» Haradinaj zhvillon bisedë telefonike me kreun e NATO-s, Stoltenberg

Haradinaj zhvillon bisedë telefonike me kreun e NATO-s, Stoltenberg

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë kësaj bisede Haradinaj ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Haradinaj me këtë rast i ka shprehur sekretarit Stoltenberg respektin dhe ndjenjën e veçantë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në vend.

Më tej, Haradinaj e ka informuar sekretarin Stoltenberg për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për procesin e transformimit të FSK-së (Forca për Sigurinë e Kosovë), duke e siguruar atë se transformimi i FSK-së do të jetë transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, për një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore. FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe NALT (Ekipi Monitorues dhe Ndërlidhës i NATO-s), pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

Kujtojmë se në Kuvendin e Kosovës më 14 dhjetor do të votohen projekt-ligjet që do të mundësojnë transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Në lidhje me këtë Stoltenberg ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri vjen në një kohë të papërshtatshme. Sipas tij, kjo mund të ketë “pasoja serioze” për integrimin euroatlantik të Kosovës.


360grade.al


Ato që ju dhanë Ramës me të tepërt, po i hiqen sot, një e nga një…

Të tjera