» Vrasja e Jurgen Kurtit, pse policia kërkon djalin e tregtarit Arapi. Dyshime se…

Vrasja e Jurgen Kurtit, pse policia kërkon djalin e tregtarit Arapi. Dyshime se…

Nisur nga pista kryesore e ngritur për vrasjen e Jurgen Kurtit, që është ajo e hakmarrjes, grupi hetimor ka dyshime se Dervis Arapi, djali i tregtarit të vrarë dy vite më parë në Durrës, mund të ketë dijeni për ngjarjen.

Për këtë arsye është bërë shpallja në kërkim policor e 33- vjeçarit dhe kërkohet që në momentin e parë që të vijë në Shqipëri, duhet të paraqitet në Polici për të dhënë shpjegime. Nga ana tjetër, nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton që Dervis Arapi ndodhet jashtë Shqipërisë.

Hera e fundit kur ai ka dalë nga vendi ynë në drejtim të Italisë, ka qenë në janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera deri tani nga ana e oficerëve të Krimeve të Rënda, dyshohet se Jurgen Kurti mund të jetë ekzekutuar nga persona që janë paguar për ta vrarë.

Kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet se porosinë për vrasjen e tij mund ta kenë dhënë edhe pjesëtarë të familjes së Agim Arapit, ndaj edhe kërkohet dëshmia e të birit. Nisur nga precedenti i dy viteve më parë, kur Jurgen Kurti u dyshua si i përfshirë në vrasjen e tregtarit Agim Arapi, në Durrës, pista e parë e ngritur nga Policia ka qenë ajo e hakmarrjes.

Edhe pse pa ndonjë provë konkrete në këtë drejtim, Policia ka shoqëruar disa të afërm të Arapit, fillimisht si të dyshuar, por pasi janë marrë në pyetje, janë lënë sërish të lirë. Nga ana tjetër, burime nga grupi hetimor po verifikojnë edhe ndonjë konflikt të kohëve të fundit, ku mund të jetë përfshirë viktima. Për këtë arsye është sekuestruar dhe po verifikohet telefoni i 26-vjeçarit Kurti, që mund të shërbejë për hetimin.

Para se të ekzekutohej, para hyrjes së pallatit, nga të paktën 20 plumba të shkrepur drejt tij, Jurgen Kurti kishte qenë në një palestër që ndodhet fare pranë zonës ku ndodhi ngjarja. Ai ka dalë nga aty dhe ka lëvizur në këmbë drejt shtëpisë, ku ra në pritën e organizuar për eliminimin e tij.

Jurgen Kurti ka qenë duke ecur në trotuarin poshtë pallatit ku banon bashkë me të ëmën, kur drejt tij është qëlluar me breshëri dhe ka mbetur i vdekur në vend. Policia ka sekuestruar më shumë se 20 gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës.


360grade.al


Zheji: “E dashur Rea, je adresuar gabim, mos lejo të të bëjnë pjesë të lojës politike! …”

Të tjera