhën e sotme të të rinjve, domethënë “qulls” dhe “çun mami”)
“E Kuqja do fitojë!”, edhe Shqipëria le të bëhet edhe njëherë e Kuqe si dikur, se vërtet, estetikisht na kish marrë kaq shumë malli… Them, që ditën e Zgjedhjeve, më 30, mos harro altoparlantët me këngë partizane dhe me këngë ndërtimtare buçitëse si dikur 29 vite më parë, se na kujton rininë dhe jetën tonë të bukur socialiste që kemi humbur…
Jepi Edo, merrja këngës edhe ti: “Ti Shqipëri s’ke pleqëri, ohej!”, apo “Le të buçasë jehona dhe le të tunden malet tona!”…


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera