» Marrëveshja e detit, Milo: Grekët optimistë, pse hesht qeveria shqiptare…?

Marrëveshja e detit, Milo: Grekët optimistë, pse hesht qeveria shqiptare…?

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, shprehet optimist se marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për delimitimin e kufirit detar do të arrihet së shpejti.

Nisur nga deklarata e sotme e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias, i cili tha se “nuk shkon me pushime pa u zgjidhur çështja me Shqipërinë”, Milo shprehet se Greqia duket optimiste në arritjen e një marrëveshje.

Milo tha se stafet teknike të dy vendeve po punojnë për përcaktimin e detajeve të karakterit teknik të marrëveshjes.

Ai tha se kjo është edhe pjesa më e vështirë, pasi duhet të arrihet në një marrëveshje të pranueshme nga të dyja vendet.

Nisur nga fakti se Shqipëria pret qëndrimin e vendeve të BE për hapjen e negociatave për anëtarësim, Milo tha se marrëveshja me Greqinë mund të ndikojë në këtë drejtim.

“Mund të kemi edhe një ‘Po’ të kushtëzuar”, tha ai.

Pjese nga intervista:

Maqedonia dhe Greqia kanë arritur një marrëveshje për emrin. Gati tre dekada për të rënë dakord për një emër. A është normale një gjë e tillë?

Nëse do të ishte për një rajon tjetër do të ishte ndryshe, por për Ballkanin është normale. Ballkani ka trashëguar një mentalitet të tillë, ndaj është quajtur “fuçi baruti”, dhe marrëdhëniet mes kombeve kanë patur çështje të pazgjidhura. Është për t’u përshëndetur arritja e kësaj marrëveshje. Kontribuon në stabilitetin në rajon, dhe në radhë të parë të vetë Maqedonisë. Zgjidhet një ngërç që e ka penguar Maqedoninë të integrohet në NATO dhe më tej. Kjo çështja ka qenë një ‘patate e nxehtë’ për politikën e brendshme në Maqedoni.

Presidenti maqedonas Ivanov, është zgjedhur nga partia që ka refuzuar zgjidhjen. Edhe në Greqi ka patur pak a shumë një reagim refuzues, por nuk besoj si në Maqedoni. Çështja e Maqedonisë së Veriut ka qenë në tryezën e bisedimeve si propozim prej shumë vitesh.

Kjo është një marrëveshje që pas kaq shumë vitesh zgjidhet, dhe është meritë e atyre që qeverisin tani të dy vendet. Presidentit të Republikës i takon ta dekretojë pasi është një marrëveshje ndërkombëtare. Besoj se në këtë pikë do të ndërhyjë edhe Parlamenti i Maqedonisë.

Tani vëmendja shkon tek ajo se çfarë do të bëjë Tirana me Athinën. Nuk e dimë në cilën pikë janë diskutimet…
Ka patur pritshmëri për arritje më të shpejtë të marrëveshjeve të përfolura. Janë caktuar disa afate të cilat janë kaluar, si prilli, maji, dhe ende nuk duket se ka së afërmi ndonjë gjasë që të mund të zgjidhjet përfundimisht e gjithë paketa e negociuar mes palëve. Problemi me sa duket qëndron tek marrëveshja për delimitimin e kufijve detarë. Është një marrëveshje me probleme, dhe është në të mirë të dy vendeve që të negociohet me detaje. Grupi shqiptar ka shkuar në negociata për të mbrojtur interesat kombëtare, dhe e rëndësishme është që në fund të arrihet një marrëveshje në interes të dy vendeve.

Mendoni se tani janë stafet teknike që po punojnë për këtë?
Mendoj se janë stafet teknike që tashmë janë fokusuar tek detajet. Presidenti ka vendosur vijat e kuqe, ndaj tani mendoj se më shumë ka vështirësi të karakterit teknik për të përcaktuar detajet e marrëveshjes. Negocimi në detaje është i vështirë. Mendoj se në detaje po haset në vështirësi të cilat interpretohen nga palët në mënyra të ndryshme.

Dhe derisa të lëmohet fraza dhe të përcaktohet qartë gjithçka, duhet punë. Lexova sot që ministri Kocias është shprehur se ‘nuk do shkoj me pushime pa u zgjidhur çështja me palën shqiptare’, këto tregojnë se ata janë optimistë se mund të arrihet marrëveshj.

Pala shqiptare është pak e kursyer në deklarata, për shkak edhe të eksperiencës negative që kemi patur nga marrëveshja e parë. Rëndësi ka të arrihet një marrëveshje e mirë. Një marrëveshje e tillë mund të ndikojë edhe në hapjen e negociatave.


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera