» Raporti për pastrimin e parave, në 2018 u sekuestruan 9.5 milionë euro

Raporti për pastrimin e parave, në 2018 u sekuestruan 9.5 milionë euro

Komisioni i Sigurisë shqyrtoi dje raportin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

I pranishëm në komision për të raportuar ishte drejtori i përgjithshëm i DPPPP-së, Arlind Gjokuta, i cili theksoi se për vitin 2018 janë sekuestruar rreth 9.5 milionë euro.

SEKUESTRIMET

Kryefjala e interesimit të deputetëve të komisionit, por edhe të raportimit të Gjokutas, ishte çështja e sekuestrimit të parave të pista. Kreu i DPPPPsë theksoi se përgjatë vitit 2018, duke iu referuar të dhënave të Policisë, janë sekuestruar një total prej 38.2 milionë eurosh pasuri, ku rreth 21.5 lidheshin direkt me pastrimin e parave.

“Drejtoria ka synuar thellimin e analizës së informacionit dhe plotësimin e tij me të dhëna shtesë nga organe ligjzbatuese. Në rastet e dërguara në Polici, 127 prej tyre kanë shërbyer si indicie për referimet e bëra nga Policia për nenin 287 të Kodit Penal. Gjithashtu, 91% e raportimeve vijnë nga raportime të aktivitetit të dyshimtë. Gjatë vitit 2018 janë nxjerrë 24 urdhra bllokimi të përkohshëm për fonde në llogari bankare për një vlerë totale prej 5.4 milionë eurosh, prej të cilave janë sekuestruar me vendim gjykate rreth 4.5 milionë euro. Nga të dhënat paraprake të ndara nga Policia e Shtetit rezulton se janë sekuestruar edhe 5 milionë euro në pasuri të paluajtshme duke e çuar vlerën e aseteve të sekuestruara me indicie nga DPPPP-ja në 9.5 milionë euro. Bazuar në komunikimet që kemi pasur me Policinë e Shtetit ka rezultuar se gjatë vitit 2018 janë sekuestruar në total 38.2 milionë euro pasuri të paluajtshme, para fizike dhe llogari bankare të dyshuara si të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Rreth 21.5 milionë euro lidhen direkt me pastrimin e parave”, tha Gjokuta.

Në fjalën e tij, drejtori i DPPPP-së foli edhe për bashkëpunimin me Tatimet dhe Doganat, ku theksoi se ka një fshehje prej 482 milionë lekësh.

“Për sa i përket bashkëpunimit me organet tatimore dhe doganore, vërehet një bashkëpunim në rritje si në dërgimin e rasteve të dyshimta të dërguara prej tyre, ashtu edhe në rritjen e sensibilizimit, risqet e posaçme që lidhen me fushën e veprimtarisë së tyre, por gjithashtu dhe në trajtimin e rasteve të dërguara nga drejtoria jonë. Në bazë të të dhënave paraprake rezulton se përgjatë vitit 2018, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë rikuperuar rreth 34.4 milionë lekë, në bazë të informacioneve të dërguara nga DPP-ja. Gjithashtu, në rastet e sinjalizuara janë gjithsej 17 raste që janë dërguar për vlerësim tatimor, ku vlera e dyshuar si e padeklaruar është rreth 482 milionë lekë. Pra, 34 milionë lekë janë të rikuperuara, ndërkohë 482 milionë lekë janë në proces rivlerësimi tatimor, në bazë të informacione që ka dërguar drejtoria jonë. Nga rastet që ne kemi dërguar dhe kemi ndarë me Tatimet, rezulton se janë dërguar 7 raste për ndjekje penale”, tha kreu i DPPPP-së.

Pas raportimit të drejtorit të përgjithshëm të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Komisioni i Sigurisë pritet të hartojë rezolutën dhe t’ia përcjellë për miratim seancës plenare.

RAPORTI I DPPPP

Gjatë vitit 2018 janë referuar gjithsej 376 raste nga Drejtoria, nga të cilat 343 raste në Policinë e Shtetit dhe 33 raste direkt në Prokurori. Mesatarisht janë 1.5 raste për çdo ditë pune.

Në rastet e dërguara në Polici, 127 prej tyre kanë shërbyer si indicie për referimet e bëra nga Policia për nenin 287 të Kodit Penal. Gjithashtu, 91% e raportimeve vijnë nga raportime të aktivitetit të dyshimtë.

Gjatë vitit 2018 janë nxjerrë 24 urdhra bllokimi të përkohshëm për fonde në llogari bankare, për një vlerë totale prej 5.4 milionë eurosh, prej të cilave janë sekuestruar me vendim gjykate rreth 4.5 milionë euro.

Nga të dhënat paraprake të ndara nga Policia e Shtetit, rezulton se janë sekuestruar edhe 5 milionë euro në pasuri të paluajtshme, duke e çuar vlerën e aseteve të sekuestruara me indicie nga DPPPP-ja në 9.5 milionë euro.

Gjatë vitit 2018 janë sekuestruar në total 38.2 milionë euro pasuri të paluajtshme, para fizike dhe llogari bankare të dyshuara si të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Prej tyre, rreth 21.5 milionë euro lidhen direkt me pastrimin e parave.

Nga kryqëzimi i të dhënave në dispozicion, rezulton se pothuajse në të gjitha rastet e sekuestrimeve të llogarive bankare të evidentuara nga Policia kanë indicie nga rastet e dërguara nga DPP.

Gjatë vitit 2018, në përgjigje të kërkesave të Policisë janë kryer verifikime për rreth 2800 persona. Në total, përgjatë gjithë vitit janë kryer verifikime për 4552 persona.

Në tri vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të personave dhe kërkesave për verifikime të kryera, duke qenë rreth 3 herë më shumë sesa për periudhën 2012- 2016.

Në bazë të të dhënave paraprake, rezulton se përgjatë vitit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë rikuperuar rreth 34.4 milionë lekë në bazë të informacioneve të dërguara nga DPP-ja. Gjithashtu, në rastet e sinjalizuara janë gjithsej 17 raste që janë dërguar për vlerësim tatimor, ku vlera e dyshuar si e padeklaruar është rreth 482 milionë lekë. Pra, 34 milionë lekë janë të rikuperuara, ndërkohë 482 milionë lekë janë në proces rivlerësimi tatimor, në bazë të informacione që ka dërguar drejtoria jonë.

Nga rastet që janë ndarë me Tatimet rezulton se janë dërguar 7 raste për ndjekje penale. Kërkesat për informacion nga DPP-ja për homologët jashtë Shqipërisë ishin 103 në vitin 2018.

Homologët kanë marrë përgjigje për 97 kërkesa për informacion që kanë sjellë në DPP. Rastet e dyshimta të raportuara nga subjektet e ligjit janë 1525 raporte. Gjatë vitit 2018 janë kryer 182 inspektime. 65% e inspektimeve janë inspektime në distancë, nga të cilat 73% të tyre janë të subjekteve me risk të lartë dhe 27% të subjekteve me risk të mesëm dhe të ulët.

Për vitin 2018 janë inspektuar 49 noterë, kundrejt 23 që u inspektuan në vitin 2017. Gjatë vitit 2018 ka rezultuar mesatarisht 1 në 10 inspektime me masë administrative. Në total janë aplikuar 18 masa administrative, me një vlerë totale prej 14.2 milionë lekësh.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera