» Kompleksimi i Opozitës dhe oksigjeni që mori prej saj kryeministri

Kompleksimi i Opozitës dhe oksigjeni që mori prej saj kryeministri

Nga Artur ZHEJI

Opozita u qëndroi larg studentëve, duke respektuar kërkesën e tyre, që të gjitha forcat politike të qëndronin jashtë protestës. Por ndërkohë, studentët, kërkonin nga kryeministri, politikan edhe ky, plotësimin e kërkesave të tyre dhe qoftë edhe përmes sherrnajës së protestës, ata njihnin autoritetin e tij, si personi që duhet dhe mund të jepte Zgjidhje.
Pas frikësimit dhe trembjes së parë, kryeministri, mori dhuratën e parë të madhe dhe të rëndësishme, që protesta studentore, mund të forconte opozitarizmin, por jo Opozitën institucionale dhe aktuale shqiptare.
Në të vërtetë, ashtu sikundër ai pohoi në një studio Tv, mund të rrinte edhe 10 vite të tjera, e të bashkëjetonte më protestën e studentëve, sepse herët apo vonë, energjitë e tyre të varfëra ekonomikisht, do të shkonin drejt shterrjes dhe përçarjes dhe drejt bjerrjes përfundimtare.
Dhe duket se kështu po ndodh. Të infiltruarit e Qeverisë në protestën e studentëve, që nuk po shndërrohet dot në një Lëvizje Studentore, arritën të ndikojnë Tezën, që përjashtonte praninë apo pjesmarrjen e çdo forcë politike opozitare, në mbështetje të tyre.
Nga ana tjetër, Opozita, përjashto rolin individual të Monika Kryemadhit, reagoi tërësisht si e kompleksuar, duke ndejtur realisht krejt larg protestës dhe edhe mbështetjes së saj indirekte. Disa sprova që bëri nëpër disa qytete, ishin të vakëta, të zbehta dhe të pamjaftueshme për të krijuar një situatë turbulluese për strukturat milionere të qeverisë shqiptare, që tashmë nuk qeveris por vetëm merret me fushatë të brendëshme elektorale dhe qeveria e partia në pushtet, punon sot, më shumë se kurrë, si një strukturë e vetme organizative.
Është e habitshme, se sa e pamjaftueshme dhe e paartikuluar është sot, sidomos Partia Demokratike, në një situatë kaq të favorshme dhe të sinqertë antiqeveritare që u përjetua këto ditë.
Të jetë kjo një rastësi? Apo një vetëbindje se “pushteti dhurohet dhe nuk fitohet?”
Përse Opozita nuk e përballoi, qoftë edhe përplasjen apo diskutimin e hapur me studentët, që sidoqoftë do të ishte një “përplasje pastruese” e mëkateve të dikurshme të ish pushtetarëve?
Apo u përjetua një frikë nga përplasja antiestablishment, që kërkonin në mënyrë romantike studentët?
Sidoqë të jetë, në mënyrë direkte apo indirekte, kjo qasje, e qëllimshme apo nga padija dhe nga mosvlerësimi i mençur i këtyre rrethanave, ishte pikërisht oksigjeni, që kryeministri kishte kaq shumë nevojë në një kohë kaq të vështirë për të.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera