» Televizionet private po kërkojnë të marrin para nga shteti…

Televizionet private po kërkojnë të marrin para nga shteti…

Nga Çapajev Gjokutaj

Televizionet private po kërkojnë të marrin pare nga shteti. Hollë-hollë jo nga shteti, po nga taksapaguesit. Me një fjalë kërkojnë të fusin duart në xhepat tanë.

Dje, Shoqata e Mediave Elektronike ka paraqitur një draft për disa ndryshime në ligjin për mediat elektronike. Thelbi i ndryshimeve është: paret që mblidhen nga tarifa për përdorimin e aparateve televizive të mos i shkojnë vetëm televizionit publik, por edhe televizioneve private.

Arsyeja: televizionet private i shërbejnë publikut, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ndjekin televizionet private dhe jo atë publik. Çdo shërbim do paguar. Madje, duke u paguar do përmirësohet.

Në fakt televizionet private, që prej fillimit janë mbështetur e paguar edhe nga publikja. Shteti u ka venë në dispozicion frekuencat dhe licensat që janë e mirë publike.

Në parim mbase nuk ka gjë të keqe që privatët të marrin edhe një pjesë të tarifës që paguajnë qytetarët për aparatet televizive. Por që ta meritojnë këtë duhet të bëjnë paraprakisht nja dy reformime thelbësore që lidhen me pronësinë dhe me pavarësinë e politikave redaksionale.

Në krye është pronësia. Një studim i publikuar këtë mars tregon se televizionet tona kryesore janë pronë e katër familjeve. Këto të katra kapin gjysmën e audiencës totale, nga 48 në 58 %.

Përqendrimi ekstrem i pronësisë bëhet më i rrezikshëm nga që pronarët kanë edhe aktivitete të tjera ekonomike. I kemi fare të dobëta garancitë ligjore që televizionet private të mos u shërbejnë bizneseve të pronarëve. Thënë shkoqur: të mos përdoren si mjete shantazhi për të marrë koncensione, tendera etj.

Shantazhe të tilla bëhen më të mundshme nga që kufijtë mes pronarëve dhe redaksive janë opakë. Shpesh vija redaksionale ndikohet nga interesat dhe orekset e pronarëve. Me një fjalë: gazetarët mund të përdoren në çdo çast si kobure në duart e pronarëve.

Të strukturuara dhe të përdorura kështu, televizionet private mund t’u ikijn detyrimeve ndaj publikut dhe pluralizmit dhe t’i shërbejnë një pakice tiranike të përbërë nga pronarët e tyre plus një kastë e ngushtë politike.

Shteti dhe shoqëria duhet të kërkojnë që këto handikape të rregullohen, pastaj mund të diskutohet e të jepet edhe mbështetja financiare që del nga xhepat tanë.

Në të kundërt është si të ngresh çatinë para se të hedhësh themelet.

( Nga cikli ‘Selanik e tarëpjetë’ )


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera