» Gentian Gaba: Të qeverisësh krizën

Gentian Gaba: Të qeverisësh krizën

Gentian Gaba
Indeksi i demokracisë, i revistës “The Economist”, na pagëzoi edhe një herë si regjim “hibrid”. Anatomia e kësaj “mushke” politike është ndërthurja e tipareve të një demokracie, si zgjedhjet e shpeshta dhe të drejtpërdrejta, dhe atyre të autokracisë, ku votuesit, pas votimit, mbeten të shkëputur nga procesi politik e qeverisës. Ky indeks, që është një termometër i demokracisë në rruzull gjatë vitit të shkuar, na pozicionoi në vendin e 76. Përpara nesh janë vendet me “demokraci problematike”; mbrapa nesh regjimet autoritare.
Në këtë tension, midis të shkuarës sonë të afërt autoritare dhe të ardhmes së largët “plotësisht demokratike”, një nga treguesit më domethënës është ai i “functioning of government” (funksionimin e qeverisë). Nota ngelëse, 4.71 pikë, nënkupton që paçka vendimet merren në mënyrë demokratike, ato nuk zbatohen. Me pak fjalë qeveria jonë “flet drejt, por rri shtrembër”. Diçka me të cilën ne njihemi përditë në mënyrë empirike; edhe pa pasur nevojë për pasqyrën e “The Economist”.
Prej kohësh qeverisja është krejt e palidhur me qytetarët. Prej kohësh qeveria është në një gjendje emergjence si pasojë e kësaj shkëputje nga ata që duhet të shërbejë. Përtej përpjekjeve në komunikimin politik, me slogane si “Shqipëria që duam” dhe platforma me të njëjtin emër, protestat dhe reagimet e shumta që shënuan 2018 si një vit të ethshëm nga kjo pikëpamje, tregojnë se Rama nuk po qeveris Shqipërinë, por krizat që po prodhon si pasojë e të qenit ‘ngelës në qeverisje’. Sikurse dëshmojnë 4.71 pikët në këtë kumt.
Mjafton t’i bëjmë apel kujtesës sonë për këtë vit e gjysmë qeverisje, dhe e vetmja gjë që do të na vijë në mendje është toroisja e Kryeministrit nga një krizë në tjetrën. Ndonëse, paradoksalisht, kjo spirale krizash ka harlisur pozitat e tij në krye të qeverisë dhe të mazhorancës që drejton, kostot e këtij suksesi në qeverisjen e krizave e ka marrë vendi në çdo çip të tij. Përqendrimi në betejat e përditshme politike, ka prodhuar një qeveri që jeton me mëditje; miope dhe e paaftë për të parë matanë 2021. Sepse fitorja e zgjedhjeve të radhës është gjëja më e rëndësishme, dhe e vetmja strategji që kanë për vendin.
Mirëpo sfidat janë të shumta! Rënia e lindshmërisë, më e ulëta që kur shteti shqiptar filloi për herë të parë regjistrimin e lindjeve në vitin 1929; rënia e popullsisë në moshë pune si pasojë e emigrimit si dhe plakja e popullsisë që do të rëndojë gjithnjë e më shumë rritjen ekonomike; investimet e huaja në rënie dhe asnjë “big” në horizont; mjerimi i bujqësisë; pesha e PPP-ve, të cilat po maskojnë një shpërdorim të parave publike; arsimi në krizë, sikurse dëshmoi edhe stuhia studentore; si dhe lidhjet e krimit me politikën, janë të gjitha pjesë një tabloje shumë të errët, mbi të cilën, Kryeministri piktor, nuk ka arritur të hedhë asnjë penelatë shprese.
Në këtë pikë, ku drita në fund të tunelit ende nuk duket, rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë na e tregon indeksi i “The Economist”, pra dalja nga stadi hibrid i demokracisë sonë. Për të arritur këtë, nuk lipsen protesta para Kryeministrisë të grupeve të ndryshme shoqërore, të cilat shpaguhen në fund të rropatjes me haraçin që Rama lëvron për mbijetesën e tij politike. Kërkohet shumë më shumë se kaq; kërkohet ndryshimi i rregullave të lojës politike, ndarje pushtetesh dhe një Kod Zgjedhor që të vendosë një raport të drejtë midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve, nga i cili lind “instituti” i llogaridhënies. Pra, kërkohet që vendi të kthehet në një demokraci përnjëmend. Përndryshe, do të vijojmë kështu sikurse e kemi nisur, me pikëpyetjeje që karakterizon qenien hibride par excellence: Ku do të na çojë mushka?


360grade.al


Ato që ju dhanë Ramës me të tepërt, po i hiqen sot, një e nga një…

Të tjera