» Kolonjarët mes harresës, mjerimit dhe përbuzjes!

Kolonjarët mes harresës, mjerimit dhe përbuzjes!

Nga Leons HASANI

Të heshtur dhe të friksuar, të lodhur dhe të stërmunduar, të zhvatur dhe të harruar, e mbi të gjitha të flakur dhe të larguar, kolonjarët si kurrë më parë, në këto 3 dekada tranzicion janë përballur me një papërgjegjshmëri absolute dhe arrogante të çdo institucioni që kushtetuta i ngarkon me ligj, të garantojnë për këta qytetar shërbime, përkujdesje, mirëqënie dhe punësim aty ku ata jetojnë.

Panorama e Kolonjës dëshmon qartë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet kjo zonë, por edhe banorët e saj.  Mjafton ta vizitosh një herë të vetme dhe arrin të kuptosh se pushteti lokal dhe ai qendror i ka lënë në mëshirë të fatit qytetarët e Kolonjës.

Kjo vlen për ata të cilët nuk janë nga Kolonja dhe nuk e kanë vizituar më parë këtë zonë, sepse për vetë kolonjarët që e prekin në përditshmëri këtë realitet mbytës e kanë edhe më të qartë se sa unë.

Shpresa në këtë bashki po shuhet dita ditës nga dritshkurtësia dhe injoranca e njerëzve që kanë “rrahur” gjoksin, për ti dal zot problematikave dhe sifdave që ka pasur Kolonja dhe kolonjarët për gati 30 vite.

Paaftësisa politike nga njera anë, dhe nga ana tjetër gërhitja dhe propaganda mbi kolltuqet e buta e të larta të funksionarëve publik, se Bashkinë Kolonjë e kanë transformuar në një bashki me standarte europiane, nuk është gjë tjetër veçse një barsalet pa shije për drekat dhe darkat luksoze me paret e kolonjarëve. Kjo sjellje donkishoteske, qesharake dhe plot fodullëk nuk tregon gje tjetër veçse rezultatin se si janë katandisur sot kolonjarët dhe Kolonja.

Institucioni përfaqësues i kolonjarëve ka humbur çdo funksion, madje ka humbur edhe veten e vet në morinë e budallallëqeve që bën nga mengjesi deri në darkë. Nuk prodhon asgjë tjetër përveç thashethemeve në kafenet përballë bashkisë. Arritja e vetme që ka pasur, ka qenë rënimi i vlerave, artit, kulturës dhe traditës të kolonjarëve ndër vite.

Le ti kujtojnë kolonjarët pushtetarëve se si e kanë shpopulluar Kolonjën nga viti 1990 e deri më sot, dhe ende vazhojnë ta bëjnë me të njëjtin ritëm.

Në vitin 1990 Kolonja kishte një popullsi rreth 29.000 banorë, sot janë, a nuk janë 7000 banorë të cilët jetojnë dhe punojnë në Kolonjë.

 

Le të bëjmë një krahasim të thjeshtë. Në vitin 1990, vetëm ish Komuna qendër Ersekë kishte rreth 5830 banorë, pra afërsisht aq sa sot kemi banorë në bashkinë e Kolonjës.

 

Më këtë përllogaritje të thjeshtë rezulton që politika në 30 vite ka boshatisur ish bashkitë dhe ish komunat e mëposhtme, konkretisht:

  • Ish Bashkinë Ersekë me 10253 banorë në vitin 1990
  • Ish Komunën Mollas me 4229 banorë në vitin 1990
  • Ish Bashkinë Leskovik me 2800 banorë në vitin 1990
  • Ish Komuna Çlirim me 1894 banorë në vitin 1990
  • Ish Komunën qendër Leskovik me 1390 banorë në vitin 1990
  • Ish Komunën Barmash me 1256 banorë në vitin 1990
  • Ish Komunën Novoselë me 1163 banorë në vitin 1990

 

E thënë më thjeshtë Kolonja është shpopulluar në gati 70% të popullsisë të saj nga mos investimi dhe mos mbështetja me politikat lokale dhe ato qendrore.

Dikush mund të thotë që shumë mirë kanë bërë që janë larguar dhe këtë e kanë bërë për një jetë më të mirë.

Por unë do ju pyesja, se çfarë i mungon Kolonjës për të mos u zhvilluar?

Nuk ka potencial Kolonja dhe kolonjarët nëse marrin mbështetjen e duhur për të zgjeruar fermat e tyre, bizneset, agroturizmin, turizmin malor, për të ngritur fabrika të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blektorale, për të prodhuar produkte me markën e zonës?

Sigurisht që i ka!

Ka klimën, ka tokën, ka pasuritë natyrore, ka gjithcka që mund ti ofronte kolonjarëve një rrogë të njëjtë me atë që ofrohet në qytetet e ngjashme të Zvicrës dhe Francës. Madje kemi edhe më shumë pasuri natyrore sesa disa qyteza dhe qytete super te zhvilluara në vendet e Bashkimit Europian, por problemi qëndron tek: keqmenaxhimi i këtyre burimeve; mungesa e vizionit të njerëzve që drejtojnë; hatimi i politikave ekonomike për zhvillimin e zonës; hartimi i një plani strategjik për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, turizmit, industrisë, kulturës, artit dhe sportit. Të gjitha këto duke mos u respektuar, sjellin mjerimin dhe varfërinë e çdo vendi, ashtu siç e kanë sjellë edhe për Kolonjën dhe kolonjarët.

Por le ti rikthehemi pak aktualitetit dhe problematikave që përballen në përditshmëri kolonjarët sot. Probleme që në gjykimin tim mund të zgjidhen nëse ka vullnet, ka dëshirë dhe ka njerëz të aftë e me vizion për të sjellë me punë, rritjen e të ardhurave në xhepat e qytetarëve.

Papunësia është plaga më e madhe e kolonjarëve, ndaj edhe 90% e të rinjve të cilët  pasi diplomohen e shohin si vetëvrasje rikthimin në Kolonjë, të cilës i shpëtuan momentin që fituan të drejtën për të studiuar. Dhe alternativa për ta është ose të qëndrojnë në kryeqytet ose të largohen jashtë vendit. Ajo pakicë që kthehet në Kolonjë e ka të pamundur për të rikthyer investimin e prindërve gjatë kohës së studimeve dhe është i/e destinuar të ngelet pa punë.

Në këto muaj kolonjarët në pamundësi për të patur një punë stabël, që siguron të ardhura të mjaftueshmë për familjen, janë të detyruar të udhëtojnë për më shumë se 8 orë mes të ftohtit, deborës dhe shiut, për të kaluar kufirin nga mali Gramozit me qëllimin për të mbledhur bimë medicinale. Por duhet të jesh me shumë fat që të mos përballesh me dhunën e policisë greke, në një tokë historikisht shqiptare të ndarë padrejtësisht nga Konferenca e Londrës.

E sikur të mos mjaftonte kjo, çmimi që ofrojnë grumbulluesit shpeshherë është poshtë çmimit që shiten në treg këto bimë medicinale. Të ardhura që prindrit i nxjerin me gjak për të garantuar studimet e fëmijëve ose për të paguar këstet e kredisë.

Fermerët në Kolonjë janë lënë në harresë nga Ministria e Bujqësisë dhe institucione të tjera që kanë lidhje direkte dhe indirekte me sektorin e bujqësisë në Kolonjë.  Prej vitesh fermerët nuk përfitojnë asnjë mbështetje nga Ministria apo pushteti lokal, nuk marrin subvencione, nuk kanë akses në informacione dhe trajnime, dhe shërbimi veterinar është inekzistent për fermerët.

Në gjithë këto vite nuk është hapur asnjë kanal ujitës, rrugët brenda fshatrave që lidhin fermën me token, janë degraduar dhe nuk mirëmbahen nga bashkia, për më tepër fermerët nuk kanë një pikë grumbullimi për prodhimet e tyre, e cila t’u garantoj shitjen.

Spitali në Kolonjë është kthyer në një godinë boshe, pa mjek dhe specialistë brenda saj. Ky është një fakt shqetësues sepse qytetarët e Kolonjës duhet të udhëtojnë drejtë qytetit të Korçës qoftë për të bërë edhe një  egzaminim të thjeshtë.

Rruga që lidh Bashkinë Kolonjë me qytetin e Korçës ka 20 vite që premtohet si dhjthtas dhe majtas, por ende dhe sot pritshmëritë për t’u bërë realitet duken shumë të largëta.

Për fëmijët dhe të rinjtë nuk ofrohet asnjë aktivitet social dhe kulturor për të rritur kapacitetet e tyre. Asnjë projekt i mbështetur ose i fituar nga institucionet vendore për këtë target grup. Arti, kultura dhe sporti tashmë janë thjeshtë aktivitete në letër për të rinjtë.

Moshës së tretë nuk i jepet asnjë mbështetje për t’i krijuar një mjedis sa më të ngrohtë nëpërmjet ngritjes së qendrave të ndryshme sociale.

Kolonjarëve të Nolit, Konicës, motrave Qiriazi, Luarasit, Negovanit, Gërmenjit, Kamberit e shumë atdhetarëve dhe rilindasve të tjerë, përshkrimin e këtij realiteti që jetojnë ata sot, mes mjerimit, harresës dhe përbuzjes do t’ua kishte bërë vepra Migjeni nëse do të jetonte në këtë epokë.

Por Kolonjarët e kanë në dorë për të refuzuar këtë klasë politike, për ta përbuzur, për ta larguar ashtu siç ajo është sjellë me ata deri më tani.

Kolonjarët duhet ti thonë jo atyre që janë tallur me ta dhe fëmijet e tyre. Kolonjarët duhet ti thonë jo atyre që kanë vjedhur dhe varfëruar ata dhe fëmijët e tyre.  Kolonjarët duhet ti thonë jo, atyre që kanë si qëllim të vijnë në pushtet me qëllimin për të vjedhur taksat e tyre. Kolonjarët duhet ta refuzojnë fuqimisht çdo ofertë nga ata të cilët e shkatruan dhe po e shkatërrojnë Kolonjën.

Dhe kolonjarët dinë si ta bëjnë këtë, e kanë treguar historikisht me penë dhe me pushkë.

Kolonjarët të PARËT!

 

 


360grade.al


Videoreditoriali i Zhejit/E Mira absolute nuk egziston, luftoni për të Keqen më të vogël… jo për Bashën, që ti zerë vendin Ramës…

Të tjera