» Të dënuarit e “Kumanovës”: Fol shqip, këtu është Shqipëri

Të dënuarit e “Kumanovës”: Fol shqip, këtu është Shqipëri

Në atmosferë të tensionuar ka filluar seanca e sotme e Gjykatës së Apelit, në të cilën shqyrtohen ankesat e Grupit të Kumanovës, të cilët janë dënuar me burg për ngjarjet në Lagjen e Trimave. Seanca filloi me një minutë heshtje për pjesëtarët e vdekur nga Grupi i Kumanovës, të cilën në emër të të gjithëve e kërkoi Genci Sefa.

 

Më pas ai së bashku me të akuzuarit e tjerë kërkoi që të lexohet deklarata e përbashkët e tyre, por nga gjykata u paralajmëruan se janë në seancë publike, e jo në gjykim. Pas kësaj, pjesëtarët e Grupit të Kumanovës kërkuan që gjykatësja të flasë shqip. “Katër vjet presim të flasim. Kërkojmë hetim ndërkombëtar, nuk jemi të kënaqur nga avokatët, një vit nuk kemi pasur komunikim. Kjo është Shqipëri, ne jemi autokton”, kanë thënë disa nga të akuzuarit në seancë, raportojnë mediat në gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore.

Pasi gjykatësja nuk ju lejoi të lexojnë deklaratën e përbashkët, ata u çuan në këmbë dhe kërkuan të mos e vazhdojnë seancën, ndërsa gjykatësja i lejoi pasi prania nuk është e detyrueshme. Në deklaratën e përbashkët të tyre, të akuzuarit për ngjarjet në Kumanovë kërkojnë nga kryeministri Zoran Zaev t’i nxjerr dëshmitë e vërteta, për këtë rast, të cilin ata e quajnë të montuar politikisht.

Në deklaratën e lexuar, shihet se Grupi i Kumanovës si dëshmitarë për këtë rast ka propozuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Gordana Jankulloskën, Musa Xhaferin, Gjorge Ivanovin, Bekir Asanin dhe disa ish-funksionarë tjerë shtetërorë. Seanca në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë sot dhe nesër pa praninë e disa të akuzuarve. Ndërsa ankesat e tyre do t’i përfaqësojnë avokatët e tyre. Jashtë Gjykatës së Apelit ka forca policore, ndërsa familjarëve e të akuzuarve nuk u është lejuar të fusin në gjykatë lëndë të forta.


360grade.al


Tre të vërtetat e Kujtim Gjuzit, Rama, Berisha dhe Meta….

Të tjera