» Apel krerëve të shtetit dhe amb. të BE/ Artan Fuga denoncon me emra: Ndal shkatërrimit të parlamentarizmit për të kryer puç në Akademinë e Shkencave

Apel krerëve të shtetit dhe amb. të BE/ Artan Fuga denoncon me emra: Ndal shkatërrimit të parlamentarizmit për të kryer puç në Akademinë e Shkencave

Akademiku i njohur Artan Fuga i është drejtuar me një letër publike krerëve të shtetit dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë, duke kërkuar ndalimin e puçit institucional siç e konsideron ai nga ana e komisionit parlamentar të Medias dhe mjeteve të informimit publik për të zgjedhur kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave.

Reagimi i plotë i Artan Fugës: 

Ndal shkatërrimit të vlerave të parlamentarizmit në Shqipëri!

Në vëmendje të :

Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta

Kryetari të Këshillit të Ministrave, z. Edi Rama

Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi

Kryetarit të opozitës politike, z. Lulzim Basha

Kryetarit të delegacionit të BE në Tiranë, shkëlqesisë së Tij, z. Luigi SORECA

———–

Përpara opinionit publik të vendit, veçanërisht komunitetit shkencor, universitar, intelektualëve, teknicienëve, artistëve, studentëve, me përgjegjësi dhe ndërgjegje qytetare denoncoj me zë të lartë praktikat krejtësisht antidemokratike, jo transparente, dhe në kundërshtim me ligjet, me Kushtetutën dhe me të drejtat e qytetarit që ndjek shurdhërisht  Komisioni i Edukimit dhe i Mjeteve të Informimit i Kuvendit të Shqipërisë.

Eshtë detyra Juaj të reagoni duke mos u pajtuar me farsën që po luhet atje, duke nisur nga data 10 maj 2019, kur në atë Komision u organizua jashtë çdo standardi demokratik dëgjesa e një grupi deputetësh, me koordinatore qytetaren Eglantina Gjermeni, lidhur me një projektligj për gjoja reformimin e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë. Kjo farsë ka vazhduar edhe ditët në vazhdim e deri më sot.

Nga ndjekja nga afër e asaj që po ndodh në atë Komision konstatoj hidhërueshëm një shkatërrim të vlerave të parlamentarizmit që më paraqiten si pasojë e trafiqeve politike dhe interesave që nuk kanë asnjë lidhje me interesin publik, por u shërbejnë ruajtjes të privilegjeve dhe uzurpimit të Akademisë të Shkencave, si edhe të vijnë prej presionit që ushtrohet nga forca të caktuara kundër shkencës dhe dijes kombëtare.

Parlamentarizmi shqiptar merret nëpër këmbë pikërisht në Kuvendin e Shqipërisë – konstatoj me dhimbje – nga deputetë që sillen me standarde shumë larg nivelit të përgjegjësive që kanë marrë përpara sovranit!!!

Po rendis faktet!

  1. Në kuadrin e reformës të Akademisë të Shkencave ku u përfshinë edhe Kryeministri si edhe Ministria e Arësimit, kjo e fundit, sëbashku me Akademinë e Shkencave, ranë dakord zyrtarisht që të punojnë bashkarisht për një kalendar reformash. Kjo pasqyrohet edhe në vendimin e Asamblesë të ASH të datës 23 dhjetor 2017, ashtu edhe në urdhërin e ministres të arësimit të datës 16.01.2018. Me anë të këtij dokumenti zyrtar u ngrit edhe grupi i punës kryesuar nga z. Skënder Gjinushi. Sipas këtij kalendari zyrtar hapash ligjore dhe institucionale reformimesh, i ndërmarrë ligjërisht dhe i njohur nga të dy institucionet, përcaktohej si parësore përgatitja e një projektligji për reformimin e Akademisë të Shkencave si edhe e një vargu masash të tjera, si përpilimi i Statuti si edhe i dokumenteve të tjera për të reformuar praktikën e pranimeve në Akademinë e Shkencave.

Por, konstatohet që në vend të respektohej ky kalendar zyrtar, Akademia e Shkencave ka shpallur se në 24 maj 2019, në mënyrë krejt të njëanëshme do të bëjë zgjedhjet për Kryetarin e saj dhe anëtarë të tjerë të kryesisë pa pritur përfundimin e kuadrit ligjor reformues.

