» Çfarë është ‘Rilindja’, veçse një bandë me e madhe se ajo e Admir Murataj?

Çfarë është ‘Rilindja’, veçse një bandë me e madhe se ajo e Admir Murataj?

Nga Gentian Gaba

Në librin e katërt të ‘De civitate Dei’, Shën Augustini, flet për mbretëritë pa drejtësi.

Doktori i kishës ngre pyetjen retorike: Nëse heqim drejtësinë, çfarë janë në thelb mbretërit (shtetet), veçse banda të mëdha plaçkitësish? Po bandat e plaçkitësve, a nuk janë në veçse mbretëri (shtete) të vogla? Këto të fundit janë një grup njerëzish që i nënshtrohen një udhëheqësi, të lidhur me njëri-tjetrin nga një pakt social dhe plaçkën e grabitur e ndajnë sipas ligjësive që mbajnë bashkë atë grupim. Në qoftë se keqbërës të tjerë i bashkëngjiten kësaj bande ajo rritet deri në atë pikë sa mund të kontrollojë një territor të caktuar, duke forcuar pozicionet, duke pushtuar qytete të tjera, duke nënshtruar popuj të ndryshëm dhe fiton kësodore emrin mbretëri.

Emër që nuk i jepet për të treguar se lakmia dhe makutëria janë zvogëluar, por sepse pandëshkueshmëria është rritur. Për të ilustruar mungesën e diferencave midis mbretërive pa drejtësi dhe bandave, Shën Augustini rrëfen dialogun midis një pirati, të kapur teksa plaçkiste anijet dhe Aleksandrit të Madh. I pyetur nga udhëheqësi mbi arsyet që e shtynë të trazonte detin e tij, sinqerisht dhe me elegancë mendimi, pirati iu përgjigj: “Për të njëjtën arsye pse ju trazoni gjithë universin (botën); veçse unë e bëj me një anije të vogël dhe për këtë arsye më quani pirat; ndërsa ju e bëni me një flotë të madhe dhe ju quajnë perandor”. Kjo anekdotë pajtohet më së miri me situatën e ditëve të fundit në vendin tonë, në të cilën, një ‘fantomas’, hodhi tuç sigurinë kombëtare dhe grabiti të paktën 10 milionë euro.

Mirëpo, për sa e majme mund të duket shuma e grabitur nga ‘pirati’, ajo nuk është gjë tjetër veçse një pikë uji në oqean, krahasuar me 1.7 miliard euro që, sipas KLSH-së, u ‘plaçkitën’ në vitin 2018 nga ‘banda shtetërore’. Pra, me një dozë të madhe realizmi politik, kur hiqet drejtësia, kur rendi bie, mund të themi se shteti ynë nuk është gjë tjetër, veçse një bandë hajdutësh, në të cilin mbizotëron pandëshkueshmeria dhe ligji i më të fortit. Nga këto premisa, dikush mund të pyesë: Çfarë është ‘Rilindja’, veçse një bandë me e madhe se ajo e Admir Murataj?


360grade.al


“Mallkimi” i Ministrave të brendshëm shqiptarë, “dashuria” Lleshaj-Rama dhe …

Të tjera