» Video/“Një gazetar i huaj erdhi këtu dhe na bëri gjëmën …”/ Lala flet për përgjimet: Do doja të isha unë ‘pronarja’ e tyre … pse më bindi Peter Tiede

Video/“Një gazetar i huaj erdhi këtu dhe na bëri gjëmën …”/ Lala flet për përgjimet: Do doja të isha unë ‘pronarja’ e tyre … pse më bindi Peter Tiede

Gazetarja e News24 Klodiana Lala ka qenë e ftuar në rubrikën “Opinion” sot për të folur për çështjen e përgjimeve të prokurorisë për dosjen 339 të publikuara nga gazetari Peter Tiede në gazetën gjermane “Bild”. Lala tha se me deklaratat e sotme, Prokuroria pranoi se ka dyshime për ndikim në zgjedhjet e vitit 2017, çka sipas saj tregon mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Lala tregoi edhe për takimin e saj me gazetarin gjerman, duke sjellë një profil të tijin. Sipas gazetares Lala, nga biseda me Tiede ka kuptuar se kishte burime jo vetëm të besuara por edhe burime të forta, pra njerëz që e mbështesnin.

 

“Dosja ‘339’ tregon fytyrën e vërtetë të shtetit. Nga prokuroria kemi mungesë transparence. Bëhet fjalë për 6 përgjime audio mes Astrit Avdylaj, kreu i grupit në Shijak. Astrit Avdylaj nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare. I arrestuar e dënuar për vrasje në Shijak. Ka bërë disa vite burg dhe ishte liruar nga Gjykata e Lartë.
Përgjimi tregon se Dako ka lidhje të hershme me Avdylajt. Astrit Avdyli ka dijeni për çdo lëvizje që bën Dako. Avdyli flet me vëllain e deputetit aktual të PS, Ilir Draxhi dhe aty vendoset fati i tij. Më pas flet me kreun e PS për Shijakun. Flet më pas me kreun e Ujësjellës Kanalizimeve që të identifikohen ata që mbështesin PD ose demokratët që t’u bëhet presion për të dhënë votën. Më pas kemi votuesit e thjeshtë që pranojnë të japin votën në favor të ryshfetit. Fillimi i hetimeve është që nga 2016 por për këtë grup në 2017.
Prokuroria sot u përpoq ta relativizonte këtë dosje. Ishte media që e vuri në lëvizje. Sot prokuroria është me shpatulla pas murit dhe do t’i duhet të reagojë. Prokuroria po përpiqet të shpjegohet se kemi një grup hetimor që po përpiqet të zbardhë përgjimet.
Kushdo që i ka nxjerrë këto përgjime do t’i duhet t’i themi faleminderit sepse Peter tregoi se aty po bëhej një maskaradë e vërtetë.
Kemi dy vite që themi reformë në drejtësi, sot kemi prokurorë të nënshtruar. Kemi prokuroren Prela që fle mbi dosjet e krimit”, deklaroi gazetarja Lala.

Ajo rrëfeu më tej takimin në Tiranë me gazetarin gjerman, për të cilin tha se kishte zhvilluar në Tiranë takime të shumta gjatë investigimit të tij.
“Po e kam takuar. Unë kam rënë në kontakt me Peterin, ma ka lejuar vet që t’i thërras me emër. Unë kisha një bisedë të gjatë sot paradite me të. Sigurisht unë e urova për shkrimin sepse unë jam edhe vetë gazetare dhe do kisha preferuar të isha unë ‘pronarja’ e këtyre përgjimeve. Në një farë mënyrë duhet ta pranoj publikisht se e kam xhelozuar një moment se si një gazetar i huaj erdhi këtu dhe na bëri gjëmën, na bëri të pafuqishëm. Jam kontaktuar përmes një avokati para një muaji e gjysmë, i cili më kërkoi një takim dhe më tha se ka ardhur një gazetar gjerman, i cili do të kontaktojë sikurse kishte takuar dhe shumë të tjerë pro specifikisht për disa çështje që ju keni mbuluar, siç kishte të bënte me trafikimin e drogave të forta, shitblerjen e votës, pastrimin e parave etj. Në fakt gjëja e parë që kam bërë pasi kam marrë emrin, kam kontrolluar me ato mundësitë e mia se kush ishte ky njeri.

