» DOKUMENTI/ Hyrja në Dibër: “Shtabi komunist ekzekutonte pa gjyq … Partizanët u lëshuan si bisha mbas vjedhjes”

DOKUMENTI/ Hyrja në Dibër: “Shtabi komunist ekzekutonte pa gjyq … Partizanët u lëshuan si bisha mbas vjedhjes”

Dokumenti që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, relatori i të cilit nuk dihet zyrtarisht, përshkruan aktet vandale të partizanëve pas marrjes së Dibrës, plaçkitjet e depove dhe zyrave shtetërore nga kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar, Abdi Golja gjatë 10 ditëve që qëndroi në krye të këtij Këshilli dhe fshehjen e vjedhjes prej 46 mijë frangash, të dhëndrit të tij, Xhavid Kaba. Raporti përmend edhe ekzekutimet pa gjyq që kryente shtabi komunist, gjatë kësaj periudhe.

Kur kapitulloi Italia, divizionet e saj në Dibër u vunë nën Komandën e Lartë Aleate të Orientit të Mesëm dhe u shoqëruan nga kapiteni anglez i forcave aleate dhe partizanët e çetës së Haxhi Lleshit, për në Burrel, e më pas në Milot, për të penguar rrugën e forcave gjermane që mund të vinin nga Shkodra në Tiranë. Në këtë kohë, siç shkruhet në një “Relacion për Veprimtarinë e Këshillit Nacional Çlirimtar të Dibrës dhe Komandës së Shtabit të batalionit të komanduar prej Haxhi Lleshit”, partizanët e grumbulluar në Dibër, u lëshuan në vjedhje dhe plaçkitje të ndjekur edhe nga popullsia e qytetit, tashmë të mbetur pa kontroll.

haxhi-696x906

haxhilleshi-737x1024

Më 8 shtator 1943, një ditë mbas kapitullimit të Italisë, një kapiten anglez me mision organizimi pranë çetës së Haxhi Lleshit të shoqnuem nga 25 partizanë, Esat Ndreu, N/komandant i Shtabit, Qazim Prishtina, Komisar Politik, Ahmet Jegeni, Komisar Politik dhe Sulejman Toptani, përkthyes i anglishtes, vinte nga afërsinat e Zerqanit dhe drejtohej për në kazermat e divisionit Firenze (41) ku mbas një bisedimi që pati me Gjeneral Piçini, Komandant i Fanterisë Divizionale bien dakord që njësitë e Divizionit të viheshin në komandën e divizionit të Komandës së Lartë Aleate të Orjentit të Mesëm (Afrikës Veriore). Divizioni do të ngelte i armatosur ashtu sikur ish, vetëm se armatimin dhe materialin e tepërt do ta vinin në dispozicion të fuqive partizane që sa kishin hyrë në Dibër.

Aty kah ora 19.00 e 8 shtatorit ’43, mbasi kishin mbërrit edhe forcat e dislokueme nëpër Prefekturat e N/prefekturat Rekë, Gostivar, Kërçovë dhe Tetovë, si dhe në Peshkopi me përjashtim të një batalioni fanterije me qëndrim në Strugë, Divizioni komplet me armatim, material dhe ushqim rezervë u nis për në Burrel e prej këndej do të vazhdonte rrugën e Milotit, ku aty do të zinte pozicion në fortifikatat e bame dhe donte që të pengonte rrugën e forcave gjermane që eventualisht mund të vinin nga Shkodra për në Tiranë.

Me largimin e divizionit filloi vjedhja në të gjitha anët e qytetit sidomos nëpër kazerma. Komanda e Shtabit Komunist, tue mos pasun eksperiencë nuk qe në gjendje që të rivendosë rregullin kështu që vetë partizanët u lshuen si bisha mbas vjedhjes e këto ma vonë i pasoi një sasi e madhe e popullit.

Kryetarët e çetave komuniste nuk mundën që të mbajshin depot e paprishuna e magazinat që ushtria italiane i kishte lanun mbasi nuk ishte mjete. Mbrapa lëshojti ushtarët e kuq që të vjedhshin ç’të gjejshin e me anë të mjeteve që disponojshin si automjete të sekuestrueme, e kuaj, e mushka, i dërgojshin sendet e vjedhuna nëpër shtëpitë e veta. Aty para mesnate gjithnjë në datën 8 shtator, partizanët tue dashtë me pa ma mirë materialin që kishin nëpër magazina, aksidentalisht u dhanë zjarrin disa ndërtesave, zjarr që shkaktoi plasjen e një sasie të madhe eksplozive. Më datën 9 në ndërtesën e Prefekturës së Dibrës u mblodhën disa nga parija e qyteteve dhe nëpunësve të shtetit dhe oficera të xhandarmërisë si kapiten Qazim Shllulli, kapiten Andrea Botka, Josif Gjindi, Rexhent i Kuesturës dhe Zavendës Prefekti, Muzafer Kallajxhi, Inspektor i Bujqësisë, Abdi Golja, intendent i Financës, Edip Tershana, Zv.Inspektor i Arsimit, Sulejman Baholli, etj.

Këtë mbledhje e kryesonte N Komandanti i shtabit komunist Esat Ndreu tue pas pranë dhe Komisarin politik, Njazi Islami ish ndihmës përçuesi. Në këtë mbledhje u bisedue formimi i një këshilli N.Ç; rivendosja e rregullit e qetësisë si dhe masat që duhet të merrte shtabi i partizanëve kundra sulmevet eventuale të ushtrisë gjermane. Si kryetar këshilli u zgjodh Abdi Golja, me anëtarë: Sylejman Baholli, Haki Shehin, Musa Mulla, Shaban Strazimiri, Myzafer Kallajxhi, Edip Tërshana dhe komisar politik Njazi Islami përfaqësues i shtabit komunist pranë këtij këshilli, i cili kishte faktet me imponue vendimin dhe me ndryshue.

Këshilli i kryesum prej Abdi Goles qëndroi në fuqi vetëm 10 ditë pse nuk qe kapabël me rivendosë rregullin dhe qetësinë bile vetëm kryetari i këshillit në marrëveshje me Dan Koloshin, ngarkojshin kamjona me ushqim e materjal për në Kastriot. Abdi Golja tue ditë se tregtarët e nëpunësat të drejtuem nga drejtësia e mjaftueshme, thirri nëpunsin e ngarkuem nga E.N.N.S që të dorëzonte çelësat e të përfitonte tue vue dorë mbi të gjitha sendet. Këtë deshti ta bënte për dy arsye 1) që të humbte gjurmat e vjedhjes 46000 Fr.Shq. nga ana e Xhavid Kabës, ish ushtrues i tregtores dhe dhandërr i Abdiut, që këshilli e Shtabi mos të vihesh në dijeni të sendeve ushqimore që ishte ngarkue nga Perfekti. Me kontrollue herë mbas heret gjestorin e shtabit, ia refuzoi dhanien e çelësave, kështu që këshilli dhe shtabi ranë në posedim të çelësave vetëm mbas largimit të tij. Gjatë 10 ditëve kohë, që Abdi Golja kryesonte Këshillin N.Ç., u vodhën krejt materiali e armatimet e sendet ushqimore që ndodheshin në gazermat e divizionit Italian ashtu dhe gjithë mobiliet e zyrave shtetnore e parashtetnore. Aktet e këtyne zyrave u përdorën për mbledhje sendesh nga ana e tregtarëve e kasapëve.

Abdi Golja me një bisedim që pati me oficerin anglez mujti me tërhjekë gjoja për ndihmë të këshillit që kryesonte, 40 napolona ari, një divizë ushtarake të cillën e veshi. Shumën e të hollave e përvetësoi. Abdi Golja tre-katër ditë para se të kapitullonte Italia, drejtoi dhandrin e tij, Xhavit Kabën, që të largohej nga qyteti. Xhavidi sikur thamë ma sipër, ish ushtrues i tregtores ushqimore dhe nuk i kishte dhanë ndonjëherë llogari E.N.N.S. për sende ushqimore të shituna. Procesverbalet e komplikuem nga ana e Prefekturës së Dibrës me rastin e largimit të Xhavitit ndodhen edhe sot pranë E.N.N.S. i cili ende sot nuk i ka kërkue llogari. Mbasi Komanda e partizanëve, anëtarët e Këshillit N.Ç. dhe mbarë populli nuk u kënaqën me veprat e Adi Goles, ia raportuen çështjen oficerit, i cili kërkoi që të zgjidhej një kryetar tjetër.

———————-

Kështu drejtuesat komunistë përfituan nga rasti dhe afruan plakun e urtë Sheh Latifin nga katundi Gjoricë, Dibër. Vetëm në këtë mënyrë do të mujshin me përfitue simpatinë e popullit dhe të besimtarëvet. 6 ditë pas ardhjes së partizanëve, u pa një farë partizani Temko, Svetozar Vukmanoviç Tempo, oficer komunist malazez dhe simbas partizanëve ishte Nkomandanti I Shtabit Komunist Ndërballkanik  I cili mblodhi një herë këshillin e N.Ç Shtabin e mbas një përshkrimi të luftës propozon ngritjen e flamurit maqedon në Dibër tue thënë se këtu ka minoritet maqedonas. Propozimi I Tempos përkrahet nxehtësisht nga Sulejman Baholli dhe nga një maqedonas. Pas tij flet Edip Tërshana I këshillit N.Ç I cilli kundërshtoi energjikisht ngritjen e flamurit maqedonas. Muzafer Kallajxhiu plotëson me argumente protestën e Edip Tërshanës. Bisedim zgjati më se dy orë dhe përfundon në mosngritjen e flamurit maqedonas.

Në Dibër erdhën edhe një sasi trupash komuniste malazeze të cilët morën rojën e gazermavet mbasi partizanët e Haxhi Lleshit ishin lëshue mbas vjedhjes.

Mbasi edhe sheh Latifi dha dorëheqjen shtabi komunist nuk u kënaq dhe e zëvendësoi këtë me Haki Stërmillin i njoftun për veprimtarinë e tij komuniste.

Shtabi si bashkëpunëtorë dhe me ide thjesht komuniste kishte Sulejman Bahollin, Haki Stërmillin e Musa Mullanë të cilët ishin anëtarë të këshillit N.Ç. Sulejman Baholli me gjithë Haki Shehin, dhe ky i fundit anëtar i këshillit, bajshin pjesë edhe në shtab përsa i përkiste vendimeve të dënimeve me vdekje (ekzekutimeve). Komanda partizane për me ba që i gjithë populli i Dibrës të ishte i bindur ndaj urdhrave, arrestoi tre vetë dhe i akuzoi si spiunë, mbasandej i dënoi me vdekje, por përpara se të kryhej ekzekutimi ia referoi bazës e cila kërkoi faljen e tyre, në këtë mënyrë mujti me rekrutue të gjithë të rinjtë e qytetit dhe formoi bataljonin e rinisë të cilin e nisi për Kërçovë, qytet në të cilin valonte flamuri maqedonas bri tonit. Shaban Strazimiri, major i ushtrisë së rregullt shqiptare dhe komunist me ndjenja të flakta, së bashku me Haxhiun drejtonte veprimet ushtarake dhe mbante drejtimin si Komandant i Dibrës. Haki Shehi me gjithë hajdutllëqet që kishte ba gjatë okupacionit italian mbërriti me u emërue anëtar i këshillit N.Ç. Vjedhjet e tij janë këto për të cilat ka dijeni Mustafa Shashaj, ish-inspektori i Ministrisë së Industrisë e Tregtisë gjithashtu faktet mund të rezultojnë në arshivën e Ministrisë së sipërme dhe në Komisariatin e Lartë të Nazullimeve. Hakiu me anën e kushëririt të tij, Musa Shehu, që ishte grosist I sendeve ushqimore, i sendeve të racionueme dhe I lëndës djegëse për qytetin e Dibrës, ka vjedhur 170 kv miell gruri, 40 kv oriz, 37 kv.sheqer, 40 kv vaj të ngrënshëm për veç spekullimit që bante në lëndët djegëse. Në këtë vjedhje në kurriz të popullit dyshohej të jetë implikue edhe Mustafa Shashaj, por si kur të pyetet dyshoj se do të jepte spjegim për heshtjen që banin mbas inspektimit.

Sa për luftën që plasi në Peshkopi midis nacionalistëve dhe partizanëve mund të japim hollësina më shumë midis Kryetarëve Nacionalista Dibranë, të cilët sot kanë pozita në departamentin shtetnuer dhe disa njerëz politikë me përgjegjësi.

Mbas hyrjes së gjermanëve në qytetin e Dibrës, me urdhrin e Ministrisë së Brendshme, Abdi Golja u emnue si Z.Prefekt dhe për me justifikue vjedhjen e dhendrit të tij, Xhavit Kaba, i paraqiti E.N.N.S. një dëftesë gjoja të lëshuar nga partizanët. Letra në krye mban këtë moto: Vdekja e Fashizmit Liri Popullit dhe në fund Komandanti i Bataljonit N.Ç. Haxhi Lleshi. Kjo dëftesë është e shoqnueme nga një letër përcjellë Prefekturës së Dibrës me firmën e Abdi Goles, por në ekzaminimin e firmës së Haxhi Lleshit bamë nga një nacionalist që e njef mirë firmën, rezulton të jetë krejt false për sikur sa thamë edhe më sipër Xhavidi u largua bashkë me Abdiun pa derdhë një cent në arkën e shtabit.”/Kujto.al/


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit: “Rama, grusht Shteti?!”

Të tjera