» Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë

Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë

Nga Gentian Gaba

‘Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë’. Mbi këtë fjali të Abraham Lincoln, të frymëzuar nga Ungjilli i Markut, janë ngritur themelet e reja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ato që lindën nga lufta civile e përgjakshme e Veriut me Jugun. Fjalimi u mbajt në Qershor të viti 1858, në momentin e pranimit të kandidaturës për Senat në radhët e Partisë Republikane. Moment që shuguroi hyrjen në politikën kombëtare të njeriut që do të bëhej Presidenti i gjashtëmbëdhjetë i SHBA-ve, i cili do të ribashkonte kombin dhe do t’i jepte fund skllavërisë.

‘Unë besoj se kjo qeveri nuk mund të zgjasë përgjithmonë e ndarë në gjysmë, midis të lirëve dhe skllevërve. Unë nuk pres që ky Union të shpërbëhet – nuk pres që shtëpia të bjerë – por unë pres që ajo do të ndalë së qenurit e ndarë. Do të bëhet e gjitha një gjë, ose e gjitha një gjë tjetër. Ose kundërshtarët e skllavërisë do të ndalojnë përhapjen e mëtejshme të saj, dhe do ta vendosin aty ku mendja e publikut do të mbështetet në besimin se është duke shkuar drejt zhdukjes përfundimtare; ose avokatët e saj do ta shtyjnë përpara, derisa të bëhet njësojë e ligjshme në të gjitha shtetet, të vjetra si dhe të reja – në Veri si dhe në Jug.’

Pavarësisht konteksteve shumë të ndryshme, kjo metaforë mund të gjejë jehonë edhe në momentin e vështirë që kalon vendi ynë.

Më shumë se dy muaj nga largimi i opozitës nga Kuvendi dhe më pak se dy muaj nga 30 qershori, Shqipëria është më e polarizuar se kurrë. Një krizë e thellë politike dhe institucionale e ka ndarë vendin në dysh.

Nga njëra anë qëndron mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e kontestuara të vitit 2017. E kapur në krim zgjedhor, sikurse dëshmojnë përgjimet në të cilat bash me grupet kriminale të kërkuara nga holandezët, ranë edhe eksponentë të lartë të Partisë Socialiste. Një mazhorancë që prej kohësh nuk qeveris dot, por gjallon në një menaxhim të vazhdueshëm të krizave që vetë prodhon. E paaftë për të krijuar shtratin e duhur për një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme. E paaftë për të tërhequr investime të huaja. E paaftë për të ndalur korrupsionin marramendës, që pasqyrohet më së miri në 1.7 miliard euro të ikura në drejtim të paditur vitin e shkuar, sipas KLSH-së. E paaftë për të ndalur hemorragjinë e emigrimit. E paaftë për t’i dhënë vendit një perspektive europiane.

Në anën tjetër ndodhet një front i gjerë opozitar. Ndoshta më i madhi i këtyre tri dekadave. Sigurisht në ato radhë nuk ka vetëm shenjtorë, individë apo grupime që ndajnë botëkuptime tërësisht të ngjashme, megjithatë të gjithë pajtohen me domosdoshmërinë e çlirimit të sistemit nga hegjemonia shkatërruese e kryeministrit aktual. Bashkohen nga urgjenca për të riekuilibruar një sistem politik pa asnjë ndarje pushtetesh, pa zgjedhje të lira dhe pa demokraci.

E nëse mazhoranca do të vazhdojë moskokëçarëse drejt 30 qershorit, duke çuar në zgjedhje të ‘bindurit’ e saj, këto dy Shqipëri do të shkojnë drejt përplasjes. Pas asaj date, Shqipëria, ‘do të bëhet e gjitha një gjë, ose e gjitha një gjë tjetër’.
E gjitha një vend autokratik, ku sundon ‘njëshi’, bashkë me gangsterët e rrugës dhe gangsterët me ‘jakë të bardha’; apo e gjitha e lirë dhe e drejtë, ku sundojnë institucionet dhe përfaqësuesit zgjidhen me votë të lirë dhe të ndershme.

Për të arritur realizimin e premisave mbi të cilat ai komb i ri ishte ngritur, Amerika e Lincolnit nuk e shmangu dot përplasjen civile. Ajo ‘shtëpi e ndarë’ u ribashkua nga vullneti i atyre që besonin se ‘qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk duhet të zhdukej nga faqja e dheut’. Që murtaja e përplasjes civile të mos lulëzojë në vendin tonë, që demokracia të mbijetojë dhe fantazmat e një shteti monist të mbeten një kujtim i keq i së shkuarës diktatoriale, është e domosdoshme që pjesët më të përgjegjshme të shoqërisë dhe politikës, të veprojnë përpara se të jetë tepër vonë. Përndryshe, nuk do mund të mbajmë në këmbë jo vetëm demokracinë por as Shqipërinë.

360grade.al

Rama dhe OpenBallkan gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit!”

Të tjera