» Luksi i Kuvendit, 200 mijë euro për riparimin e makinave

Luksi i Kuvendit, 200 mijë euro për riparimin e makinave

Neritan Gjergo/Shekulli

Shpenzimet e luksit për qeverinë Rama, nuk janë përbëjnë më risi edhe pse varfëria ka kapluar vendin dhe kriza politike po ul ndjeshëm ekonominë. Këtë herë është Kuvendi, institucioni i cili kërkon të harxhojë paratë e taksapaguesve për qëllime komoditeti. Gjatë dy ditëve të fundit, institucioni i drejtuar nga Gramoz Ruçi ka shpallur 3 tenderë me objekt riparimin e makinave që janë aktualisht në dispozicion dhe një tender të katërt për blerje makinash. Për riparimin dhe mirëmbajtjen, do të shpenzohen 10 milionë lekë, ndërsa për blerjen e mjeteve të rinj janë vënë në dispozicion15 milionë lekë. Në total, shpenzimi për luksin e funksionarëve të kuvendit mbërrin 25 milionë lekë ose 200 mijë euro. Dokumentet janë paraprake dhe nuk specifikojnë detaje për markat e reja që do t’i shtohen Kuvendit apo për numrin e mjeteve që janë gjendje dhe kanë nevojë për shërbimin e serviseve. Për këtë të fundit, listohen 6 marka automjetesh, çka do të thotë se numri i tyre është të paktën 6, ose fiks 6. Me një mesatare të thjeshtë aritmetike, nëse për secilën makinë do të lëshohen fatura të barabarta për servilin, atëherë Kuvendi do paguajë nga 1,65 milionë lekë (13 mijë euro) për secilën. Një shifër kjo, e cila mund të indinjojë dhjetra individë që po kërkojnë sot po kërkojnë të blejnë një makinë 3 deri në 5 mijë euro. Por, meqë numri i mjeteve nuk është i përcaktuar në tender dhe Kuvendi nuk mund të përdorë nga përmasat një flotë ushtarake makinash, le të themi se nuk janë 6, por 12 mjete. Atëherë, për secilën servisi nuk do të kushtojë 13 mijë euro, por 6500. Edhe kjo faturë, nuk do ta linte të qetë një familje me të ardhura mesatare, e cila nuk po mundet ende të sigurojë një makinë për të lehtësuar jetesën. Por, tenderët e shpallur dje dhe pardje, për ironi referojnë se të gjitha makinat kanë nevojë për shërbim riparimi. Në Kuvend ka rënë “epidemia” te makinat! Përpos riparimit, për institucionin e Kuvendit gjykohet e arsyeshme të blihen edhe mjete të reja. Në fakt, edhe në dokumentin e këtij tenderi nuk tregohet se për sa mjete janë nevojat institucionale, por vetëm fondi limit i vënë në dispozicion. Bëhet fjalë për 15 milionë lekë, (120 mijë euro). Qeveria Rama ka faktuar se luksi dhe fasada janë domosdoshmëri për një qeverisje të shëndoshë, çka do të thotë se në rastin më mirë, oferta e hapur për industrinë i makinave do të delegojë një automjet në Kuvend, dhe në rastin më të keq 4 automjete. Çfarë do të mendonte familja me të ardhura mesatare, e cila ka kontribuar përmes taksave dashur pa dashur edhe për këtë tender? Në rastin më të mirë kjo familje i ka gati 4 mijë euro për të blerë një makinë. Në rastin më të keq, duhet të punojë edhe për pak kohë.

Sa lekë shpenzohet për makinat

Institucione buxhetore kanë paguar gjatë 12 muajve të vitit 2018 një shumë prej 500 milionë lekësh për blerje makinash. Gjatë vitit të protestave masive, kur kërkesat e grupeve shoqërore kanë qenë për zgjerim të konsumit, përmes rritjes së pagave apo uljes së taksave, institucionet shtetërore nuk i kanë kursyer fondet në dispozicion për shpenzime luksi. Kjo e dhënë rezulton në kërkimin në instrumentin e mirëstrukturuar “Transaksione Thesari”, nga ku rezultuan 117 prokurime të realizuara për blerje makinash. Transaksionet me vlerë më të lartë për këtë kategori shpenzimi i kishin institucione si: Kuvendi, Garda dhe Ndërmarrja Numër 1 e Punëtorëve, por nuk mungonte as rasti i denoncuar në Universitetin e Elbasanit, ku Bordi i Administrimit të këtij institucioni shpenzoi 7.6 milionë lekë për blerjen e një makine të re, me argumentin se dy makinat që ishin në dispozicion ishin të vjetra dhe nuk i përshtateshin statusit të drejtuesit të Universitetit. Nga institucionet vendore, rezulton se Bashkia Kukës është ndër bashkitë me pagesat më të larta për makina, ndërsa prokurimet e këtij lloji janë  analizuar nga “Open Spending Data”. Dymbëdhjetë kryetarë bashkish kanë blerë makina me taksat e qytetarëve, përmes procedurave tenderuese në dukje të rregullta, por diferenca në vlerë mes fondit limit dhe ofertës fituese është e papërfillshme, madje në dy raste është zero. Tenderët janë zhvilluar gjatë periudhës 2017-2018. Në krye qëndron kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, me tre procedura tenderuese të tilla, ku në njërën nga garat janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit. Kryebashkiakja Ademi ka shpallur tenderin për blerje makine me fond limit 3 330 000,00 lekë, ku oferta fituese rezulton me vlerë 3 255 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 75 mijë lekësh në favor të shtetit. Po gjatë vitit 2018, Ademi ka shpallur një tjetër tender për blerje makine, me fond limit 1 001 666,00 lekë, ndërsa oferta fituese është 950 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 51 mijë e 666 lekë në favor të shtetit apo të buxhetit të bashkisë. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mizu, ka shpallur tenderin për blerjen e një makine me vlerë 4 750 000,00 lekë ose rreth 42 mijë USD. Oferta fituese rezulton në vlerën 4 720 000,00 lekë, me një diferencë prej 30 mijë lekësh. Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, ka zhvilluar tre procedura tenderuese për blerje makinash, ku diferenca mes fondit limit dhe ofertë fituese është gjithashtu e papërfillshme. Konkretisht, në tenderin me fond limit 2 750 000,00 lekë, oferta fituese është 2 690 000,00 lekë, viti 2018, më diferencë 60 000 lekë, në tenderin me fond limit 833 333,00 lekë, po për blerje makine, oferta fituese është 799 000,00 lekë, me diferencë 34 333 lekë, ndërsa në tenderin me fond limit 1 166 667,00 lekë, oferta fituese është 1 119 000,00 lekë, me diferencë 47 667 lekë.

Plani

Ndonëse një periudhë e shtrëngimit financiar, blerja e automjeteve mbetet një nga kërkesat më të shpeshta nga institucionet shtetërore, thuajse në çdo buxhet që paraqitet për miratim. Përjashtim nga kjo nuk bën as Kuvendi i Shqipërisë, i cili për këtë vit ka parashikuar blerjen e automjeteve të reja. Aktualisht Kuvendi ka një sërë makinash të markave të ndryshme dhe me vjetërsi mbi 10 vjet, të cilat kanë shfaqur kohët e fundit  probleme të shumta. Nuk dihet nëse automjetet e reja do të jenë në shërbim direkt të deputetëve apo të institucionit për nevojat e tjera. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se nuk bëhet fjalë për vetëm një autoveturë me 15 milionë lekët e vëna në dispozicion. Fillimisht plani ka qenë për 316 milionë lekë tender, por me sa duket vështirësitë financiare kanë bërë që Kuvendi të anulojë tenderin e parë dhe të rihapë një tender tjetër duke e përgjysmuar gati edhe fondin e vënë në dispozicion për blerjen e makinave të reja.


360grade.al


Videoreditoriali i Zhejit/E Mira absolute nuk egziston, luftoni për të Keqen më të vogël… jo për Bashën, që ti zerë vendin Ramës…

Të tjera