» Zbulohet skema, si do të përballohet Opozita. Rizgjimi i Kryeshefit dhe…

Zbulohet skema, si do të përballohet Opozita. Rizgjimi i Kryeshefit dhe…

Nga ditari “Zhgënjimi i qametshëm në fshatin ‘Shejtan’” – Artur Zheji

 

Fugsi krijon një poezi për Kryeshefin: “Ti di të gënjësh! Ti je Njish!”

Mbasi kishin përpunuar dhjetëra variante për të shmangur krizën, Fugsi u ndje i vetmuar, bosh dhe pa ide. Morri pesë këshilltarë dhe i uli në gjysëm rrethi, i qerasi me nga një lëng trëndafili dhe filloi të krruhej në të gjithë trupin. Emocionet kishin filluar t’ja jepnin këto krruajtje të përgjithshme. “Mosha ecën për këdo?”, tha me vete Fugsi. Por nuk morri përgjigje nga askush. Ndërkohë njeri nga këshilltarët e Kryeshefit, pyeti tjerin në krah: “I more ato që të premtuan?” , “Po i mora”, u përgjigj tjetri. “Në çfarë monedhe? Në euro apo në dollarë?”

Por Fugsi nuk  e la të përfundonte përgjigjen e tjetrit, për monedhën në të cilën ishte paguar, për këshillimet që kishte dhënë për Kryeshefin.

“Atëhere më rreshtoni mendimet dhe këshillimet tuaja, për Kryeshefin, se do tja përçoj unë përmbledhtas! Ju lutem zotërinj! Sa më shpejt ju lutem!”

I pari u ngrit dhe tha: “Unë e shkoqita mirë situatën e krijuar! Gjëndja është në favor të Kryeshefit. Kemi në dorë Prokurorinë, ata nuk kanë se ku ankohen, edhe nëse ankohen, si i thonë do gjejnë Noc Rrokun!”

Fugsit i pëlqeu ky qëndrim dhe e nxiti të vazhdojë.

“Nëse pastaj shkojnë e ankohen në Gjykatën Kushtetuese, hop e pop, Gjykatë Kushtetuese, nuk ka! Dy në dorë! Mirëpo këta qerratallarët e Opozitarizmit, janë këmbëngulës dhe shkojnë më tej! Ata djegin mandatet! Tre në  dorë! Tanimë ata s’kanë mandate! Po ku do shkojnë këta pa mandate deputeti, do thoni ju? Në të sëmës do të shkojnë! E ku tjetër! Unë propozoj që të rekrutojmë deri në zgjedhjet e ardhshme, edhe 10.000 policë të rinj, mundësisht sa më të gjatë dhe muskulozë! Sepse ministrin Lleshaniku e kemi top! Gaz, shkopinj gome, çuna të rinj të papunë Shqipëria ka sa të duash. Të shtohet pra numuri i policëve dhe në disa pika, le të shpallim edhe gjëndjen  e jashtëzakonshme, nëse nevojitet dhe të fusim edhe ushtrinë, për të mbajtur qetësinë publike dhe ndërhyrjen e huaj…”

Fugsi mbante shënime të përpikta.

Parafolësi po vijonte të zbardhte “analizën” e tij dhe parashtrimet e veta, kur u ndërpre, nga “këshilltari” tjetër, pikërisht ai që nuk kishte marrë akoma shpërblimin.

“Jo në asnjëmënyrë! Shqipëria nuk është një vend militarist dhe një vend i dhunës policore! Çfarë peisazhi do të ishte kjo? Policë dhe ushtarakë?! Shkopa gome dhe policë shtesë? Jojo! Unë mendoj krejtësisht ndryshe! Unë parashtroj një zgjidhje tjetër! Duhet një ofertë e re që duhet ti japim Opozitës së bashkuar!”

“Çfarë oferte? Përcaktoje pak të lutem!”, u bë gjithë sy e veshë Fugsi.

“500 milion euro! Kemi akoma mijëra tonelata kanabis akoma në gjëndje! Të shtojmë laboratoret të asaj të pastrës, të bardhës si i thonë! Ta monetizojmë dhe tua japim! 100 milionë në vit, ndoshta pranojnë! Sepse turizmi dëmtohet dhe …”

“I kemi dhënë edhe më shumë por nuk e kanë pranuar! Nuk pranojnë para! Nuk e di se çpo ndodh, a jemi apo sjemi në botën e tregut!…”, tha nëpër dhëmbë Fugsi, krejt i pakënaqur nga analiza e “këshilltarit”. “Çfarë gomari! Asnjë dollar s’ka për të marrë!”, shtoi nëpër dhëmbë Fugsi krejt i zhgënjyer.

Ky bashkëbisedim shumë i frutshëm, që për pak, që për fare pak, po e dërgonte drejt “zgjidhjes” gjëndjen e krizës në Shqipëri, sepse do të dëgjoheshin edhe tri analiza të tjera themelore, u ndërpre, sepse ra Zilja e Kuqe!

Ishte Ay, Kryeshefi, që kërkonte një takim në grup me këshilltarët e huaj. Fugsi u drodh dhe i pëlqeu. Ay, Kryeshefi donte të këshillohej. Por ndoshta do të nxehej nga mospërgatitja e këshilltarëve, por kur bie Zilja e Kuqe, bie Zilja e Kuqe! Ata hynë në zyrën e madhe dhe sejcili zgjodhi nga një kolltuk me ngjyrën e parapëlqyer, hapën laptopët dhe filluan të mbanin shënime, ende pa hapur gojën Kryeshefi, të gatshëm edhe për të dëgjuar, edhe për të folur.

“Shikoni dhe dëgjoni!” tha Ay. Të gjithë hapën veshë dhe sy, edhe për të dëgjuar edhe për të shikuar, kuptohet sipas rastit dhe mundësive.

“Krizë nuk ka! Ka vetëm një grup rrugëhumbur e vulëhumbur, që nuk fitojnë dot me mua dhe kundër meje, as ata, as të çmendurit që kanë nga pas. A mund të quhet krizë kjo? Ky është një banditizëm, thjeshtë dhe pastër, mirëpo halli është se ata dikur kanë qenë deputetë, apo edhe kryetarë partish. E kujt i plasi?! Pse? Halli i tyre duhet të jetë edhe halli ynë? Hahaha!”

Mirëpo askush nuk qeshi dhe kjo të nervozonte. Fugsi bënte shenja që ata të qeshnin, por budallenjtë e huaj, nuk kuptonin shenjat e tij. Ashtu si e parashikonte edhe Fugsi, Kryeshefi u bë shumë nervoz nga mosqeshja e tyre, por ata rrinin të heshtur si mushka.

“Ata mund të pengojnë zgjedhjet më 30 Qershor! Duhen shtuar policët! Duhen rekrutuar të tjerë, të rinj, muskulozë dhe të gjatë! Hiqni dorë nga vajzat police, janë njomështore dhe nuk e përballojnë dot turmën!”, u çua njeri prej tyre pa e pyetur asnjeri.

“Duhet të rriten rrogat dhe pensionet masivisht! Me aq sa marrin në muaj ata, mua nuk më dalin as për kafe dhe as ujë me gaz!”, tha tjetri duke fërkuar mjekrën.

“Shikoni ju jeni një demokraci e re! Ca gjëra nuk i kuptoni! Varfëria dhe papunësia ka mbrritur aty ku s’mban më! Duhet një ndërhyrje energjike sepse….”

Pa mbaruar fjalën ndërhyri kryeshefi.

“Ore, e dini se çfarë populli kemi ne? I jep bar ata e hanë! I jep bukë ata e hanë përsëri, pa naze dhe duke kënduar! I jep lesh, ata e hanë edhe atë! Sepse e ngatrrojnë me kadaifin! Por buka, bari dhe leshi ka mbaruar dhe s’kemi sot ku e gjejmë! Dëngla më thoni ju këtu? Ne kemi një popull me vision dhe që do Reformën më shumë se jetën e vet! Për Reformat, jep Jetën! Për Kryeshefin jep vetë Reformën! Ne këmi një popull që ushqehet me besim, që ushqehet me shpresë dhe frymë për të Ardhmen! Ju nuk i kuptoni dot shqiptarët, por ka faj Fugsi im, që ju merr  dhe ju paguan!…”

Fugsi dëgjonte plot adhurim. Iu duk për një moment se iu rikthye Kryeshefi në përmasat e tij të vëteta! Një sfidues i kohërave të para. Një gënjeshtar i paarritshëm!

“Po Shef, ne do ti mundim përsëri ata! Ne kemi një lider, ata nuk e kanë! Ne dimë të bindim të gjithë botën, se e drejta qëndron në anën tonë! Edhe kur nuk kemi, ne dukemi më shumë se të gjithë, që e kemi të drejtën me vete!”, shpërtheu Fugsi me të madhe dhe e lëvizi dorën në formë fshese. Këshilltarët u larguan megjithë laptopat e tyre, ndërjohë që fjalimi zulmëmadh i Kryeshefit, sapo kish filluar dhe do të vijonte deri në të ngrysur. Fugsi hapi një qeskë me fara luledielli, dhe u bë gati të dëgjonte, si në kohët e vjetra, fjalimin e tij të gjatë…

“U rizgjua, u rizgjua!”, tha me vete se jeta ju duk at’çast më e bukur.

…………

Rubrikë satirike, emrat dhe ngjarjet janë frut i fantazisë së Autorit

(Vijon …)

 


360grade.al


30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Të tjera