» Si po e përdor mafia Milanon për të pastruar para

Si po e përdor mafia Milanon për të pastruar para

I njohur si kryeqyteti i modës dhe qendër shumë e rëndësishme financiare për Italinë, Milano është e njohur për baret dhe restorantet luksoze.

Por shumë prej këtyre bizneseve mund të jenë duke u përdorur për pastrim parash nga mafia. Siç raporton “Panorama.it”, në relacionin e fundit të dërguar në Parlament në shkurt të këtij viti, Drejtoria Investigative Antimafia (DIA), në kapitullin për rajonin e Lombardisë, pjesë e të cilës është Milano, evidenton 507 tentativa për grabitje, 30 praktika të dhënies së parave me fajde dhe 381 raste të pastrimit të parave, me investime të konsiderueshme në biznese dhe institucione tregtare. Kjo e ka alarmuar prokurorinë e Milanos.

Baret dhe restorantet elitare, ndër të cilat “Unico”, pas të cilit dyshohet se qëndron Ndragheta kalabreze, tërheqin një klientelë të pasur: njerëz të famshëm, sportistë dhe biznesmenë. “Kjo shërben për të krijuar rrjetin që pasuron akoma më tej grupet kriminale”, thotë Alessandra Dolci, zëvendësprokurore dhe drejtuese e Drejtorisë Antimafia në Milano.

Por ajo që shihet me shqetësim është fakti se numri i bareve dhe restoranteve që janë mbyllur nga prefektura për këto dyshime ka ardhur duke u rritur. “Në vitin 2017 kishte 11 raste, por vitin e kaluar ato u rritën në 14, dhe për 3 muajt e parë të 2019-s tashmë janë nëntë raste. Dhe thuhet se në tryezën e prefektit ka rreth 50 urdhra që presin të firmosen”, thuhet në shkrim.

Megjithatë, jo gjithmonë mafia fshihet pas restoranteve luksoze. Në vitin 2018, për të njëjtën arsye u mbyll edhe një disko dhe një farmaci historike.  E gjetur para një situate të tillë, Komuna e Milanos është detyruar të marrë masa. Hapi i parë ka qenë një plan antimafia, në bashkëpunim me prefekturën.

Por pengesë mbetet një vendim i vitit 2011 i qeverisë “Monti” për liberalizmin e tregtisë, i cili i ka anuluar licencat për bizneset dhe i ka zëvendësuar me lejet SCIA (Sinjalizim i Certifikuar për Nisje Aktiviteti).  Siç duket, nga kjo lëvizje ka përfituar edhe kush nuk duhej: krimi i organizuar. /Tema


360grade.al


30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Të tjera