» Nikoll Lesi: Sot vendoset fati i mazhorancës së PS. Sejcili e ka nga një vëlla!

Nikoll Lesi: Sot vendoset fati i mazhorancës së PS. Sejcili e ka nga një vëlla!

-Kryeministri, në orën 11:00, jep vendimin e tij final në raport me sulmet e PD-së ndaj ministrit të tij më të suksesshëm të qeverisë socialiste. Erion Braçe: Ministri Fatmir Xhafaj sulmohet nga mafia dhe klanet e krimit politik dhe ekonomik.

Tashmë PD-ja mbetet e qartë në skemën e saj politike. Synon rrëzimin e ministrit më të suksesshëm dhe më proamerikan në qeverinë Rama, ndonëse ka aludime se e gjitha kjo është inskenuar nga klane e grupe politiko-ekonomike brenda kupolës së PS-së.

Që nga dalja në skenë e akuzave të Partisë Demokratike kundër ministrit Fatmir Xhafaj, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një distancë të çuditshme, në mos indiferente në raport me ato çka thoshte përditë PD. Fillimisht heshti ndaj sulmeve për ministrin më të rëndësishëm të kabinetit të tij. Më pas foli në Kuvend, por më shumë se si kryeministër foli si analist i mediave duke u fshehur pas qëndrimit të ndërkombëtarëve.Një marifet brilant kur don të heqë dikë që i bën hije në PS apo që nuk e urdhëron dot si ministrat e tjerë të Rilindjes. Në të vertetë Fatmir Xhafaj mbetet soji i fundit i PS-së tradicionale, pasi ministrat e tjerë janë rilindas të kohës së Ramës. Është edhe Majko, por ai ka ministri pa karrike e administratë, është me shumë dekor.

Pas heshtjes së gjatë dhe deklaratave të dyzuara të Taulant Ballës, kryeministrit Edi Rama ka vendosur sot të mbajë një qëndrim të qartë. Në një njoftim të shkurtër në Facebook, kryeministri lajmëroi se nesër (sot) do të prezantojë qëndrimin e tij për akuzat e PD ndaj ministrit të Brendshëm. “Jemi të gjithë njësoj? JO, s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj! Nesër në 11.00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me Ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave”,- deklaroi kryeministri Edi Rama.

Në këtë situatë opozita nuk po humbet kohë. Pas serisë se deklaratave me akuza dhe përgjimeve të pretenduara, Partia Demokratike ka kaluar në aksion. Sot është paralajmëruar një protestë para Ministrisë së Brendshme për të kërkuar largimin e Fatmir Xhafaj. Ndërkohë në Kuvend dhe komisionet parlamentare pritet që opozita të mos shkojë më për ligjet, por për spektakël si ai i djeshmi me bllokimin e punimeve. Është një e drejtë e opozitës për të bërë politikë dhe mjeshtërisht po e ndihmon edhe kupola rozë e cila nuk flet ose edhe kur flet sjell “argumentin për anën morale” dhe jo thelbin e sulmeve.

Mënyra sesi do të sillet Rama dhe PS ndaj sulmeve që po i bëhen Fatmir Xhafajt nuk do të përcaktojë vetëm fatin personal të ministrit, por shumë më tepër se kaq. Këtu nuk është fjala për reagimin e Ministrit ndaj qëndrimeve që do të mbajnë kolegët e tij, por për një standard që Edi Rama mund të vendos në qeveri si dhe unitetin e grupit parlamentar. Në gjithë akuzat që PD-ja ka bërë ndaj Xhafajt, në asnjë rast nuk gjendet përgjegjësi direkte ligjore. Nëse Rama dhe PS vendosin të distancohen nga ministri me shprehje si ajo e Taulant Ballës për “përgjegjësi morale”, me ketë logjikë asnjë ministër dhe zyrtar i PS nuk mund të qëndrojë më në detyrë, duke nisur që nga vetë kryeministri. Edhe Edi Rama e ka një vëlla të akuzuar, ndonësë të pa dënuar, por ama përditë përmendet.

Përgjegjësia morale në pushtet nuk është vetëm kur përmenden të afërmit e dikujt, por edhe kur akuzohesh për keqqeverisje dhe skandale të tjera pa fund që ka qeveria “Rama”. Ndaj ajo që do të thotë sot Edi Rama nuk ka të bëjë vetëm me Fatmir Xhafën, por edhe fatin e mëtejshëm të qeverisë së Partisë Socialiste. Ndërsa Rama deri më sot ka heshtur, në PS nuk janë të paktë ata që mendojnë se sulmi ndaj Fatmir Xhafës nuk është i gjithë opozitës, por i një segmenti të saj që është goditur nga operacionet e policisë. Erjon Braçe, një deputet që flet më hapur se shumë të tjerë në PS, dje tha se Ministri i Brendshëm po sulmohet nga mafia, duke nënkuptuar gupe brenda PD-së. Pas kësaj deklarate, nëse Edi Rama sot nuk mbron ministrin e tij, praktikisht në sytë e socialistëve, do të duket sikur kryeministri u dorëzua para kërcënimeve mafioze.

Nëse kryeministri vendos ta hedhë në dhëmbët e PD-së ministrin e tij më të suksesshëm, i cili para pak javësh ishte në SHBA te DEA, FBI etj e ku hapi udhë bashkëpunimi efikas, atëhere ka mundësi që “audiopërgjimi” të ketë dalë nga skutat e qeverisë dhe e disa biznesmenëve të cilëve iu është prekur interesi me sekuestrimin e 613 kilogram kokainë në Durrës e që tani po hakmerren ndaj ministrit.

Ndaj sot kryeministri ka në dorë ose unitetin, qoftë edhe formal të PS-së, ose fillimin e një lufte brenda kupolës së PS-së, e cila ndikon automatikisht në qeverisje.

Mbetet të shikohet nëse Edi Rama nuk e ka pëlqyer Fatmir Xhafajn në PS, por ka qenë i detyruar nga ndërkombëtarët ta emëronte në krye të ministrisë së brendshme, ndaj sapo iu dha rasti prej sulmit të PD-së ta largojë jo vetëm nga ministër, por duke i ndërprerë edhe karriten e mëtejshme politike.

Sot vendoset jo vetëm fati i Ministrit të Brendshëm, por edhe i vetë qeverisë. Sejcili ka audio, video, dokumenta, etj për njeri tjetrin.

Sejcili e ka nga një vëlla!

S.P.


360grade.al


Halli i ri i KM-së me Greqinë dhe fondet sekrete

Të tjera