» “Xhafaj”/ Paloka: Rama skenar për mbylljen e hetimeve, protesta rruga e vetme

“Xhafaj”/ Paloka: Rama skenar për mbylljen e hetimeve, protesta rruga e vetme

Deputeti i PD, Edi Paloka ka dal sot në një deklaratë për mediat ku ka hedhur edhe një herë akuza kundër qeverisë për rastin Xhafaj.

Paloka në deklaratën e tij, thotë se Rama po zbaton një skenar për të mbyllur hetimet për të mos vënë para përgjegjësisë vëllain e ministrit.

Pjesë nga deklarata

Që kur shqiptarët u njohën me skandalin Xhafaj, Edi Rama po zbaton një skenar kriminal që synon mbylljen e hetimeve pa vënë para drejtësisë vëllain e ministrit të Brendshëm për trafik droge.

Pjesë kryesore e këtij skenari është mohimi i zërit të Agron Xhafajt, që i siguroi Dëshmitarit X gjetjen dhe transportin e hashashit me garancinë se Policia nën varësinë e vëllait të tij Ministër i Brendshëm, do ti hapte rrugën.

Edi Rama i mashtroi shqiptarët duke thënë se ka bërë një ekspertizë të zërit në një agjensi të specializuar, por ai akoma nuk ka treguar se cila është kjo agjenci.

Edhe Fatmir Xhafaj tha të njëjtën gjë po atë ditë, por as njëri, as tjetri nuk bëjnë publik emrin e agjencisë që na paska bërë ekspertizën.

Rama dhe Xhafaj ministër nuk bënë transparencë para shqiptarëve, siç kanë detyrimin ta bëjnë, jo se e ashtuquajtura ekspertizë nuk përbën provë, por sepse asnjë agjenci e specializuar nuk do t’i thoshte të zezës të bardhë!

Fatmir Xhafaj e di që zëri në përgjime është i të vëllait. E di që Dëshmitari X dhe gazetari Jetmir Olldashi thonë të vërtetën. Prandaj e largoi me urgjencë të vëllain trafikant pa ua nxjerrë më parë shqiptarëve me zë dhe me figurë që ta bënin vetë identifikimin dhe të gjykonin të vërtetën.

Edhe Edi Rama e di që Agron Xhafaj është koka e trafiqeve në Vlorë, prandaj gënjeu për ekspertizën e zërit dhe nuk iu përgjigj gazetarëve për emrin e agjencisë. Për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij të inkriminuar, Edi Rama është bërë pjesë e skenarit për të mbuluar veprat kriminale të Fatmir dhe Agron Xhafajt.

Pjesa e dytë e këtij skenari është imponimi ndaj Prokurorisë të pranojë si ekspertizë të zërit të Agron Xhafajt rezultatin e paracaktuar nga vetë Edi Rama. Prandaj Fatmir Xhafaj vazhdon të qëndrojë në detyrë: për të vazhduar manipulimin dhe shkatërrimin e provave, nëpërmjet kukullave të tij në Prokurori Arta Marku dhe Donika Prela.

Ka ardhur koha që, të gjithë bashkë, t’i themi ndal pengmarrjes së shtetit nga krimi!

Partia Demokratike ka thirrur të shtunën tjetër më 26 Maj një protestë kombëtare për të bashkuar shqiptarët në një zë: Fatmir Xhafaj ik!

Shqiptarët nuk mund të pranojnë më të qeverisen nga krimi!

Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur, duke parë sesi qeveria e tyre refuzohet nga Europa për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar, një herë me Saimir Tahirin dhe tani me Fatmir Xhafajn.

Ju ftoj të gjithëve, të shtunën në orën 11.00, pa dallime partiake të bashkohemi në protestën kombëtare, për t’i dhënë mesazhin Europës se shqiptarët europianë refuzojnë një qeveri antieuropiane!

Se duam një qeverisje të ndershme, e cila do të realizojë kushtet për hapjen e negociatave.

Se duam luftën dhe jo mbrojtjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Se duam drejtësinë e barabartë për të gjithë dhe jo drejtësinë  e kapur.

Ju ftoj të gjithë në protestën kombëtare, të shtunën me 26 maj në orën 11.00.

Nenkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaratë për mediat.

Geplaatst door Partia Demokratike e Shqipërisë op zondag 20 mei 2018

 


360grade.al


Pse ka shpallur sulm dhe çfarë parandjen KM-ja?

Të tjera