» Përse Rama po luan destabilizuesin…?

Përse Rama po luan destabilizuesin…?

Nga Kastriot Islami

Rama nuk është më faktor stabiliteti.

Ky përfundim është i qartë jo vetëm për opozitën politike apo shumicën e shqiptarëve (që sipas sondazhit të fundit, mbështesin në nivel rreth 55-60 përqind opozitën aktuale, duke nxjerrë Rilindjen në opozitë nëse do të kishte zgjedhje të lira e të ndershme) por edhe shumicën e ndërkombëtarëve, në Tiranë, në vendet e BE dhe të NATO-s.

Ky përfundim lidhet me përmbylljen e fazës së parë të krizës shumë-përmasore shqiptare.

Rama duke e lexuar këtë realitet, po futet në fazën e dytë.  Ai ndërkohë që nuk garanton stabilitet si Kryeministër, por tenton të bindë ndërkombëtarët se mund të shkaktojë destabilitet, me shpresën se ata mund të vazhdojnë ta mbështesin.

Përfundimi është i qartë: Rama nuk është as faktor stabiliteti dhe  as destabiliteti. Pra është shumë i dobët dhe në fundin e tij dhe aspak sic përpiqet të bllofojë.

Rama ka hedhur në treg në këto momente tezën se nëse “nuk hapen negociatat me BE, Shqipëria do të gjejë zgjidhje tjetër apo ndoshta vëndi e rajoni do të zhytetn në turbullira”. Natyrisht Rama nuk e ka aspak hallin te hapja e negociatave por nëse do të hapeshin negociatat ato do të përpiqej ta përdorte këtë moment si “moment të vlerësimit maksimal të qeverisë së tij dhe të tij personalisht”. Gjë që do ta shiste më tej me tambura e zhurmë të madhe.

Thënë ndryshe në këtë fazë Rama po i bën presion europianëve se “ose më konsideroni “djalë të mirë” me të cilin mund të hapni negociatat, ose unë se bashku me autoritarët e tjerë të Ballkanit, do të destabilizoj jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin…”

A funksionon ky shantazh apo kërcënim?

Rama nuk i mashtron dhe as i tremb dot ndërkombëtarët sepse ata e kanë parasysh më mirë se ai gjendjen e korrupsionit, të krimit, të pastrimit të parave dhe të trafiqeve në Shqipëri e mbi të gjitha lidhjet e ngushta të këtyre me qeverinë e tij dhe me personin e tij. Për më tepër ndërkombëtarët kanë eksperiencë të madhe me ish-drejtues autoritarë, në të kaluarën e në të tashmen, dhe i njohin shumë mirë këto lloj kërcënimesh e shantazhesh, duke i shpërfillur me përbuzje e neveri.

Gradualisht po vjen fundi i fazës së dytë të krizës: Rama nuk garanton dot as stabilitet por as nuk shkakton dot destabilitet. Dhë prandaj Rama po përpëlitet me lloj lloj marifetesh, duke angazhuar lloj lloj lobistësh e zyrtarësh ndërkombëtarë të kompromentuar për të dalë nga qorrsokaku ku është futur, sepse këto mesazhe kanë filluar ti shkojnë direkt apo indirekt në zyrën e tij. Dhe nga kjo gjendje nuk e shpëtojnë as lobistët zyrtarë apo konfidencialë të paguar majmërisht.

Faza e fundit e kësaj krize do të duket shumë shpejt, ajo po vjen me shpejtësi. Sepse atë e ka përshpejtuar Rama me kërcënimet dhe shantazhet, të cilat janë idioteske dhe e kanë nxjerrë qesharak e tërësisht zbuluar në sytë e lidershipit europian.

Madje Rama nuk e kupton se ndërkombëtarët do tja hiqnin mbështetjen edhe nëse ata realisht (gjë që nuk është e vërtetë) do ta vlerësonin atë aq të fortë sa të mund të destabilizonte rajonin. Sepse për lidershipin demokrat perëndimor do të ishte e papranueshme të mbështesnin një drejtues autoritar, të korruptuar dhe të inkriminuar, që për tepër i shantazhon me destabilizimin e rajonit, thjesht për të marrë prej tyre mbështetjen me synimin për të qëndruar pafundësisht në pushtet.

Fundi i kësaj faze shënon edhe fillimin e fazës së fundit: Rama duhet të largohet dhe të mos mbajë më peng zgjidhjen. Madje nuk Rama nuk mund të jetë më as pjesë e zgjidhjes. Dhe nëse insiston me kokëfortësinë e tij, fundi mund të ishte edhe më i rëndë se i Gruevskit.

 


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera