» Efekti i grabitjes, euro shënon rënien më të madhe

Efekti i grabitjes, euro shënon rënien më të madhe

Rënia e valutave kundrejt lekut ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme me ritme të përshpejtuara në krahasim me dy ditët e mëparshme, duke reflektuar pamundësinë që bankat kanë për të transportuar valutën jashtë vendin, çka po i bën ato të kufizohen në transaksionet e këmbimit valutor.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.58 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.62 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rënia më e madhe ditore që prej qershorit të vitit të kaluar, përpara se Banka e Shqipërisë të ndërhynte për të frenuar rënien e monedhës së përbashkët.

Në tre ditë, që kur ndodhi grabitja e parave në barkun e avionit në Rinas, që po nisej drejt Vjenës, çka bëri që Austrian Airlines të ndalonte transportimin e parave, euro ka humbur 1.31 lekë, duke u këmbyer sot në nivelin më të ulët nga fillimi i janarit.

Ekspertët e bankave pohojnë se arsyeja kryesore lidhet pikërisht me faktin që bankat nuk mund të transportojnë më para jashtë dhe si rrjedhojë po bëhen më pak transaksione këmbimi. Disa banka, psh, kanë filluar të pezullojnë këmbimet me franga zvicerane dhe paund britanik, që kërkojnë transport, në mënyrë që të minimizojnë spekulimet. Paundi ra sot me 1.11 lekë dhe franga zvicerane me 0.63 lekë.

Ashtu si dhe ditën e djeshme, në tregun valutor kanë rënë të gjitha valutat pa përjashtim kundrejt monedhës vendase, duke treguar se nënçmimi është i ndikuar nga faktorë të brendshëm, ku rënia e euros ka “rrëzuar” të gjitha valutat e tjera.

Dollari këmbehej sot me 109. 36 lekë. Në tre ditë, monedha e gjelbër ka humbur gati 1.5 lekë.

Bankierët pohojnë se në pritje të zgjidhjes se si do të kryhet transportimi i parave, bankat nuk janë të prirura të bëjnë këmbime në euro dhe kjo mund të jetë problem për biznesin që kryen transaksione të mëdha, ndërsa për individët, që këmbejnë shuma të vogla nuk do të ketë probleme. Sipas të dhënave nga banka e Shqipëri, në 2018-n, volumi total i transaksioneve valutore ishte rreth 8 miliardë euro, çka nënkupton transaskione prej rreth 25 milionë euro në ditë.

Transferimi jashtë

Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve, (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipëri për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane. Këto monedha i tregtojnë në Bankat Rajonale, zakonisht në Vjenë, por edhe Credit SwissZyrich duke i konvertuar në Euro ose Dollar, të cilat ose i sjellin mbrapsht fizikisht në Shqipëri ose i kreditojnë në llogaritë me Bankat korrespondente në Austri apo Zvicër, në vartësi të Bankës që bën marrëveshjen. Ky është një transaksion i thjeshtë këmbimi cash./Monitor

foto galeri

foto galeri


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/ 30 Qershor? “Të gjitha pushtetet sovjetëve…”

Të tjera