» Ndryshon konfiskimi i pasurive – Agjencia shet mallrat që në momentin e sekuestrimit

Ndryshon konfiskimi i pasurive – Agjencia shet mallrat që në momentin e sekuestrimit

Hendeku ligjor dhe mbivendosja e kompetencave të institucioneve për administrimin e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të hartojë një projektligj për të caktuar një procedurë të qartë për trajtimin e tyre.

Drafti që mban firmën e ministres Anila Denaj është hedhur për konsultim dhe synon, të mirëpërcaktojë të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore procedurën që ndjek Agjencia, që nga momenti i parë i ekzekutimit të Vendimit të sekuestros, me marrjen në dorëzim të pasurive që do të administrohen, duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, sipas mënyrave dhe formave specifike në varësi të llojit të pasurisë, e duke mbyllur qarkun e administrimit, me anë të procesit të destinimit përfundimtar të pasurive që konfiskohen.

Por ndryshimi kryesor që sjell projektligji “Për administrimin pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara”është edhe shtimi i kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, qysh në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit.

Sipas draftit, Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit.

Financat argumentojnë se shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.


360grade.al


Boll Hashim me intervista, Ramush Haradinaj ka të drejtë!

Të tjera