» Beteja për Tripolin shënon 146 viktima; Italia dhe Franca përçajnë Bashkimin Evropian

Beteja për Tripolin shënon 146 viktima; Italia dhe Franca përçajnë Bashkimin Evropian

Luftimet në Libi janë rikthyer sërish pas fushatës së nisur nga Khalifa Haftar dhe Ushtria Kombëtare libiane, për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli. Gjenerali Khalifa Haftar kontrollon pjesën më të madhe të Libisë dhe veçanërisht lindjen e pasur me naftë. Edhe pse OKB dhe komuniteti ndërkombëtar njeh Fayez al-Sarraj si kryeministrin legjitim të Libisë, është Khalifa Haftar që ka arritur të sigurojë pushtet të mjaftueshëm për të nisur përpjekjen për të marrë në kontroll të gjithë shtetin, i përçarë pas rrëzimit të Muamar Gadafit në vitin 2011.

Fayez al-Sarraj ka pushtet mbi Tripolin, ndërkohë që ushtria e Haftar ndodhet në kufijtë e qytetit dhe ka nisur luftimet. Të paktën 146 persona kanë humbur jetën deri më tani dhe me mijëra të tjerë janë larguar nga banesat e tyre. Organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për nisjen e mundshme të një konflikti civil në Libi.

Konflikti Itali-Francë

Khalifa Haftar ka arritur të sigurojë mbështetjen e shtetit fqinj, Egjiptit, si dhe të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Mbështetje të madhe, ndonëse jo publike, gjenerali po e merr edhe nga Parisi.

Kompanitë franceze kanë asete të shumta në naftën që ndodhet në territoret e kontrolluara nga Haftar.

Javën e kaluar, Franca bllokoi një rezolutë të Bashkimit Evropian që bënte thirrje për ndalimin e luftimeve në Libi dhe dënimin e sulmeve të ndërmarra nga Haftar.

Italia reagoi ashpër për këtë vendim të Francës dhe zv/kryeministri Matteo Salvini deklaroi se Roma nuk do të qëndrojë dhe të shoh teksa rrezikohet nga një tjetër krizë në Libi. Ai tha se shpreson se vendimi i Parisit të mos jetë nxitur vetëm “nga interesa ekonomike”.

Dikur një koloni e Italisë, Libia ka qenë vitet e fundit destinacioni nga ku janë nisur me mijëra refugjatë afrikanë, për të mbërritur në brigjet italiane. Dhe pikërisht një vale të re refugjatësh është ajo nga çfarë druhet më shumë Roma.

Por shanset që Khalifa Haftar të arrijë të fitojë në Tripoli janë të mëdha, jo vetëm për shkak të mbështetjes që merr nga shtetet e rajonit dhe Franca, por sepse ai ka qenë një prej gjeneralëve kryesorë që ndihmoi Muamar Gadafin të merrte pushtetin në vitin 1970.


360grade.al


“Mallkimi” i Ministrave të brendshëm shqiptarë, “dashuria” Lleshaj-Rama dhe …

Të tjera