» Hije dyshimi, dy vite “pazar” për 100 milionë eurot e laboratorëve

Hije dyshimi, dy vite “pazar” për 100 milionë eurot e laboratorëve

Është ndoshta rasti më unikal që dy vite pas shpalljes së fituesve, akoma nuk është firmosur kontrata. Dhe nuk bëhet fjalë për një tender dosido, por nga ato që qeveria i reklamon si transformues të sektorëve.

Bëhet fjalë për koncesionin e laboratorëve, që, sipas qeverisë socialiste, të dashuruar marrëzisht pas PPP-ve, do të ndryshonte njëherë e mirë fytyrën e shëndetësisë. Sa më e lartë të jetë vlera e parave publike që do të administrohen nga fituesit, aq më e madhe edhe retorika e qeverisë për ndryshimin kolosal që do të sjellë PPP-ja.

Por duket se 100 milionë eurot e kontratës së PPP-së së laboratorëve janë shumë për t’u firmosur. Më 24 prill 2017, pas fushatës për të mirat e mëdha që do të sillte koncesioni i laboratorëve, qeveria shpalli fitues bashkimin e kompanive, “Labopharma” “AB Laboratory Solutions B.V” dhe “EXALAB”. Në një investigim të mëparshëm, “BIRN” zbuloi se “AB Laboratory Solutions B.V”, njëra prej tre kompanive të konsorciumin fitues është themeluar prej vitit 2007 në Regjistrin holandez të Biznesit: një shtet që ndonëse lakohet pak, konsiderohet një ndër parajsat fiskale më të mëdha në Europë.

“Treguesit e ‘AB Laboratory Solutions B.V’- një kompani offshore me kapital 18 mijë euro të çojnë te një tjetër kompani ‘guaskë’ me strukturë pronësie të panjohur, e quajtur ‘Orinoco Mining& Resources B.V.’”. Pra, sërish në lojë, mes milionave të qeverisë për koncesionet, përfshihet një kompani offshore. Sipas parashikimeve, mendohej që kontrata mes konsorciumit fitues dhe qeverisë do të lidhej pas dy muajve dhe më pas të fillonte aplikimi i shërbimit privat për analizat e qytetarëve.

Por në kontrast me rastet e tjera të kësaj natyre, kanë kaluar 22 muaj dhe koncesionin e ka mbuluar misteri që përforcohet, pasi në lojë janë 100 milionë euro. Qeveria parashikon çdo vit në buxhet, rreth 8 milionë euro për të paguar privatin, (kjo pasi qeveria duhet të parashikojë në fillim të çdo viti çdo shpenzim), por habitshëm nuk ka gjetur akoma “gjuhën e përbashkët” për të firmosur kontratën dhe filluar punë. Vjet ky fond u dogj në kushtet e mungesës së kontratës, çka hedh hije të forta dyshimi për kundërvajtje ligjore gjatë procesit apo pas shpalljes së fituesit.

Dyshimet amplifikohen edhe më shumë nga heshtja e qeverisë dhe e ministrisë së linjës. Burime të besueshme pohuan për “News 24” se ekziston një marrëveshje e fshehtë për shitjen e aksioneve të paketës koncesionare te një kompani tjetër. Të njëjtat burime konfirmojnë se transaksioni financiar do të ndodhë, pasi të jetë firmosur kontrata mes bashkimit të tre kompanive fituese, “Labopharma”, “Exalab”, “Laboratory Solution” dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas “News 24”, nga sa po projektohet kemi të bëjmë me të njëjtin skenar si në koncesionet e mëhershme në shëndetësi që kanë ndryshuar pronar pa nisur ende aktivitetin. Kështu ka ndodhur me koncesionin, e “Check up”, si dhe me shërbimin e Hemodializës. Gara, e hapur dy vjet më parë, shkaktoi reagime nga opozita dhe grupimi i punonjësve në laboratorët aktualë shtetërorë në të gjithë vendin. Opozita pretendoi se kostoja vjetore e materialit ishte 1 milion euro, ndërsa, sipas koncesionit, qeveria do t’i paguajë çdo vit mbi 8 milionë euro kompanisë fituese.

Konsorciumi privat që ka fituar tenderin për PPP-në 100 milionë euro, do të menaxhojë analizat mjekësore në të paktën 18 spitale në rang vendi. Sipas të dhënave, 5 laboratorë janë të Spitalit Universitar në Tiranë, ndërsa 11 të spitaleve rajonale dhe 2 spitaleve të Sarandës dhe Lushnjës. Në total, pritet të menaxhohen rreth 5 milionë analiza në vit. Qeveria shpalli tenderin 13 miliardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë me kursin e kohës. Koha e PPP-së do të jetë dhjetë vjet.


360grade.al


Boll Hashim me intervista, Ramush Haradinaj ka të drejtë!

Të tjera