» “Zonja e Vjetër” 7 arsye për të besuar në Champions

“Zonja e Vjetër” 7 arsye për të besuar në Champions

Nostradamusi ka bërë disa parashikime për këtë vit, por nuk po i “ngacmojmë”. Në një shkrim të saj, “La Gazzetta dello Sport” ka analizuar shtatë arsyet pse Juventusi duhet të shpresojë te Championsi, sidomos pas ndeshjes së madhe të së martës ndaj Atletikos së Madridit.

1. VETËDIJE – Tifozëve juventinë u duket sikur i kanë mbijetuar një shpërthimi atomik. Skuadra dramatizon mbase më pak, por ka një vetëdije të re dhe në Europë ky është një aspekt me shumë rëndësi. Kurrë më parë në historinë bardhezi nuk ishte regjistruar një përmbysje pasi takimi i parë ishte humbur me disavantazh të dyfishtë. Nëse kjo arritje u krye, patjetër që e ka edhe një arsye. Edhe bota e sheh “Zonjën e Vjetër” më një tjetër sy. Ajo është favorite, me hapësira të shumta ku mund të rritet. Khedira do të jetë gati për çerekfinale, por edhe Duglas Kosta mund të japë ndonjë lajm pozitiv. Nëse braziliani vendos të luajë si gjatë 2018-ës, për Juven do të ishte edhe më mirë.

2. UDHËHEQJE – Paradoksi i ditës: Të martën Kristiano Ronaldo ishte më i miri në fushë për 18 minuta dhe jo 90. Tri minuta u përkasin golave, ndërsa 15 ishin nga ora 22:00 deri 22:15. Kjo hapësirë është koha e pushimit midis pjesëve. Imazhet video që tregojnë Ronaldon duke motivuar shokët e skuadrës përpara së të futeshin në fushë bënë xhiron e botës. Përqafime, shikime, të cilat i dhanë tjetër drejtim ndeshjes. Spinacolës mbase i është dukur vetja pak si Marselo në korsinë e portugezit. Përfundimi është i thjeshtë: Me 100 milionë euro, Juvja nuk bleu një sulmues, por një lider.

3. CINIZËM – Sa herë e goditi Juventusi portën të martën që lamë pas? Përgjigjuni e më pas kontrolloni përgjigjen. Ja pra, e themi ne:4. Atletiko në mesin e një përballjeje titanësh mundi të linte të qetë Oblakun. Skuadra e Alegrit nga ana e saj bëri një ndeshje cinike, me katër goditje në kuadrat dhe tre gola. Ju kujtohej çfarë thuhej në vjeshtë? Juventusi është një ekip i madh, që godet shumë e shënon pak. Bota u përmbys dhe një pjesë e Champions-it 2019 do të luhet pikërisht mbi aftësinë për të shndërruar çdo gjë në ar, rrjedhimisht pasimet në gola. Patenta e alkimistit mund t’i hyjë ende në punë Alegrit.

4. SHPENGIM – Virtyti i zgjedhur nga Alegri u materializua në orën 21:00, në rrugën “Gaetano Scirea”, ajo që të çon drejt e në “Allianz Stadium”. Trajneri kërkoi shpengim, një veti e rinisë. E ku ka më të rinj se Spinacola e Bernardeski, dy djelmosha që luajtën një ndeshje veteranësh. Kin në pjesën e dytë ndoqi shembullin, luajti pa frena dhe gaboi vetëm në shënjestër. Me personalitet u ndjenë të gjithë të lirë, për të luajtur siç dinë, për të dribluar rivalët dhe për t’i lënë pas njëri pas tjetrit. Mbase nuk ia dolën gjatë 90 minutave, por një mesazh e dërguan dhe dikush i ka dëgjuar.

5. URI – Pas 500 ndeshjesh bardhezi, Xhorxho Kielinit i ka mbetur vetëm një dëshirë: Një kupë që fillon me C dhe ka dy veshë të gjatë. Bonuçi u kthye pikërisht për t’i plotësuar këtë dëshirë, ndërsa Ronaldo ka një jetë që gjen gjithfarë motivimi për ta ngritur në ajër. Portugezi donte të ishte më i forti i epokës së tij, ndërsa tani synon të jetë i të gjitha kohërave. Juvja në Madrid ishte e trishton edhe për këtë arsyes, e jo më kot u duk e bllokuar. Dukej sikur Champions-i ishte shndërruar në fiksim, por në Torino u pa e kundërta. “Zonja e Vjetër” pati uri. Skuadrat që duan të ngadhënjejnë në Europë, në fakt, janë shumë të uritura.

6. SOLIDITET – Në dy javët që pasuan ndeshjen ndaj Atletikos në Madrid, bota bardhezi dukej si një mal i mbuluar me re. Alegri përflitej për një largim, për skuadrën thuhej se ishte e tensionuar. Në sfond vetëm gumëzhima. Atmosfera në “Allianz” ishte krejt ndryshe. E tensionuar, por fundi i ndeshjes ndryshoi gjithçka. Në fushë u pa një juve solide, e cila doli edhe më e fortë pas përmbysjes 3-0. Me idetë e tij Alegri solli një erë që largoi dyshimet dhe mundëson ndryshimet. A do të jetë Emre Xhan, xholi që bën dy role?

7. FAT – Juvja e parë në Madrid, përveç shumë epiteteve, u quajt edhe “e pafat”. Sot panorama është krejt tjetër dhe mbase edhe goglat e Nionit janë në borxh me bardhezinjtë. Reali dhe PSG-ja nuk janë pjesë e shortit, teksa ajo e Alegrit është skuadra që askush nuk e do përballë.


360grade.al


Tre të vërtetat e Kujtim Gjuzit, Rama, Berisha dhe Meta….

Të tjera