» Merrni masa për rrethimin!/ Zbulohet letra e Policisë, para grabitjes, për Aeroportin

Merrni masa për rrethimin!/ Zbulohet letra e Policisë, para grabitjes, për Aeroportin

Ashtu si në grabitjen e parë të ndodhur në pistën e Rinasit më 30 qershor 2016, edhe në ngjarjen më të fundit, atë të 9 prillit, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, Policia kishte paralajmëruar autoritetet e aeroportit për problemet me sigurinë.

Por nga ana tjetër, Tirana Interational Airport në përgjigjen e saj kishte saktësuar se problemet e renditura nga Policia ishin përgjegjësi e saj. Në dy komunikime me shkresa zyrtare, në shtator të vitit 2017 dhe në maj të vitit 2018, shefi i Komisariatit të Rinasit, Përparim Dema, kishte vënë në dijeni TIA-n për problemet e konstatuara me sigurinë.

Për letrën e parë që Dema i ka adresuar aeroportit, shkak ishte bërë një incident i ndodhur më 9 shtator 2017, kur shtetasi Eduart Gega kishte arritur të çante rrethimin e të depërtonte në pistë. Ai ka prerë rrjetën me pinca dhe ka arritur të ecë për rreth 150 metra në brendësi të pistës së avionëve.

SHKRESAT E POLICISE

“Nga këqyrja e pamjeve filmike duket mungesa e ndriçimit artificial në zonë, ku pista kufizohet me Komandën e Forcave Ajrore. Nga veprimet në tërësi na rezulton se, përveç ndriçimit artificial mungojnë sensorët e rrjetës së telit në perimetrin rrethues të pistës”, shkruhet në letrën e shefit të Komisariatit Rinas.

Ky incident ka ndodhur shumë pranë vendit ku Admir Murataj me bashkëpunëtorët e tij arritën të presin zinxhirët e portës e të futen në postë. Pas kësaj shkrese, edhe më 7 maj 2018 Policia e Rinasit i nis një tjetër letër zyrtare TIA-s, këtë herë për sigurinë e krahut verior, që përkon saktësisht me vendin nga ku dolën autorët me furgonin “Hetimi Tatimor”, pasi realizuan grabitjen.

“Në portat që janë në gardhin rrethues dhe konkretisht në portën në krahun verior e në portën në krahun jugor të gardhit rrethues, masat e sigurisë janë po ato të njëjtat dhe nuk është marrë ndonjë masë shtesë. Për sa më sipër, kërkojmë nga ju marrjen e masave të menjëhershme, me qëllim eliminimin e mangësive të konstatuara”, thuhet në shkresën e Policisë.

PERGJIGJJA E TIA-s

TIA u është përgjigjur shkresave zyrtare të Policisë së Rinasit më datë 11 maj të vitit 2018, duke theksuar se shqetësimet duhet të adresoheshin drejtpërdrejt tek Autoriteti i Aviacionit Civil. “Siç është bërë e qartë edhe në shkresa dhe mbledhje të ndryshme (si Komiteti i Sigurisë së Aeroportit), bazuar në kuadrin ligjor në fuqi në lidhje me sigurinë e aviacionit, përveç Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar (AAC), autoritetet e tjera nuk gëzojnë autoritetin dhe kompetencën për të vlerësuar efikasitetin dhe/ose përputhshmërinë e masave të sigurisë së aviacionit të zbatuar në aeroport.

Për këtë arsye, TIA gjykon se etiketimi i masave të sigurisë së aviacionit të zbatuar nga TIA, nëpërmjet nënkontraktorit të saj në aeroport si të pamjaftueshme, është një veprim i papërshtatshëm dhe jo i duhur. Për qartësinë tuaj, aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga TIA nëpërmjet nënkontraktorit të saj për ofrimin e sigurisë së aviacionit në aeroport janë lehtësisht të dallueshme nga masat dhe përgjegjësitë për ofrimin dhe ruajtjen e rendit publik e sigurisë së përgjithshme, të cilat ligji ngarkon organe të tjera kompetente shtetërore, përkatësisht Policinë e Shtetit.

Megjithatë, për sa u përket çështjeve që lidhen me masat e sigurisë të zbatuara në aeroport, Komisariati i Policisë Rinas duhet të adresojë komunikimet përkatëse drejtpërsëdrejti tek AAC, i cili do të sqarojë, bazuar në kuadrin ligjor përkatës, se të gjitha pikat/ çështjet e listuara në shkresën tuaj përfshihen ekzaktësisht në gamën e aktiviteteve të Policisë së Shtetit”, thuhet në shkresën e TIA-s, raporton ‘panorama’.

GRABITJET

-13 SHKURT 2015, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë, në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro, që do niseshin

drejt Rinasit.

-30 DHJETOR 2015, u sulmua me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit, ku u vodhën 2 milionë paund, 800 mijë dollarë.

-30 QERSHOR 2016, një grup grabitësish të armatosur çanë perimetrin e sigurisë, duke u futur në pistën e avionëve, ku grabitën 995 mijë euro.

-9 SHKURT 2017, u sulmua me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, afër një universiteti privat, ku u grabitën 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë.

-9 PRILL 2019, ndodh grabitja e radhës në pistën e avionëve, nga “barku” i avionit u rrëmbyen rreth 6.5 milionë euro


360grade.al


“Mallkimi” i Ministrave të brendshëm shqiptarë, “dashuria” Lleshaj-Rama dhe …

Të tjera