» Zheji hap Ditarin: “Gremina që na pret! I marri që bërtet, lidheni të marrin…”

Zheji hap Ditarin: “Gremina që na pret! I marri që bërtet, lidheni të marrin…”

Nga ditari “Zhgënjimi i qametshëm në fshatin ‘Shejtan'” – Artur Zheji

Ay, Kryeshefi kqyri thonjtë që ishin rritur ca, shtypi sustën e re, që ja kishin sjellë si dhuratë nga një studio e famshme arkitekture.

“Pip, pip!” bëri susta dhe Fugsi la paninen dietike, të porositur me shumë përkujdesje në guzhinën e re të kryeministrisë, të cilën teze Nazmija, kështu kish dhënë urdhër kryeshefi ta thërrisnin guzhinieren, ja kish përgatitur me hatër të veçantë.

– Çfarë kemi të re, nga fronti i qelbësirave, kanë shkruar derrat diç për mua?

– Po, Shef, simos ai, ai që e di ti…

– Çfarë ti bëjmë tjetër ne atij? Ja kemi provuar të gjitha, me burgje, me përgjime, me kërcënime … po pyet ai? Ja e kemi hedhur edhe në gjygj tani këtë Zhegun, të shohim se mos trembet … Pff! Cub ka qenë ky maskara në të ri të vet, s’pirdhte njeri që atëhere… po do ti spërdridhet qafa një ditë edhe këtij, do ta lë pa bukë!… Është bashkuar tani dhe me atë kaubojsin, nga Ndroqsi, kapin e s’lëshojnë banaqet dhe ekranet! Pff!… Kemi ndonjë mesazh nga Ximi?

Fugsi lëpiu buzën, ku kish ngecur varur një thërmijë buke, gatuar me miell integral dhe mendoi sakaq se ay, Kryeshefi, e kishte thirrur fare kot, për të shtyrë kohën. Kjo e gëzoi pa masë, “nuk bën dot pa mua asnjë çast…”

– Mere paninen dhe eja haje këtu, se e ke mëndjen aty akoma… nga Ximi kemi ndonjë lajm, na ka sjellë gjë ndërmjetësi? Apo harrove kaq shpejt se kush është Ximi? Kemi thënë të përdorim kode në këto kohë përgjimesh, Lulëzimin do ta quajmë shkurt Ximi, se po të themi Luli, kuptohemi…

– Jo, s’kemi asnjë lajm! As nga ai, as nga ndonjë tjetër…

Kryeshefi theu një pjatë porcelani dhe bëri ca gazra për tu lehtësuar disi. Kohët e fundit gazrat ishin bërë një problem për të, por edhe ai i kish dhënë karar, i lëshontë para vartësve dhe nuk shkaktonte keqkuptime. Fugsi me elegancë hapi njerën dritare që të hynte pak ajër më i pastër, ndërsa paninja iku për lesh.

– Çfarë thonë përgjimet për këtë Lalin, këtë shokun tënd të vjetër? Është bërë shumë popullor ai, por do ishte më mirë të kishim vënë aty në bashki, Nuren e Gjikajve, po edhe ti votove kundra. Është pak thuthuq Nurja, po kjo e bën të padëmshëm në publik…

– Po ka dorë shumë të rëndë Shef, madje dërgon ndihma deri në Gjermani te indianët e Gurit…, e hoqët si për dorë të rëndë nga posti, pak telashe na hapi?

Kryeshefi morri një stilolaps dhe filloi të zografisë, ashtu pa kuptim dhe rrëmujshëm. Ndërkohë kqyri celularët, ishin skuqur nga mesazhet, ca të shkurtëra dhe ca të gjata.

– Pff! Duan të gjithë ndonjë llokëm, po asnjeri nuk më dërgon asnjë ide për zgjedhjet…, I dëgjon në parlament? I hedhin ujë fjalëve të mia, e bëjnë si supë të hollë burgu dhe më shkruajnë shiko sa mirë fola?!…

Fugsit ju lidh gjuha, por i punonte mendja. Donte të thoshte shumë fjalë, donte të bërtiste se ai: “Nuk do të ishte kurrë vetëm!” se ai, Fugsi i II – të dhe Lleshaniku, “me gaz dhe me kopaçe, do ta ndiqnin pas deri në fund të botës!” por nuk foli, i lumtëruar në heshtjen e tij fisnike dhe të përvuajtur.

–  E mirë kjo partia e re, që na u krijua, si thua? Ky Titi do sulmuar edhe kjo Rudi, sepse duhen faktorizuar, megjithëse, këto Ruditat, janë magjistare të papara, dikur më kanë sjellë tersllik. T‘ja marr edhe ndonjë sy gjumë si thua?

Tha kryeshefi dhe pa pritur përgjigje nga askush u shtriq në divanin e madh, të punuar mjeshtërisht nga donatorët e studios ndërkombëtare XY555. Fugsi e mbuloi qetësisht me një velenxë të lehtë persiane, qëndisur me fije ari dhe me 3000 nyje mëndafshi ndërthurur me lesh Kashmiri, dhuruar edhe kjo nga një studio projektuese kullash, me siglën e habitshme XYXY333, me qëndër në Singapor.

–  Ec aty Rudita… ec aty Titi! Më vozisni deri në vitin 2025 se pastaj …. – tha nëpër gjumin e ëmbël Kryeshefi dhe përhumbi në krahët e Morfeut.

Fugsi u tërhoq mbrapsht në majë të gishtave dhe shkroi sms-në: “Mbledhja e qeverisë shtyhet, deri në lajmërim të dytë! Punoni fort në terren! Fugsi.”

…………….

Rubrikë satirike, emrat dhe ngjarjet janë frut i fantazisë së Autorit…

(Vijon…)

 


360grade.al


Videoreditoriali i Zhejit/E Mira absolute nuk egziston, luftoni për të Keqen më të vogël… jo për Bashën, që ti zerë vendin Ramës…

Të tjera