» Thaçi: Korrigjimi i kufijve i nevojshëm, do kërkoj përkrahjen e Macron

Thaçi: Korrigjimi i kufijve i nevojshëm, do kërkoj përkrahjen e Macron

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se vazhdon t’i përmbahet idesë së tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Thaçi ka bërë me dije se për konkretizimin e këtij propozimi do të kërkojë përkrahjen e presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë punimeve në Samitin e radhës që do të mbahet më datë 1 korrik në Paris mes liderëve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. “E shoh si të nevojshëm një korrigjim kufiri, pa e prekur asnjë centimetër të Republikës së Kosovës. Jam për korrigjim, jo për shkëmbim, dhe këtë ide do ta prezantoj në Paris.”- është shprehur Thaçi në një dalje publike.

Ideja për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën është artikuluar nga kreu i shtetit të Kosovës, edhe në një intervistë të dhënë së fundmi për prestigjozen gjermane “Der Spiegel”, ku është pyetur lidhur me çështjen e korrigjimit të kufijve me Serbinë. “Kjo kurrë nuk ka qenë ide e imja, por ashtu disi u krijua. Sidoqoftë, unë do të doja që zonat e banuara me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapur, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër. Atje shqiptarët diskriminohen nga serbët.”- ka shpjeguar Thaçi.

Ndërkaq, Thaçi zhvilloi një takim me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së ditës së djeshme në Tiranë, me qëllim unifikimin e qendrimeve në Samitin e Parisit. “Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit.”- shkruante Thaçi në një postim në llogarinë e tij personale në “Facebook”.


360grade.al


30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Të tjera