Qytetarja deputete që paraqiti projektligjin në Komision, Egnatina Gjermeni, në vend t’i kërkojë llogari z. S. Gjninushi dhe z. Vasil Tole për këtë akt ilegjitim që e fyen dhe merr nëpërkëmbë Kuvendin, e Shqipërisë, i merr në krah duke realizuar një fait accompli të turpshëm dhe një grusht kundër parlamentarizmit shqiptar: Kuvendi të bëjë ligjet që dëshiron, në Akademinë e Shkencave pushteti administrohet jashtë kuadrit ligjor reformues, por sipas vullnetit retrograd të tanishëm! Akademia e Shkencave e ka shpallur veten Republikë më vete!

Ky akt është një tallje me reformën si edhe me vetë Kuvendin e Shqipërisë, në kundërshtim me vendimet e marra ligjërisht, një tentativë e pastër uzurpimi nga ana e një grupi individësh pa asnjë legjitimitet të një institucioni publik si Akademia e Shkencave, pikërisht duke përfituar nga bashkëpunimi, heshtja, konformizmi, ndofta edhe kompliciteti i deputetëve të ndryshëm në Komisionin në fjalë dhe nga radhët e deputetëve propozues të projektligjit.

Në vend që në kushtet e sotme të mos pranojë të dëgjojë askënd nga Akademia e Shkencave, përkundrazi t’i denoncojë përfaqësuesit e saj, sakohë që ky institucion injoron shqyrtimin dhe aprovimin e ligjit reformues nga ana e Kuvendit, ky Komision  fton ose pranon në dëgjesë përfaqësuesit e Akademisë të Shkencave, që veç të tjerash janë pa asnjë status legjitim,

  1. Mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të informimit të Kuvendit e datës 10 maj 2019 u organizua duke mos hedhur dritë, përkundrazi duke mjergulluar me dashje, autorësinë e vërtetë të përmbajtjes të iniciativës ligjore të paraqitur.

Është kjo një iniciativë ligjore e një grupi deputetësh me kordinatore qytetaren deputete Eglantina Gjermeni?

Është ky një projektligj i përpunuar sipas urdhërit të ministres të arësimit që kishte ngritur grupin e punës?

Apo është një projektligj i Akademisë të Shkencave?

Nga autorësia e përcaktuar drejt dhe korrektësisht, sipas Kushtetutës të Shqipërisë, varen edhe procedurat që do të ndiqen në Kuvend për miratimin e tij. Janë norma që i përcakton Kushtetuta dhe nuk mund t’i anashkalojë askush, qoftë edhe dzikush i mësuar me lodra parlamentare!!!

Nëse e quajnë si iniciativë të një grupi deputetësh, sikurse edhe pretendohet, atëhere do të jemi përpara një plagjiature të pastër, etikisht e dënueshme meqë projektligji i paraqitur nga grupi i deputetëve me gojën e qytetares deputete Eglantina Gjermeni nuk është veçse pikë për pikë teksti i përgatitur nga grupi i drejtuar nga Skënder Gjinushi. Komisioni dhe deputetë të ndryshëm të tij bëjnë sikur nuk e venë re këtë fakt djegës, merren vesh mes tyre, dhe shkelin pikërisht kërkesën për të sqaruar qartë se e kujt është inciativa ligjore e paraqitur. Nëse është e një grupi deputetësh atëhere çfarë duan aty përfaqësuesit e Akademisë të Shkencave apo të grupit të Ministrisë të arësimit që marrin fjalën sëbashku me deputetët propozues, duke përjashtuar të gjitha palët e tjera të interesuara, sidomos ato që janë kundër këtij projektligji?

  1.   Komisioni i Edukimit dhe i Mjeteve të Informimit të Kuvendit për asnjë çast nuk u interesua të dijë se në cilat kushte dhe për çfarë arësye të justifikuara grupi i deputetëve propozues paraqesin një tekst të përgatitur nga dikush tjetër, pra përse ka rrëmbyer nga Ministria e Arësimit tekstin e projektligjit të përpiluar nga grupi i saj i punës? A mund të legjitimohet kjo nga ndonjë frazë e hedhur nga qytetarja Besa Shahini, ministre e arësimit të Shqipërisë, në llogarinë saj në rrjetet sociale?

Komisioni as interesohet të dijë nëse ky grup deputetësh ka bërë ndonjë studim ku mbështetet, ka konsultuar palët e interesuara në Akademinë e Shkencave, ka kryer ekspertiza, apo ai e njeh ai qendrimin e opinionit të gjerë të universitarëve të vendit për këtë problem. As nuk iu kërkua përfaqësuesve të Ministrisë të Arësimit, të jepnin llogari se përse një tekst projekligji që duhej përgatitur prej Ministrisë të Arësimit paraqitej në Komision nga një deputete pa asnjë lidhje me çështjen, pa asnjë përvojë dhe referencë të çertifikuar në çështjet e administrimit të kërkimit shkencor në rang teorik dhe institucional sikurse është qytetarja deputete Eglantina Gjermeni!

  1. Por të kishte mbetur deri këtu, përsëri çështja nuk do të kishte arritur në kulmin e injorimit të qëllimshëm të vlerave të parlamentarizmit që ai Kuvend, më tepër se gjithkush, duhet t’i respektojë dhe mbrojë me zjarr.

Në kundërshtim me Kushtetutën grupi i deputetëve propozues nuk e shoqëroi projektligjin me një raport që përligjte shpenzimet që zbatimi i këtij projektligji supozohet se sjell ose nuk sjell.

Këtë e kërkon në mënyrë të qartë pika 1 e nenit 82 të Kushtetutës të Shqipërisë. Kjo kërkesë ka nevojë të respektohet deri në një. Kjo është e qartë për çdo qytetar të Republikës, por nuk paska qenë e qartë as për qytetaren deputete Eglantina Gjermeni, as për drejtuesen e Komisionit (nga “opozita e re”) as edhe për drejtuesen socialiste të Komisionit qytetaren Milva Ikonomi, as për deputetët e tjerë të atij Komisioni, madje as për shërbimet juridike të Komisionit në fjalë.

Presioni i bërë nga personat në krah të propozueses të projektligjit kanë shtyrë në shkelje të rënda kushtetuese! Sikurse janë shkelur me këmbë edhe në etapa të tjera të procesit ligjbërës vlerat e parlamentarizmit dhe demokracisë të brishtë në Shqipëri.

  1. Sipas informacioneve që kam marë nga deputetë të këtij Komisioni, si edhe nga përgjigjet në rrugë zyrtare që janë dhënë, as dëgjesa e parashikuar për personin tim si kritik i projekligjit të propozuar nga grupi i deputetëve nuk u realizua.

Preteksti? Komisioni pretendon se ka ndërprerë dëgjesat sepse duhej ta conte projektligjin e propozuar në qeveri për të marrë miratimin paraprak prej saj nëse nga zbatimi i tij do të ketë ose jo shpenzime shtesë.

Pretekste absurde për të mbytur zërat debatues në Komision.

Kam insistuar duke theksuar se dëgjesa ime në atë komision nuk pengon pritjen e miratimit nga ana e qeverisë për cështjet financiare të projektligjit. Në vesh të shurdhër. Kam kërkuar të di se përse dëgjesa e parë e paraqitjes të projektligjit në Komision nga qytetarja deputete Eglantina Gjermeni, u organizua nga Komisioni pa praninë e palëve që nuk janë dakord me të. Nê vesh të shurdhër!

Komisioni ka përjashtuar debatin si vlerë e parë demokratike parlamentare. Unë akuzoj deputetët e atij Komisioni se më kanë shkelur të drejtat kushtetuese si qytetar duke më diskreminuar për shkak të bindjeve të mia kundër atij projektligji. Këto të drejta nuk m’i ka dhënë as qytetarja deputete Milva Ikonomi, as qytetarja deputete Eglantina Gjermeni, madje askush, pra nuk mund të m’i heqin ato. Këto të drejta i kam sipas nenit 18 të Kushtetutës të Republikës të Shqipërisë. Kushdo që i kundërvihet përgjigjet.

Këto janë vetëm një pjesë e shkeljeve dhe sjelljeve në kundërshtim me vlerat e parlamentarizmit që shpërthejnë në Komision në rastin në fjalë.

Parlamentarizmi shqiptar është në rrezik sepse merret nëpërkëmbë nga vetë deputetët si edhe institucionet shtetrore ku spikasiin deklarimet e qytetares ministre Besa Shahini sipas të cilave ajo synon t’a shkrijë Akademinë e Shkencave, këtë institucion publik në shtetin shqiptar, me institucione të tjera të vendeve fqinje, pa pasur për këtë asnjë mbështetje kushtetuese e as në platformën ligjore të qeverisë!!! E kuptoj ajo se çfarë përgjegjësie kushtetuese dhe ligjore mbart mbi vete?

Nga vijnë këto shkelje? Nuk kuturis të jap përgjigje të prerë. Dyshoj vetëm!

