» VIDEO/ Seks dhe 500 euro për kujdestarinë e fëmijës/ Si e priti gjyqtari “hamshor” vendimin që e la në qeli

VIDEO/ Seks dhe 500 euro për kujdestarinë e fëmijës/ Si e priti gjyqtari “hamshor” vendimin që e la në qeli

“Mund të përfshihet në fakte penale të rënda të të njëjtit lloj, duke vijuar të jetë në detyrë gjyqtar”, kështu ka arsyetuar Gjykata për Krimet e Rënda në caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi. 

 

Në seancën e zhvilluar dje në orët e pasdites, Gjykata la në fuqi vendimin e dhënë në mungesë, duke lënë në burg deri në përfundim të hetimeve Hysin dhe psikologen Elona Meçani.

Ata janë vënë para drejtësisë nën akuzat “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë, në vendimin e dhënë në mungesë, Gjykata ka argumentuar se veprimet që dyshohet se ka kryer gjyqtari cenojnë integritetin e gjyqësorit. “Vepra penale që hetohet dhe dyshohet personi nën hetim, Roland Hysi, nisur nga rrethanat konkrete të rastit, cenon dukshëm integritetin e pushtetit gjyqësor në tërësi”, shkruhet në vendim.

1546983955_hysi

SEANCA

Në këmbë dhe me një pamje të qetë e ka pritur vendimin e Gjykatës gjyqtari Roland Hysi, ndërsa avokati i tij mbrojtës, Alban Bengasi, gjatë seancës ka pretenduar papërdorshmërinë e provës, si të marrë jo konform ligjit. Por ky pretendim është rrëzuar nga gjyqtarja Miliana Muça, me argumentin se nuk kemi të bëjmë me provë që konsiston në përgjim, por më një provë dokument.

Prokuroria ka paraqitur si provë, përpos videove të bëra publike nga emisioni investigativ “Stop” në “TV Klan”, edhe historikun e çështjes së gjykuar nga gjyqtari, ku palë ka qenë denoncuesja e identifikuar si shtetasja M.K..

Nga këqyrja e sistemit,- thotë prokurori,- rezulton se gjyqtari ka dhënë një vendim, ku ka rrëzuar kërkesën e ish-burrit të denoncueses për marrjen e kujdestarisë.

Ndërsa më tej, në këtë Gjykatë është zhvilluar edhe një tjetër proces, ku gjyqtar ka qenë Taulant Banushi, i përmendur nga psikologia në një nga videot, ku i del garant se do të ndërhynte që çështja të zgjidhej në favor të denoncueses. Në kushtet kur provat e tjera të paraqitura përputhen me të dhënat e përftuara nga video-përgjimi, prokurori i çështjes, Klodian Braho, ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

ARSYETIMI I GJYKATËS

Në vendimin e dhënë në mungesë, Gjykata për Krime të Rënda argumenton se, bazuar në të dhënat e përftuara nga këqyrja e ecurisë së procesit gjyqësor të denoncueses në Gjykatën e Fierit, përkojnë me deklarimin e saj në intervistën e dhënë në televizion.

Së pari, përkon regjistrimi i padisë nga ana e ish-bashkëshortit, pikërisht me objektin e deklaruar nga denoncuesja në emision. Përkon gjithashtu, edhe thirrja si psikologe e shtetases Elona Meçani. Korrespondon edhe regjistrimi i një kërkese të dytë me paditëse denoncuesen, ku ka kërkuar kujdestarinë e vajzës së saj.

“Duke gjetur të përputhura këto momente të regjistrimit audio-video me provat e tjera, për këtë Gjykatë ekziston një shkallë e arsyeshme dyshimi se shtetasi nën hetim, me detyrë gjyqtar, Roland Hysi, ka kërkuar dhe ka marrë një përfitim të parregullt të natyrës materiale, në kërkim të dhënies së një vendimi gjyqësor në favor të së paditurës, denoncuese në emisionin investigativ.

Në të njëjtat burime prove, kjo Gjykatë konstaton se ekziston një shkallë e arsyeshme dyshimi se shtetasi nën hetim, me detyrë gjyqtar, Roland Hysi, ka kërkuar një përfitim të parregullt të natyrës seksuale ndaj kësaj shtetaseje, duke vënë nën presion psikologjik për sa i përket fatit të vajzës së saj, e kushtëzuar kjo me ‘pushtetin’ e tij në vendimmarrjen e ardhshme në çështjen civile, lidhur me kujdestarinë e fëmijës së denoncueses”, argumenton Gjykata.

PANORAMA


360grade.al


Ato që ju dhanë Ramës me të tepërt, po i hiqen sot, një e nga një…

Të tjera