» Po, protesta dështoi, tani regjimi u forcua…

Po, protesta dështoi, tani regjimi u forcua…

Muaji Maj 2017 dhe Maj 2018, kanë tashmë të përbashkët, humbjen e shanseve dhe humbjen e mundësisë së ballafaqimeve serioze politike.

Nuk mendoj si disa kolegë se Lul Basha, nuk donte të bënte një protestë të madhe dhe të fuqishme.

Janë larguar nga Shqipëria këto 5-6 vjet, mbi 300.000 shqiptarë, që do të punësoheshin në 4 vjeçarin e qeverisjes Rama-Meta, 2013-2018.

Vetë Metë u katapultua në Presidencë, shenjë e qartë e mënjanimit të tij nga politika frontale kundrejt Ramës dhe kuptohet me votat e gëzueshme të këtij të fundit.

Berisha, është me një këmbë brenda dhe me një këmbë jashtë Partisë Demokratike dhe për moshën që ka, jep një maksimum energjie përtej të zakonshmes, por të pamjaftueshme gjithsesi.

Basha, ka probleme shumë të mëdha në brendësi të një partie të përçarë si mos më keq, me kundërshtarë aktivë, të cilët jo vetëm kanë braktisur çdo kontribut, por punojnë intensivisht kundra lidershipit Basha dhe duhet thënë me mjaft sukses.

Lëvizja Socialiste për Integrim, ndjehet e pasigurt, nën trysninë e qeverisë nga një anë dhe nën pasigurinë e marrëveshjeve të sigurta dhe të qëndrueshme me Bashën në anën tjetër.

Ndërkohë që Rama, tashmë “come il diavolo in persona” (si vetë djalli me një fjalë, nuk lodhet së dërguari “ambasadorë” dhe negociatorë, ditë pas dite, për të rifilluar flirtin Ps-Lsi.

Forcat e tjera politike, nuk e kanë marrë akoma veten nga Marrëveshja Rama-Basha e vitit të kaluar, ku dolën, jo për faj të tyre, elektoralisht copë-copë.

Ndërkohë, Reforma në Drejtësi, ashtu si e kisha parashikuar që në vitin 2016, rezultoi një vërrë në ujë dhe nuk u bë gjë tjetër, veçse ndërrimi i “kuajve” në sistemin e drejtësisë, nga “Kuaj Blu”, në “Kuaj Rozë”.

Garantë të qeverisë dhe një shpatë e një shtizë, mbi kokën e Opozitës.

Më keq se kaq për alternativat opozitare, ashtu si ato janë, nuk mund të vinte dhe më mirë për qeverinë e përmbytur nga skandalet, nuk mund të bëhej.

Tashmë Regjimi u forcua.

Shumë para dhe influenca, nga njëra anë, shumë varfëri dhe pasiguri jetike nga ana tjetër, pandëshkueshmëri ligjore e garantuar për qeveritarët, banda aktive në të gjithë territorin, që nesër mund të shndërrohen në “Skuadrone Vdekjeje” si në kohën e Pinoçetit, kur të vijë koha e zgjedhjeve.

Banditë që lirohen, banditë që arratisen nga salla e gjyqit, banditë me kostume deputeti, mbretërimi i forcës dhe vdekja e plotë e trurit.

Dhe turma shqiptarësh të mallkuar, që duan vetëm të largohen nga Shqipëria që nuk u përket më, ose të paktën të largojnë prej saj fëmijët e tyre.

Por nuk mungojnë edhe disa dhjetëra e mijëra të tjerë, që punojnë në hijet e pushtetit apo për llogari të tij, që po bëhen gati të nxijnë bythën në diellin e nxehtë të plazheve shqiptare, por sidomos në Greqi, Spanjë dhe Itali…

Shqipëri, Maj 2018./ 360grade.al


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera