Profesionet e pakta ku femrat u paguan më shumë se meshkujt në vitin 2018 - 360 Grade

Profesionet e pakta ku femrat u paguan më shumë se meshkujt në vitin 2018

Femrat në Shqipëri edhe pse kanë të njëjtin pozicion me meshkujt, përgjithësisht paguhen më pak se ta. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2018-n, paga mesatare e femrave ishte 47.5 mijë lekë, ndërsa e meshkujve 53.2 mijë lekë. Në total, meshkujt u paguan 10.7% më shumë sesa femrat, duke rritur lehtë hendekun gjinor në raport me vitin e mëparshëm, kur kjo diferencë ishte 10.5%. Fakti që pagat e meshkujve janë rritur më shumë në krahasim me ato të femrave, përkatësisht me 3.5% dhe 3.2% ka ndikuar në këtë tendencë.

Femrat diskriminohen në pagesa në pothuajse të gjitha fushat. Nga 35 grup profesione që rendit INSTAT, vetëm në 6 prej tyre, gratë kanë paga më të larta sesa meshkujt (Drejtues administrativë dhe komercialë-20.2% më shumë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë-19.9%; Asistentë në administrim dhe biznes-10.8%: Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare-7.9%: Nëpunës të shërbimit të klientëve-4.2%: Punëtorë të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit-2.9%).

Në bujqësi paguhen njëlloj, ndërsa në 29 grup profesione të tjera, janë burrat ata që mbizotërojnë, ku diferenca më e madhe është te Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes; Specialistë të shëndetësisë; Punonjës në industri; Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë, ku burrat paguhen mesatarisht 26-29% më shumë sesa gratë.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se punëdhënësit preferojnë drejtuese femra, pasi gratë në drejtim janë më të paguarat në Shqipëri, duke ia kaluar meshkujve më shumë se në çdo sector tjetër.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, femrat në grup profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë” kishin një pagë mesatare mujore prej 156.4 mijë lekësh në 2018-n, më e larta nga të gjitha profesionet e tjera. Gratë drejtuese paguhen 20% më shumë se burrat në të njëjtin profesion. Megjithatë, në raport me një vit më parë, paga e drejtuesve femra ka mbetur pothuajse në vend, ndërsa ajo e meshkujve është rritur me gati 10 mijë lekë në 130 mijë lekë, duke bërë që diferenca mes pagave të ngushtohet në krahasim me 29% që ishte në 2017-n.

Profesioni i dytë më i paguar për femrat është “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, me 96.6 mijë lekë në muaj, por që është 11.3% më e ulët se meshkujt e të njëjtit profesion.

Në vend të tretë janë gratë që kanë profesionin “Ligjvënës, nëpunës të lartë të adm. shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, që në muaj marrin 87.6 mijë lekë, ose rreth 5% më pak sesa burrat, shkruan ‘monitor’.

Më pas renditen “Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit” me 85.2 mijë lekë dhe “Specialistë të administrimit dhe biznesit”, me 81.5 mijë lekë. (shih tabelën për pagat e grup-profesionet e tjera dhe diferencën mes femrave e meshkujve).

Më me “fat” në 2018-n ishin gratë në profesionin “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, pagat e të cilave panë një rritje me rreth 7,200 lekë, ose rreth 8.2%. Më pas renditen “punonjëset në profesionet e elektro-teknologjisë”, me rritje page rreth 20% ose rreth 5,500 lekë më shumë.

Rënie të lehtë shënuan pagat e “Specialistë të administrimit dhe biznesit” (-1%) dhe “Nëpunës zyrash” (-1.8%).


360grade.al


Ujqërit na morrën edhe Luljeta Bozon, thua?…

Të tjera