» Kryeshefi pacient në Spitalin privat “Seks për të gjithë”…

Kryeshefi pacient në Spitalin privat “Seks për të gjithë”…

Nga ditari “Zhgënjimi i qametshëm në fshatin ‘Shejtan’” – Artur Zheji

 

Fugsi e kishte vënë re i pari, Kryeshefi po fillonte të vuante nga sindroma e përvitshme e Pranverës, diçka kish filluar të lëvrinte në brendësi të tij. Një rizgjim. Një dëshirë e papritur dhe këmbëngulëse për aromë femrash. Sepse atij njëherë në vit, në Pranverë, i ndodhte një gjë e tillë. Bashkëpuntoret e ngushta dhe të rëndësishme mund ta dëshmonin qartazi, se si në këtë periudhë të vitit, Kryeshefi kishte duar më të gjata dhe këmbë më të gjata. Mjeshtëria në përdorimin e këmbëve të gjata, ishte bërë tanimë e famshme në huqet e Kryeshefit. Përkëdhelej e ledhatohej si një maçok i padëmshëm, por sidoqoftë këmbëngulës dhe plot fantazi befasuese. Specializuar në atë që thirrej si “orgazma e trurit” …

“Kjo politika dhe afshi i shtetformimit, e ka vënë poshtë Kryeshefin, e përjeton si mos më keq, që më rëntë pika, më rëntë!” Llafoste me vete Fugsi, që nuk guxonte dot kurrë ta shpaloste krejt hapur ëndrën e tij, që ta shihte një ditë Kryeshefin në pushtet, të paktën edhe 12 vite të tjera…. “E të shndrrohej Kryeshefi në një Ataturk të arnautëve, e ta quanin shqiptarët me lot në sy: AtaArnautin e Arnautistanit, apo e shqipëruar edhe më mirë, që ta kuptojnë harbutët e trashë: BabaShqiptari  … sepse në fund të fundit, edhe Shqipëria e tërë, është sa një lagje e madhe e Stambollit, apo jo?”, nakatoste në trurin e vet të brishtë Fugsi i mirë dhe besnik sa s’ka.

Me dinakëri dhe zgjuarsi të lakmueshme, ai kishte mbushur fjalimet e Kryeshefit me sa më shumë fjalë të suksesshme turkçe, që përputheshin me numrin e panumërt të telenovelave turke në qarkullim: “kazan”, “tepsi”, “garuzhde”, “kadri”, “kadrinj” “kadrilerë” dhe fët e fët, ato kishin ngjitur si me zamkë në mendjen e trashë të këtij populli oriental në thelb, kaq të dystë dhe qefli njëkohësisht…

Mirëpo tani kryeshefi po fliste për strategji të madhe me disa gra-zonjusha dhe zonjusha-gra, që Fugsit i dukeshin punëkota, por që ishin shquar sëfundmi në besnikëri dhe përkushtim, ca pickonjëse dhe vampire të vogla, por moderne dhe të hedhura, e të dhëna shumë në betejën emancipuese, për rilindësimin e dytë të arnautëve, që banonin me orekse të mëdha e me kafshata të vogla, në fshatin “Shejtan”.

Njera syresh Miradita Kazhini, ishte veçanërisht në formë krijuese, plot ide dhe me lëng të bollshëm në përmbajtjen e tyre, ajo shoqërohej nga Ivi Tiçuka, e specializuar në kulinari, dhe seksologji postmenopauze dhe andropauze, me doktoraturë të thekur, mbështetur në eksperienca të pasuksesshme personale, por pikante dhe me njohje të pakrahasueshme anatomike, sidomos virtuoze në anatominë krahasuese ndërseksuale. Qyteti krenohej me to dhe ja lakmonte kulturën specifike, teorike dhe praktike.

– Shef, seksi, seksi mungon shumë si kulturë dhe është si një tabu për tu shembur! Për të zbutur pra këtë shoqëri të ashpër dhe të egër, dhe këtë mund ta bëni vetëm ju…, të fusim sa më shumë krahasime seksi në fushatë, pavarësisht llojeve… ndërraciale, hetero apo homo, edhe trans qoftë…, duhet të shfaqet fort idili seksual! …  – shpaloste platformën e saj të ylltë, Miradita Kazhini, e skuqur flakë në fytyrë duke u pohuar me tundje koke në çdo llaf, nga Ivi Tiçuka, edhe më e skuqur se ajo, më shumë në qafë dhe poshtë saj. Kryeshefi dëgjonte dhe kruhej, por jo me ato lloj kruarjesh që kanë për qëllim, demoralizimin e hovit krijues, që përskuqte fytyrat e tyre.

– Unë mendoj se krijimi i fabulës së tërheqjes seksuale ndërmjet teje dhe Lulxit të opozitës ka funksionuar në depersonalizimin e tij, kjo duhet shtuar edhe më shumë, edhe më hapur, edhe më provokueshëm, sepse ai është edhe më i ri, bukurosh dhe lëkurë bardhosh, kurse ti Shef, vjen në pamje përditë e më burrnor e më i egër …. brrr!

Kryeshefi e ndaloi kruarjen dhe ato e kuptuan se duhet të ndalonin së foluri, kohët e fundit kjo ishte shenja me gjuhën e trupit që përdorte Kryeshefi, kur kruhej, pavarsisht se ku, mund të vazhdoje të flisje, kur ndalonte: duhet ta qepje menjëherë gojën dhe çdo gjë tjetër të shqepur, se përndryshe…

– Keni të drejtë, shumë moderne kjo që thoni por më ndalon Fugsi, shpesh më thotë se mund të acarohen më shumë budallenjtë opozitarë nga kjo qasje, se shqiptarët…

– Pff! Iiiiii …. Këta shqiptarët në seks janë si majmunë! Mos më trego mua Shef! – u hodh Ivi Tiçuka dhe vazhdoi: “Ata fryen gjithë kohës dhe shfryhen sa …. sa hap e mbyll sytë …. pfff! Janë një zhgënjim! Më beso Shef! …

Fugsin e lëshuan nervat, “më mirë një armik i mençur, se sa një mik apo ca mikesha budallaqe!”, tha nëpër dhëmbë dhe hyri në zyrë duke ndërprerë bisedën. Ato e kuptuan shenjën e vrulltë të alteregos së gjithëpushtetshme të Kryeshefit, në fund të fundit, ai, ishte robi që u jepte edhe rrogën si të thuash, duke u financuar edhe projektin e madh më të fundit: “Si të dobësohesh  duke ngrënë” dhe projektin tjetër: “Si të hash për tu dobësuar”, apo kryeveprën: “Zgjidhja e enigmës, veza pulën apo pula vezën dhe seksi në mes!…”

Bukuroshet e inxheksionuara sa në buzë e sa ku nuk rrëfehet, u çuan, por lanë pas aromat e parfumeve të shtrenjta që gudulisnin edhe të vdekurit.

Kryeshefi ndjeu mall për rininë e zbehtë, por që gjithmonë rini ishte. Kaloi në paradë me sytë e mendjes, disa dhjetëra silueta femërore, që e kishin zjarrmuar dhe përvëluar. Ndjeu mall për lirinë e dikurshme, kur jetonte pa stres, pa dokrra dhe pa kërcënime mbi kokë, kur bridhte lirshëm dhe kur e vlerësonin për atë që ishte dhe jo për ato që kishte…

– Mos! Mos Shef! – uluriti Fugsi plot ankth. Por ishte vonë. Kryeshefi e kish gëlltitur kokrrën, madje dy kokrra nga kutiza me gurë smeraldi blu, shkruar sipër me dorë: “Seks, antistres”

– Spo duroja dot më! Pse jam gatuar kështu? Tha me lot në sy Kryeshefi, pushtonjësi i madh i fshatit “Shejtan”, dikur quajtur Arnautland.

Fugsi filloi zbatimin e protokollit. Bëri telefonatën e kuqe dhe në pak minuta, Kryeshefi u gjend butë butë në spitalin “Seks për të gjithë”, që kishte marrë namin e konçesioneve dhe PPP-ve, për sjelljen e mirë dhe të pazëshme në shërbimet speciale, si natën, ashtu dhe ditën. Kryeshefi delironte. Ndërkohë administrata filloi telefonatat e sërishme në agjensitë e udhëtimeve mes dhe fundjavore. Qeveria nuk ishte, por qeverisja vazhdonte vetë…

…………

Rubrikë satirike, emrat dhe ngjarjet janë frut i fantazisë së Autorit

(Vijon …)

 


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/Pse vuan Rama? Ai ka gjithçka! …

Të tjera