» Euro nis sërish tatëpjetën, ja çfarë paralajmërojnë ekspertët këtë herë

Euro nis sërish tatëpjetën, ja çfarë paralajmërojnë ekspertët këtë herë

Monedha e përbashkët i është kthyer sërish rënies relativisht të fortë në tregun e brendshëm, pas një javë pozitive, duke sinjalizuar se tendenca nënçmuese mbizotëron. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej sot me 127.17 lekë, me një tkurrje ditore prej 0.14 lekësh dhe duke shënuar rënien më të madhe në gati dy javë.

Në rënie ishte dhe dollari amerikane, ndonëse në nivele më të ulëta, me 0.03 lekë më pak, në 107.79 lekë. Dollari e ka marrë disi veten nga niveli i ulët i 105 lekëve që u arrit para një muaji, i ndikuar dhe nga rritja e tij në bursat ndërkombëtare.

Në bursat ndërkombëtare euro ka vijuar të jetë e dobët, ku një euro këmbehej me 1.18 dollarë ditën e sotme, në nivelin më të ulët që nga dhjetori. Euro në bursa ka hyrë në javën e pestë rënëse, për herë të parë që nga viti 2015, teksa situata politike në Itali ka shqetësuar investitorët, pasi qeveritë populiste do të qeverisin Italinë, pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit.

Krahas euros së dobët në bursa, në afatin e mesëm, monedha e përbashkët është ndikuar nga faktorë të brendshëm, teksa ajo vijon të luhatet afër nivelit më të ulët të 10 viteve.
Capture-23
Në raport me fillimin e vitit, monedha e përbashkët është nënçmuar me gati 6 lekë, ose me 4.3%. Ndërsa në raport me mesin e vitit 2016, kur euro luhatej me 138-139 lekë dhe më pas filloi dhe rënia graduale po e qëndrueshme e monedhës së përbashkët, euro ka rënë me rreth 11 lekë, apo rreth 8%. Ekspertët pohojnë se ky forcim gradual i lekut ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të ofertës në euro nga burime informale (të hyrat nga aktivitetet e paligjshme, që aktualisht po kanalizohen përmes ndërtimit) dhe formale, si turizmi, apo burimet e tjera të eksporteve sidomos të shërbimeve, investimeve, remitancave, pagesat e taksave etj.

Në muajt e parë të këtij viti, tkurrja e euros ka qenë më e fortë. Aktorët e tregut pohojnë se kanë ndikuar dhe transaksionet për konvertimin e kapitalit të bankave, që kanë qenë në proces shit-blerje nga euro në lekë.

Ekspertët e tregut pohojnë se euro do të vijojë të jetë e dobët me afrimin e verës, si rrjedhojë e efekteve sezonale, që lidhen me prurjet e turistëve dhe të emigrantëve./monitor/


360grade.al


Atentati: 600.000 sirianë që vijnë dhe 500.000 shqiptarë që largohen…

Të tjera