» “Ftohet” biznesi i diellit, mungesa e udhëzimit dhe dëmet kolosale

“Ftohet” biznesi i diellit, mungesa e udhëzimit dhe dëmet kolosale

Prej dy vitesh, të gjithë ata që kanë instaluar një impiant fotovoltaik për vetëkonsum po hasin ngërçin e tepricave që duhet të ishte zgjidhur me një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në rastin më të mirë, ata që kanë një impiant e mbajnë në punë me kapacitet jo të plotë ose, në rastin më të keq, e mbajnë të fikur. E gjithë kjo zgjat në kohë kthimin e investimit. Operatorët e tregut që merren me shitjen e paneleve dhe instalimet shprehen se 98% e klientëve potencialë janë në pritje të udhëzimit, një situatë që u ka shkaktuar një dëm kolosal financiar. Ministria ka gati një draft që po e diskuton pikërisht me këtë grup interesi, por mbetet për t’u parë se kur do të vijë zgjidhja.

Në vitin 2017, qeveria miratoi ligjin “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, i lakuar si një nga ligjet më të rëndësishme të sektorit. Në thelb qëndronte logjika e stimulimit të projekteve nga burimet e rinovueshme, e ndalur kryesisht në hidrike, diellore, por edhe eolike.

Interesi i jashtëzakonshëm, sidomos për energjinë nga dielli, u nis fillimisht me deklarata pompoze politike për ëndrrën historike të Shqipërisë për diversifikimin e burimeve. Aktualisht, vendi ynë varet totalisht nga hidrocentralet, çka e ekspozon atë në vite të thatë ndaj krizave të prodhimit e, për rrjedhojë, edhe ndaj atyre financiarë, kryesisht të reflektuara te gjenerimi dhe shpërndarja. Por, duket se prioriteti i vitit 2017 për të nxitur zhvillimin e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme u vu shpejt në gjumë.

Prej të paktën dy vitesh nuk ka asnjë zhvillim dhe mungesa e akteve nënligjore që duhet të kishin shoqëruar ligjin e ka futur tregun në ngërç. Kjo lidhet në mënyrë specifike me udhëzimin që duhet të ishte miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për t’i dhënë zgjidhje mënyrës sesi do të lidhen në sistem projektet e vogla të impianteve fotovoltaikë të instaluar për vetëkonsum nga bizneset apo individët. Nën vrullin e miratimit të ligjit dy vite më parë, nuk ishin të pakët ata që vendosën të instalonin një impiant fotovoltik ku të prodhohej energji për nevojat e tyre.

Sot, një pjesë e këtyre investimeve, në rastin më të mirë, prodhojnë me gjysmë kapaciteti dhe në rastin më të keq, fiken, sepse tepricat që mund të prodhohen konsiderohen si konsum nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Në këtë mes, dy janë palët më të dëmtuara.

Të gjithë ata që kanë investuar tashmë në një impiant fotovoltaik dhe detyrohen të mbajnë prodhimin e kufizuar, për të mos u faturuar edhe për prodhimin ekstra që mund të hedhin në rrjet dhe bizneset që ofrojnë shërbimin dhe materialet e instalimit të këtyre impianteve. Duhej organizmi i grupit të interesit me të paktën 20 kompani, që të vinin në lëvizje Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për të marrë seriozisht hartimin e udhëzimit që aktualisht është në fazë konsultimi.

Bizneset: Jemi dëmtuar nga mungesa e udhëzimit, projektet kanë mbetur pezull

Bizneset që ofrojnë shërbimin e instalimit, por edhe pajisjet si panele dhe elemente të tjera për impiante fotovoltaike, shprehin shqetësimin se të paktën 98% e atyre që kanë interes për të bërë një investim në këtë sektor po qëndrojnë në pritje të zgjidhjes së ngërçit.

Julian Paparusi, nga Charlie Energy sh.p.k., shprehet se janë një sërë kontratash me kapacitete të konsiderueshme për instalim të mbetura pezull, pasi çështja e tepricave nuk është zgjidhur. Një tjetër kompani raporton se ka mungesë faturimi që shkon në miliona euro për projekte potenciale, por që pa marrë fuqi udhëzimi nuk mund të nisë puna për ta.

“Duke pasur vonesën për miratimin e udhëzimit kemi një mungesë faturimi të planifikuar rreth 3 milionë euro për vitin e kaluar. Mund të themi se vendi ynë aktualisht nuk është duke përdorur burime, të cilat do të sillnin një zhvillim të madh ekonomik, duke krijuar më shumë vende pune, dhe gjithashtu do të mundësonin të ardhura të konsiderueshme”, nënvizon Elton Çekrezi, administrator i Euroelektra.

Operatorët shprehen se është e vështirë të mbijetosh në një treg kur prej të paktën dy vitesh nuk ka asnjë nismë për ta stimuluar. Sipas tyre, kjo ka ndikuar negativisht në financat e kompanive, duke kufizuar edhe mundësinë për zgjerim të stafeve, çka përkthehet automatikisht në vende të reja pune. Gjithsesi, të njëjtët operatorë shpresojnë që maji të jetë muaji kur do t’i jepet zgjidhje problematikës përmes udhëzimit që pritet të miratohet.

Çfarë thotë drafti i parë i udhëzimit që ministria u dërgoi kompanive?

Disa javë më parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konkludoi draftin e parë, ku jep edhe elementet e nevojshme që kërkon neni 15 i ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë dhe që ka të bëjë me skemën neto të matjes.

Por, çfarë nënvizon drafti i parë i ministrisë. Së pari, përcakton se kush mund të instalojë një impiant për vetëkonsum dhe kufiri i sipërm që ka lidhur me kapacitetin e instaluar. Konkretisht, ky kufi është 500 kW dhe se, shoqëri e vogël ose e mesme apo klient familjar është çdo konsumator i energjisë elektrike i lidhur vetëm me një pikë matjeje të energjisë elektrike në sistemin e Shpërndarjes. Në pikën dy, udhëzimi përcakton se ku duhet të vendoset paneli që instalohet për prodhim energjie dhe kuadrin ligjor që duhet të respektojë lidhur me zhvillimin e territorit.

Sasia e energjisë elektrike që vetëprodhuesi do të prodhojë për vetëkonsum, do të llogaritet mbi bazën konsumit të tyre gjatë një viti, të ndarë në muaj sipas historikut dyvjeçar të profilit të konsumit, duke e injektuar në rrjetin e shpërndarjes energjinë e tepërt të prodhuar. Kjo energji e tepërt do t’i kthehet konsumatorit sipas çmimit të caktuar nga ERE, bazuar në metodologjinë që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit”, thuhet në pikën 4 të udhëzimit paraprak të MIE.

I njëjti nënvizon se fuqia e instaluar e impiantit për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli (PV) për çdo konsumator duhet të mos jetë më e madhe se 500 kW në pik. Kjo fuqi e impiantit PV llogaritet mbi bazën e konsumit vjetor të energjisë elektrike e cila, në asnjë rast, nuk duhet të tejkalojë sasinë e energjisë të konsumuar nga klienti që aplikon për lidhjen në rrjet të këtij impianti.

Lidhur me marrëdhënien që do të mbahet me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, udhëzimi sqaron dokumentacionin që duhet të dorëzohet për t’u lidhur në rrjet.
Aktualisht, udhëzimi është ende në formën e tij paraprake dhe sipas burimeve pranë MIE, mund të pësojë ndryshime në funksion të përmirësimit dhe zgjidhjes së ngërçit. Afati që MIE ka parashikuar në draft-udhëzim që klientët të lidhen në rrjetin e OSHEE është 1 maji i këtij viti.

Edhe aplikimet për impiantet 2 MW vijojnë të mbeten pezull

Impiantet fotovoltaikë për vetëkonsum ishin njëra anë që mori zhvillim me miratimin e ligjit për përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme. Pjesa tjetër ishin parqet fotovoltaikë me kapacitet deri në 2MW. Nga ERE, fillimisht u caktua se energjia që do të prodhonin, do t’ju blihej me 100 MW. Kjo bëri që në harkun e një viti e gjysmë të paraqiteshin në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë rreth 100 aplikime të kësaj kategorie, duke tejkaluar çdo pritshmëri të mundshme që kishte qeveria për këto projekte.

Aktualisht është ezauruar pjesa prej 20 MW, si kapacitet i instaluar pasi nga MIE janë dhënë 10 licenca, me një vlerë rreth 20 milionë euro. Kjo bëri që në fund të vitit të shkuar, ministria të pezullonte aplikimet për këtë lloj projekti, duke mos dhënë detaje se kur përfundonte ky pezullim, apo cila është vendimmarrja. Aktualisht, në proces është parku i Akërnisë me kapacitet 50 MW dhe që u fitua nga India Power Corporation ltd e regjistruar në Indi.

Kompania do të investojë 70 milionë euro për ndërtimin e parkut dhe çmimi i energjisë me të cilën ajo u shpall fituese në ofertën që bëri ishte 59.9 euro/MwH që do t’i blihet për 15 vite. Ndërkohë, kompania ka mundësi që të zgjerojë kapacitetin në të njëjtën zonë edhe me 50 MW të tjera, pa mbështetje për blerje energjie.

Burime brenda MIE shprehen se pikërisht suksesi i Akërnisë ka bërë që ministria të tërhiqet nga praktika e impianteve të vogla deri në 2MW që kanë një kosto blerjeje të energjisë shumë më të lartë sesa çmimi me të cilin rezultoi Akërnia. Gjasat janë që, me zgjerimin e kapaciteteve në planin kombëtar 5-vjeçar për energjinë e rinovueshme, të synohet një tjetër koncesion i madh sikurse Akërnia./Monitor


360grade.al


Videoreditoriali i Zhejit/E Mira absolute nuk egziston, luftoni për të Keqen më të vogël… jo për Bashën, që ti zerë vendin Ramës…

Të tjera