» Më dhimbsesh Sandër! E fitove zemrën e Gramozit

Më dhimbsesh Sandër! E fitove zemrën e Gramozit

Nga Agron Gjekmarkaj

Kësaj të diele pamë e dëgjuam shumë. Ministrit të Brendshëm i pamë vetëm njërën faqe dhe atë e kishte më të skuqur se zakonisht.

Ai në pak kohë ja doli të fitojë zemrën e Gramoz Ruçit e sojit të tij dhe të humbasë ndjeshëm atë të shqiptarëve . Nuk kemi parë kurrë në krye të asaj ministrie një person i cili të shfaq hapur urrejtje për njerëzit që janë opozitarë, të përdorë gjuhë irrituese, ndonëse këta njerëz janë pjesë e jetës së brendshme të këtij vendi. Sa keqardhje për një njeri të cilin e kam çmuar shumë dikur kur e shoh kaq të shpërfytyruar për t’i shërbyer një karrigeje.

I dashur Sandër ule grykën se një ditë gjithkush e paguan mushkun e tij, mos e trajto popullin si armik meqenëse ata i kërkojnë Edi Ramës të mos vjedhë zgjedhjet me kriminelë, të mos vjedhë të drejtat njerëzore me gjykata të shkatërruara prej tij, me PP e konçensione që çojnë paratë tek oligarkët, të mos sundojë si despot veç me policë, të mos ndërtojë rrugë 1 km me 20 milion euro, të mos shembë teatrin për të ndërtuar kulla, të mos fusë policë me uniformë e policë politikë ne Universitet.

Nejse puna jote dhe e tij, por mua ende më dhimbsesh për shumë arsye. Kryeministri yt thotë qeverisë nuk kanë çfarë ti bëjnë po Shqipërisë po. A ka deklarate më cinike ndaj këtij vendi? Qeveria qenkësh më e rëndësishme se Shqipëria sipas tij ndaj ai se lëshon atë . Ndonëse sot foli shtruar, bute krejt si xhaja që vjen nga Amerika. Sot u llafos siç duhej te kishte folur gjate këtyre 6 vjetëve. Me sytë gati te përlotur , me zërin e butë , me sytë e muavitur ai lëpiu edhe fundin e Kazanit. Kryeministri ishte në panik, dukshëm në panik . Paniku është çmimi që i paguhet arrogancës. Protesta e kishte urtësuar si qengj. Ai nuk mund ta marrë peng këtë popull dhe ta çojë drejt zgjedhjeve moniste dhe me gjasë e ka kuptuar. Sot ai sundon si Mbret, megjthëse është vetëm nipi i shoferit të Mbretit në një shtet ku republikën e duam te gjithë.

Shqiptarët nuk do ta lejojnë. Mos ja krihni bishtin në këtë marrëzi vetvrasëse. Mos i bëni shpërlarje trurit të policit nga Tepelena ndaj politikanit nga Tropoja se kjo është përçarese e vllavrasëse. Por kjo sot është fasada komunikative me qashtërsinë e Marika Kallamatës që ju tregonte përralla fëmijëve teksa rrëfehej si specialist i gazit .

Fasade sepse ai institucionet e pavarura i thirri sot duke filluar me Arta Markun prokuroren e përgjithshme për të kuptuar sa e pavarur është ajo për t’i yshtur kundër Opozitës. Rastin e dhunës shtazarake ndaj Seit Dollapit i cili qe një masakrim publik e quajnë, Rama dhe Ministri i tij, një incident teknik sepse ju del ne pah subkonshi diktatorial që u zien në ndërgjegje. Dolllapi është një nga figurat kryesore politike të Opozitës. Rama foli si viktimë me ndoshta e sikur në një kohë që viktima e vetme sot është demokracia shqiptare.

Nesër Opozita ka përsëri protestë kombëtare dhe mbase pasnesër Rama do jetë ende më i urte. Kjo është fuqia emancipuese e një kauze te drejte. Ajo i bën më të mirë të gjithë përfshi edhe Edi Ramën. Ndaj nesër duhet protestuar me kurajo sepse junta është në fazë eksperimentale. Ajo mund të ndalet dhe demokracia ndoshta nuk është iluzion i përjetshëm mes nesh. Diktatoruci qyferixhi mund të mundet e kështu do të ndodhë. Kjo është një mundësi edhe për të që të ndalet në piken ku s’ka më kthim.


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/ 30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Të tjera