» Rregullat e reja/ Si del në pension pa mbushur moshën e parashikuar me ligj

Rregullat e reja/ Si del në pension pa mbushur moshën e parashikuar me ligj

Të gjithë personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension ple­qërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension.

Ky pension mund të përfitohet vetëm kur qytetari nuk kryen më një ve­primtari ekonomike si i punësuar, punëdhënës, ose i vetëpunësuar.

Për të përfituar pension para kohe duhet të plotësohen këto kushte: Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbush­jes së moshës së daljes në pension; nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar.

Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të mua­jve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit.

Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj.

Shembull: Nëqoftëse një përfi­tues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 X muaj që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6%, që është koeficienti i miratuar).

 Dokumentat 

Instituti i Sigurimeve Shoqërore prej janarit të 2019-së ka ndryshuar dokument­acionin që kërkohet për të marrë pensione pleqërie, apo pension para se të mbushni moshën.

Ja dokumentat që duhen: Së pari, dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin: – Fotokopje e kartës së identitetit; – Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në çertifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe çertifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijet që nuk figurojnë në çertifikatën e gjëndjes familjare; – Vërtetim nga Komuna/Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit; – Vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin. – Dy fotografi.

Së dyti, duhen dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës: – Libreza e punës; – Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; – Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore; – Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse periudha e punës nuk provohet me dokumente zyrtare); – Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj); – Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët; – Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe reabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe: – Vërtetim i gjendjes gjyqësore; – Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik; – Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë; Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë. Po kështu, kërkohen edhe dokumentat që vërte­tojnë të ardhurat e realizuara: – Vërte­tim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994); Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive./Shqiptarja.com


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/Pse vuan Rama? Ai ka gjithçka! …

Të tjera