» Agim A Krasniqi: Rusia Ballkani

Agim A Krasniqi: Rusia Ballkani

Agim A Krasniqi/

Rusia Ballkani
Që nga koha e Perandorisë Osmane, përveç Austro-Hungarisë që tregoi interes të drejtpërdrejtë për Ballkanin në atë kohë, interes kishte edhe Rusia e cila ishte e angazhuar fuqishëm që nga marrëveshja e Shën Stefanit, marrëveshje e cila e mundësonte krijimin e shteteve sllave në dëm të tokave shqiptare. Ambiciet ekspansioniste serbe në dëme të trojeve shqiptare, të shtytur dhe mbështetur nga Rusia, ishte pikërisht Austro-Hungaria që pengonte një gjë të tillë, duke shfaqur edhe interesat e veta në Ballkanin Perëndimor. Dhe e vetmja mundësi për të realizuar interesat perëndimore, mund të bëhej duke përdorur faktorin shqiptarë dhe trojet e tyre, sepse, si katolikët, ashtu edhe myslimanët, qenë në anë të sajë, sepse ishin të bindur se Austro-Hungaria kishte për qëllim prishjen e planeve të Rusisë në Gadishull.
I
Historia sot po përsëritet!
Një analizë e shkurtër sipas qasjes ballkanike për të zbërthyer ngjarjet nga lartë-poshtë, për të bërë një pasqyrim të shkurtër se çka po ndodh nëpër Ballkan dhe në botën shqiptare, para valëve të mëdha qe mund te na presin.
Ngjarjet e fundit dhe interesat Ruse për Ballkanin Perëndimorë, kërkojnë një analizë përmbajtjesore, për të qartësuar ecurinë e proceseve dhe sfidave që na janë imponuar, ne shqiptarëve si etni në tërësinë tonë.
Kohëve të fundit, aktivitet Ruse në Ballkan, ka gjasa të jeni intensifikuar me qëllim realizimit të synimeve të veta shekullore në këtë pjesë të botës. Përpjekjet e nxitjes së rrëmujës dhe të kaosit në demokracitë perëndimore, e në veçanti në vendet të cilat janë të orientuara drejt perëndimit apo BE-se, si Shqipëria, Kosova apo vendet tjera si Mali i Zi, Maqedonia por edhe vetë Serbia, lënë për të kuptuar se synimet pan-sllaviste po sillen si retë e zeza në Ballkan. Bazuar në disa zhvillime të fundit, prononcime dhe deklarime të zyrtarëve të shteteve perëndimore, disa nga aktivitetet në disa shtete, edhe mund të mendojmë se janë financuar dhe po financohen nga forma misterioze të cilat kontrollohen nga Ruset. Kjo po bëhet, duke përdorur forma të sistemeve politike, për të ndërhyre në Shqipëri, Kosovë dhe në disa shtete të Ballkanit. Lidhjet Ruse me kompani misterioze për të financuar eksponentë të ndryshëm të politikës në Ballkan, me qëllim të rritjes së ndikimit Rus, është paralajmëruar nga zyrtarë të lartë te politikës Amerikane. Këtë e tha një zyrtare i larte ushtarak Amerikan deri sa ai po fliste në një seance të dhomës së përfaqësuesve të kongresit. Komandanti i forcave të armatosura Amerikane për Evropë, gjenerali Kertis Kaparoti kishte deklaruar se, Rusia synon të pengoj çdo hapë të integrimit Euro-Atlantik të Ballkanit, përmes dezinformimit dhe mbështetjes të forcave ekstreme, për të destabilizuar rajonin. Pretendimet e Rusisë, për tu shfaqur si konkurrent strategjikë në rajon, mbeten kërcënimi kryesor për një mjedis të qëndrueshëm Evro-Atlantik në këtë pjesë, por edhe më gjerë. Ajo vazhdon me influencën e saj dashakeqe në Evropë dhe përtej saj, veçanërisht në atë zonë ku beson se duhet të ketë ndikim më të madh përgjatë zonës ku SHBA-të kanë investuar fuqishëm për të krijuar sigurinë e Evropës.
II
Disa prej vendeve të rajonit janë përfshire në protesta dhe tensione politike, si në Mal të Zi, Serbi dhe në Shqipëri. Ndërhyrjet Ruse në gjithë Ballkanin kryesisht po përdoren në tre forma: duke përdorur ndikimin e korrupsionit, paratë e pista për të ndikuar politikën, dhe duke financuar parti politike, në atë mënyrë që të paguhen edhe protestuesit e nxitur. Gjithashtu formë tjetër është edhe marrja e informacioneve të paligjshme, për të plasuar në opinionin publik dhe manipuluar ata, sidomos duke dezinformuar në rrjete sociale, mediat tradicionale, aty ku munden. Nga të gjitha këto, paratë e pista dhe korrupsioni, ndoshta janë më të suksesshmet në Ballkan, duke ditur se këtu ka më shumë korrupsion dhe më shumë militantizëm politik. Kjo formë e veprimit, Rusisë i krijojnë më shumë mundësi, të ndikoj në ngjarjet në teren, me të vetmin qellim që të përhapë kaos. Kjo u pa gjatë periudhës para referendumit për marrëveshjen e Prespës, e pamë në Mal të Zi para anëtarësimit në NATO, e pamë edhe po e shohim në Shqipëri, ndoshta në nivel pak më të ulët, por ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në përçarjen e skenës politike atje. Kjo u dëshmua kur me 16 Mars 2019, demonstrata në Serbi arritën kulmin kur protestuesit sulmuan radio televizionin publik, që e solli reagimin me force të policisë atje. Pikërisht të njëjtën ditë protestuesit në Tirane u përleshen me policinë para godinës së parlamentit. Kjo lidhje e çuditshme ngreh dyshime të forta se pas këtyre protestave qëndron një ndikim i jashtëm. Sipas njohësve të politikes së Ballkanit, është dyshohet tashme se si Rusia ka financuar parti politike dhe kandidatë nëpër Evropë. Ndaj nuk ka dyshime se ndikon fuqishëm edhe në Ballkan, duke përdoru mjete financiare për të mbështetur parti, politikan individual dhe ndonjëherë OJQ , pasi kjo është mënyra ruse e të vepruarit.
Rasti i Shqipërisë kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e procesit politik, duke ushqyer përçarje bipolare të politikës, reflekton tokën me pjellore dhe situatën më të përkryer që Rusia të përfitojë e të ushqejë më shume armiqësi, përçarje dhe kaos në shoqëritë e Ballkanit, përshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën.
III
Tani më duken qartë lidhjet në mes aktorëve Rus dhe disa eksponent në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo tregon se ekziston një lloje bashkëpunimi në mes të dy palëve.
Kjo është alarmante.
Shkrimi në San Diego jewish-world që u publikua me 09 Mars 2019, me titull “Turqia dhe Rusia bëjnë gosti në Ballkan”, tregon se si tensionet politike në mes Kosovës dhe Serbisë po krijojnë një mjedis perfekt, ku si Rusia ashtu edhe Turqia, mund ti tërheqin këto dy vende edhe më shumë drejt sferave të tyre të interesit dhe influencës. Në anën tjetër Rusia vazhdon të avancojë me ndikim në zonën ballkanike përmes Serbisë dhe kanalin tokësorë e shfrytëzon përmes Turqise dhe disa shteteve pan-islamike të cilat përmes fesë po bëjnë përpjekje të rritjes së sentimentit fetar në botën shqiptare, me qëllim të krijimit të krijimi të një imazhi se populli shqipëtar ka synime orientale dhe jo shumë të besueshëm për perendimin..
Interesat e Turqisë dhe Rusisë janë ,,përçaje dhe të sundoje”, duke mbjellë destabilitet për interesat e tyre. Këto dy shtete nuk kanë interes të shohin integrimin e Ballkanit në BE. Kanë bërë dhe janë duke bërë gjithçka me propagandë, duke minuar situata shoqërore dhe ekonomike duke bashkëpunuar e me sistemin e korruptuar të drejtësisë në Ballkan. Sipas informacioneve të publikuara arrijnë shifrën mbi 4 miliard dollarë investime të kësaj natyre. Si pasojë e këtyre investimeve, prej kohesh tensionet politike në Shqipëri (deri diku dhe në Kosovë), po shoqërohen me akuzat për një ndikim Rus, me qëllim destabilitetin, duke nxitur më shumë ngjarjet politike në mes mazhorances dhe opozitës.
IV
Rusia e ka dëshiruar gjithmonë një mundësi hyrje në detin Adriatik, dhe Shqipëria nga ana strategjike është konsideruar si pikë akcesi për realizimin e synimeve në fjalë. Aktivitetet e Rusisë në Maqedoni dhe Mal te zi , duket se janë të ndryshme nga ato në Shqipëri. Ashtu si edhe e cekëm, tentativat e Rusisë për të ndërhyrë në Shqipëri, janë shumë të hershme. Pak vite më pare, u përhap lajmi se Rusët ishin kthyer ne Pashaliman. Ishte një ngjarje e denjë për filmat e spiunazhit, që nuk u zbardh kurrë plotësisht nga autoritete shqiptare. Bëhej fjalë për një grup shtetas Rus, të ndaluar nga policia e Vlorës në bazën e Pashalimanit me 14 tetor 2016. Ndalimi i tyre u konfirmua nga burimet ushtarake, policore dhe diplomatike, por konstatimet e secilës palë ishin kontradiktore. Ndërkohë në media, vërshuan dyshimet se bëhej fjalë për agjentë Rusë të maskuar si gazetarë. Synimi me sa duket ishte të fotografohej baza e Pashalimanit, e njëjta bazë ushtarake detare në gjirin e Vlorës, që ish bashkimi sovjetik e mori nën kontroll, pas një marrëveshje me Shqipërinë komuniste në vitin 1957. Ishte koha kur Shqipëria u radhit në mes 8 vendeve të lindjes, që nënshkruan traktatin e Varshavës. Nga kjo del se Rusët janë shumë të sofistikuar në përpjekjet e tyre, duke modernizuar mënyrën se si të ndërhyjnë në një popull që deklarativisht mendohet se janë më pro-amerikan dhe me pro-perëndimor në botë.
Politika e jashtme shqiptare dhe kosovare, e ka treguar orientimin e saj pro-amerikan dhe pro-perëndimorë, megjithatë, në 5 vjeçarin e fundit, gjithnjë e më shumë politikan, opionist dhe analist, po flasin për përpjekjet e Rusisë dhe Turqisë, për të ndikuar në botën shqiptare, ashtu si në popujt e tjerë të Ballkanit. Natyrisht, Rusia dhe Turqia arrijnë influencën e saj aty ku gjejnë teren, kryesisht në vendet e korruptuara dhe me ekonomi të brishte. Mendohet se Rusia u bë goxha agresive në Ballkan në vitet 2013/14, çka koincidon me pushtetin e Ukrainës. Nga ana ekonomike, Rusia, ashtu si edhe e thamë më lartë, ka dashur të ketë gjithnjë dalje në Adriatik, Shqipëria strategjikisht dhe analatikisht, shihej si mundsësi se : po të shtypte Serbia shqiptarët e Kosovës, do të futej brenda Shqipërisë, dhe duke kontrolluar politiken e tyre (ashtu si e ka kontrolluar afërsisht një shekull), do të kishte dalje në Adriatik.
V
Ashtu sikur për Austro-Hungarinë edhe për politikën e jashtme Amerikane, kjo duhej kufizuar. Duke ditur se Rusia ka vetëm veriun, portet e ngrira, tani i duhej të kaloje nga deti i zi dhe Bosfori për në dalje në det. Dhe po të kishin pasur Shqipërinë, ata nuk do ta synonin dot Sllovenin, nuk do ta merrnin as Malin e Zi as Kroacinë apo Greqinë. Vendi që logjikisht ku mund të kapeshin rusët është Shqipëria dhe interesi që ka Rusia në Ballkan, e sidomos në Shqipëri, është që mbetet një vend i destabilizuar, pa perspektivë ekonomike dhe i pa integruar në BE, kjo do tu jepte me shumë mundësi, për pretendimet e tyre për dalje te porti i vetëm Adriatik. Këtë e kishte konfirmuar departamenti i shtetit Amerikan në vitin 1998, e që ishe edhe pjese e strategjisë për kufizimin e ndikimit Rus. Pra përveç me Serbinë që nuk ka dalje në det, nuk ka ndikim në Greqi, nuk ka në Kroaci apo Slloveni, për atë po përpiqet në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri, por prapë nuk ka ndikim politik. Atëherë çfarë i ka mbetur tjetër përveç se të mbjellë kaos, e cila është gati për ta marrë Shqipëria. Edhe protestat e viteve te fundit në Shqipëri, sipas zyrtareve amerikan, konsiderohet se janë të nxitura dhe të ndikuara nga agjenturat Ruse.
Disa subjekte politike konkretisht ne Shqipëri, po e luajnë lojën ruse, prandaj pasojat mund të jene evidente. Shembulli më interesant i përdorimit të rrjeteve sociale që po përdor regjimi Rus, për të ndikuar jashtë saj përmes platformave të fushatave të dezinformimit të cilat cenojnë demokracitë. Përveç tyre një tjetër mënyre që Rusia po përdor për të ndikuar dhe rritur influencën e tyre, janë investimet. Sipas një studimi, investimet përfshin kapjen e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë, ndryshimin e sistemeve politike, korruptimin e liderëve politik si dhe penetrimin e institucioneve kyçe të sigurisë. Vitin e kaluar Komisioni Evropian ka deklaruara një rritje të investimeve edhe të Turqisë në rajonin e Ballkanit perëndimor, veçanërisht në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, ndërkohë që shifrat tregojnë se Rusia po shtrinë ndikimin e saj në Serbi dhe në Mal te Zi.
Qëllimi i Rusisë është të minoj çdo aspekt dhe çdo sektorë, prandaj ndërhyrja e BE-se për të parandaluar ndikimin Rusë, është mese e nevojshme dhe e domosdoshme. Investimet e BE-se në Ballkanin jugperëndimore duhet të jenë të menjëhershme duke krijuar një klime besimi dhe perspektive për popujt ballkanik, që të shihet një e ardhme properëndimore, në mënyrë që të zbehet ndikimi i Rusisë apo dhe i Turqisë. Kjo sepse Rusia dëshiron të shfrytëzojë sa ma shumë forcat anti-evropiane dhe anti-perëndimore. Në këtë formë Rusia përpiqet ti distancoje popujt dhe shtetet e Ballkanit perëndimor nga BE-ja dhe nga SHBA-të, dhe këtë ajo po e bën vazhdimisht.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera