» Desada Metaj: Basti i fundit i Ramës me ministrat e rinj, si po e teston Kryeministri grupin e heshtur të deputetëve të PS

Desada Metaj: Basti i fundit i Ramës me ministrat e rinj, si po e teston Kryeministri grupin e heshtur të deputetëve të PS

Nga Desada Metaj

Që nga dita kur u propozua si ministër i Jashtëm, Genti Cakaj është shndërruar në personazhin më të përfolur në politikë, media dhe rrjete sociale. 28 vjeçari nga Kosova, ndoshta do e ketë patur të vështirë të përballojë lumin e madh të komenteve, pjesa më e madhe jo dashamirëse ndaj tij. Përtej kësaj, më e rëndë duhet të ketë qenë për një të ri në moshë dhe eksperiencë pune, të përballet me vendimet dhe përplasjet e ashpra mes Presidentit dhe Kryeministrit të një vendi ku ai ka pak ose aspak miq e shokë të vërtetë.

Kjo ndoshta për shkak se nuk ka lindur dhe është rritur në Shqipëri, por dhe për faktin se posti që ai duhet të merrte është kaq i lakmuar dhe i sulmuar edhe brenda vetë PS. Edhe avokatia e vetë Kryeministrit apo e gazetarit Baton Haxhiu, duket se më shumë e kanë dëmtuar se sa ndihmuar zotin Cakaj që të konfigurohet si diplomat i zoti dhe si një i ri që mund të mbajë mbi shpatulla diplomacinë e Shqipërisë.

Përtej vorbullës së asaj që është thënë dhe gatuar për të riun nga Kosova, përtej deklaratave kryeneçe të Presidentit dhe Kryeministrit, mesa duket fshihet dhe basti i fundit që Edi Rama ka vënë për pushtetin e tij. Dhe hera e fundit, ka rreziqe që kreu i maxhorancës i ka llogaritur mirë e që nuk kanë të bëjnë as me “lotët” për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, as me betejën politike me opozitën, madje as me përballjen gjysëm teatrale dhe të përsëritur me Presidentin Meta.

Këtë herë, basti i Edi Ramës është me njerëzit e tij brenda grupit parlamentar të PS dhe jo vetëm. Është basti i fundit me veten, si basketbollist mediokër, si piktor i sforcuar dhe tashmë si politikan në mundësinë për të rrënuar apo ringritur imazhin e tij (të paktën tek socialistët që e duan ende). Është basti i hequr në minutat e fundit para ndërrimit të qeverisë e që la pa fjalë e me fytyra të shastisura shumicën e deputetëve rilindas. Askush në sallën ku u lexuan emrat e ministrave të rinj nuk ishte konsultuar, apo së paku informuar se financat e Shqipërisë do të jenë në duart e një gruaje thuajse të panjohur, për të cilën nuk ka asnjë foto apo CV të qartë në internet.

Edhe emri i ministres së re të Arsimit ishte po aq i panjohur,veç faktit që njihej si zëvendës ministrja nga Kosova. Sa për kulturën dhe diplomacinë, besoj se ende shumica e deputetëve të PS nuk i kanë parë live apo të kenë patur mundësi të shkëmbejnë një fjalë me ta. Kjo mënyrë arrogante dhe gati-gati fyese e prezantimit të ministrave të rinj, përballë një grupi parlamentar që ka fituar mazhorancën, nuk mund të zbutej as me emrin e Erion Braçes e aq më pak të Elisa Spiropalit që më mirë se publiku, e dinë vetë socialistët se si i ka drejtuar doganat.

Të ndodhur përballë këtij fakti, si rrallëherë deputetët e një partie të madhe heshtën. Ish-ministrat u fshehën pas mesazheve “ngushëlluese” për njëri-tjetrin e ca të tjerë shfletonin faqet e intrigave të vogla për ministrat e rinj. Por askush nuk foli, as për ata që ikën e aq më pak për të rinjtë që morën detyrën duke sfiduar (ndoshta jo me dëshirën e tyre) emrat e njohur të një partie të madhe që herën e fundit i ka fituar e vetme zgjedhjet parlamentare. Të ndodhur përballë faktit të kryer, disa prej tyre kishin shpresat e vakëta që Cakaj mos të dekretohej e ndonjë skandal i fshehur për ministrat e rinj të publikohej në media.

Në ditët kur opinioni publik ende zien për ndryshimet në qeveri  dhe emrat e ministrave të rinj, socialistët që dy vjet më parë nuk e ndanë me askënd entuziazmin për fitoren e zgjedhjeve heshtën në kor. Me shpresën se një forcë e jashtme, media, opozita apo dikush tjetër me fuqi të shtuara në bashkinë e Tiranës do ta bënte Edi Ramën “të llogariste” dhe deputetët e vet. Duke harruar ndoshta se me këtë mënyrë diabolike dhe talljeje deri diku publike me të zgjedhurit e listës së vet, Edi Rama ka qeverisur dikur ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës e sot e kësaj dite qeverinë. Por nuk mundën deri sa arritën në këtë pikë, socialistët dhe bashkë me ta dhe të tjerë që nuk kanë votuar apo admiruar rilindjen e Edi Ramës, prekën dhe panë disa baste të humbura të kryeministrit.

Edi Rama humbi bastin me studentët, për një protestë që nuk ka fuqinë e ditëve të para por ende ka shkëndija të forta. Më herët atij iu desh të gënjente e më pas të shkarkonte Fatmir Xhafën. Humbi bastin me banorët e Astirit, protesta e të cilëve bëri të mundur zbulimin e skandalit ndoshta më të rëndë të viteve të fundit. Ndërsa kjo me të vetët duket të jetë basti i fundit i një kryeministri që së fundmi ka ditur vetëm të luajë me “humbjen në xhep” dhe të shfaqet si gallataxhi.

Nuk e di a kanë qeshur socialistët, ata që vërtet besojnë ende tek vlerat e vërteta, kur kanë parë drejtuesin e tyre të shfytyruar nga skandalet e njëpasnjëshme duke bërë humor në tv, të ngërdheshur në takimet e stisura me studentët e së fundmi të acaruar në kulm në mbrojtje të ministrit të Jashtëm që nuk ka asnjë avokat në radhët e PS. Që duket të jetë më i pafajshmi në një kohë kur dhe më besnikët e Edi Ramës e kanë të vështirë të bëjnë avokatin e skandaleve dhe kllounadës pa shije që kryeminstri ka zgjedhur të bëjë të paktën këto javë.

Ndaj basti i fundit i Edi Ramës duket të jetë më i vështirë se mbyllja e pikave të basteve nëpër Shqipëri. Sepse kur  ekuilibrat e brishta të pushtetit 6-vjeçar të rrënuar nga skandalet e njëpasnjëshme nisin të lëkunden nga zgjedhjet personale dhe ndikimet familjare, dhe ata që i ke konsideruar si “besnikët” e tu do e kenë zhgënjimin më të madh se dëshirën për të qenë pjesë e një partie që qeveris me njerëz “pa parti”. Dhe shkëlqimin e dëshiruar si sportist dhe artist,vështirë se mund ta gjesh në dy vitet e fundit të mandatit, ku çdo kryeministër ka përjetuar periudhën më të keqe si politikan. Ndaj për sa më lart basti i fundit mund të jetë dhe ai koefiçentin më të ulët në historinë e bastexhinjve të politikës shqiptare.


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/Ja përse do ta kërkojmë Ramën, kur të mos jetë…

Të tjera