 

Më bëri përshtypje, se ishte një nga ata gazetarë që kishte mbular zonat e nxehta dhe në vendet arabe, kishte mbuluar çështje të ndryshme dhe shfaqte interes që ta takoja. Kemi lënë një takim përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Jemi takuar në prani të avokatit i cili flet gjermanisht, pra duhej një përkthyes. Kam kërkuar dhe ndihmën e një mikeshe time për të më përkthyer nga gjermanishtja dhe me thënë të drejtën e kam thënë edhe më herët që më ka surprizuar për informacionin që dispononte për krimin e organizuar në Shqipëri. Me sa kam biseduar me të më bindi. Kam dhënë një intervistë të shkurtër me 2-3 pyetje. Pyetja që më irritoi në pamje të parë dhe unë kam debatuar me të, më pyeti: Klodiana a qeveriset Shqipëria nga mafiozë? I thashë jo dhe përgjigjja instinktivisht ishte jo. Më tha pse jo, se unë kam rekorde që ma dëshmojnë këtë gjë.

Thashë, fakti që mund të jenë disa njerëz të përfshirë nuk mund t’i përgjithësojmë të gjithë por megjithatë edhe media shqiptare me mundësitë që ka, ka arritur të ekspozojë dhe nxjerrë në pah përgjime për grupe kriminale, për lidhjet e krimit me politikën, të denoncojë krime të caktuara. Aty kemi biseduar për emra të caktuar, për grupe kriminale, për politikanë me emra nominalë për të cilët Peter Tiede kishte informacion të detajuar për ta për çështje që kishin të bënin me trafikimin e drogave të forta, për pastrimin e parave, me çështjen e shitblerjes së votës. Ai ka shkuar edhe në veri të vendit. në dijeninë time ai ka shkuar dhe ka bërë një investigim që ka të bëjë me kultivimin e kanabisit.

Nuk di të them a ka materiale të tjera, se nuk dua ta cenoj punën e tij. Pyetja që më erdhi si gazetare, ishte po burimet e tua. Doja të mësoja diçka rreth njerëzve që e kishin ndihmuar. Ai më tha se ne të dy jemi gazetarë dhe e kuptojmë shumë mirën jeri-tjetrin. Burimet nuk mund t’i tregoj por më la të kuptoja që kishte burime jo vetëm të besuara por edhe burime të forta, pra njerëz që e mbështesnin dhe ai ishte i sigurt në të gjithë gjënë që po bënte dhe investigimet që po bënte. Se në fakt kur doli shkrimi i parë, pata një lloj ndjesie po ne të gjithë mund të bëjmë shkrime të tilla, ta quajmë Shqipërinë një vend gangsterësh sepse nuk kishte dokumente që e shoqëronin dhe sa herë nuk ka dokumente palët politike janë të prirua për ta relativizuar, dmth është një gazetë bulevardeske etj, etj.

Por më pas kur ne biseduam, ai më bindi dhe vijoj të kem po atë bindje që pata kur e takova. Ai ishte i shoqëruar bashkë me operatorin e tij, me të cilin punonte prej 3 vitesh dhe ishin bërë bashkëpunëtorë shumë të ngushtë. Në mos gabohem, Peter më ka thënë që nga Shqipëria do të largoheshin drejt Rusisë, atje ku do shkonte për të realizuar një tjetër investigim, për të cilin në fakt nuk kisha interes për sa kohë nuk përfshihej Shqipëria. Ky është profili i gazetarit, në moshë diku rreth 45 vjeç. Realisht më bindi, më ka surprizuar për gjithë informacionin që dispononte. Më pas ka pasur një gamë takimesh që i ka mbyllur në harkun e 5-6 ditëve”, deklaroi Lala.


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit: “Rama, grusht Shteti?!”

Të tjera