Vinë nga presione lobish jolegjitime dhe me konflikt të pastër interesi?

Vijnë nga trafiqe influencash midis individëve të grupeve me lidhje miqësore, krahinore, mes tyre?

Vijnë si rezultat i syrit të verbër të qeverisë?

Vijnë sepse politika nuk dëshiron një Akademi Shkencash në rolin e vet?

Vijnë sepse pa opozitën në Kuvend, ky forum ligjvënës degradon dhe bëhet një kuvend miqsh e shokësh që marrin nëpërkëmbë cdo ligj e procedurë?

Vijnë sepse drejtueset e Komisionit nuk kanë asnjë kompetencë juridike të mjaftueshme? Vijnë sepse deputetët nuk janë mësuar t’a kenë kulturën demokratike, por veprojnë si toga ushtarake të vendosura në rrjesht?

Vijnë sepse midis politikës dhe grupit uzurpues të Akademisë të Shkencave ka aleanca që burojnë nga interesa të përbashkëta?

Gjithçka mbetet për t’u sqaruar!

Objektivisht ajo që matet me siguri është pasoja. Ndërsa Komisioni stërzgjat dhe pengon dëgjesat, ndërsa dëmton procesin ligjbërës dhe debatin publik, i jep zë grupit që ka marrë në mënyrë joligjore drejtimin e Akademisë të Shkencave për të kryer puçin institucional të zgjedhjes të Kryetarit të Akademisë të Shkencave, kandidat i vetëm, pa rivalë, nuk është tjetër veçse z. Skënder Gjinushi që qytetarja Eglantina Gjermeni, deputete propozuese, kishte në krah! Komisioni nëtë rast bëhet partner me grupin që ka uzurpuar drejtimin e Akademisë të Shkencave kundër Kuvendit, dinjitetit dhe funksioneve të tij.

Gjithsesi të nderuar drejtues të Republikës të Shqipërisë unë kërkoj të vini dorë për të rikthyer vlerat dhe rregullat proceduriale të parlamentarizmit në atë Komision të Kuvendit të Shqipërisë. Si edhe të vihen në vend dhe të respektohen të dreztat e mia si qytetar. Madje mbi të gjitha të respektoni komunitetin universitar të vendit që nuk pajtohet me përmbajtjen e iniciativës ligjore për reformimin e Akademisë të Shkencave!

Le të mendojmë një çast! Ka më shumë peshë propozimi i qytetares deputete Eglantina Gjermeni, apo qendrimi, propozimet dhe pozicionet e dhjetra profesorëve, qindra universitarëve, katedrave apo universiteteve në Shqipëri?

Unë konsideroj se është urgjente që:

  1. Dëgjesa e organizuar në datën 10 maj e grupit të deputetëve propozues të projektligjit, personalisht e qytetares Eglantina Gjermeni, deputete, si edhe e grupit të përfaqësuar nga qytetarët Skënder Gjnushi dhe Vasil Tole, të shpallet e pavlefshme sepse në është krejt në kundërshtim me kërkesat kushtetuese.
  2. Të sqarohet publikisht dhe me trasparencës se e kujt është autorësia e tekstit të projektligjit të paraqitur.
  3. Të dëgjohet personalisht qytetarja Besa Shahini, ministre e arësimit e Shqipërisë, se cilat janë arësyet e vërteta që nuk e paraqiti ajo në emër të dikasterit që i është besuar projektligjin e hartuar duke e konsideruar pozicionin e saj në Facebook si mun,gesë respekti ndaj rrugëve të komunikimit midis një ministreje dhe Kuvendit të Shqipërisë.
  4. T’i kërkohet Akademisë të Shkencave të Shqipërisë të mos fyejë dhe injorojë Kuvendin e Shqipërisë duke organizuar zgjedhjet me etje për pushtet pa përfunduar miratimi i projektligjit reformues dhe të gjitha hapat e tjera të kalendarit reformues.
  5. Të shihet me imtësi legjitimiteti aktual i atyre që janë vetëshpallur drejtues në Akademinë e Shkencave duke kryer një anketë dhe investigim të hollësishëm mbi statusin ligjor të vendimeve me pasoja financiare dhe institucionale të Akademisë të Shkencave.
  6. Të krijojë mundësitë e dëgjesave të të gjithë aktorëve të interesuar, veçanërisht të platformës sime reformuese, thirrur zyrtarisht nga kryeministri dhe Ministria e Arësimit për të marrë pjesë në këtë proces!

Me konsiderata qytetare,

Artan Fuga


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera